in

Përurohet në Napoli një ekspozitë personale e Edi Ramës

Sonte kryeministri i vendit do të jetë në Napoli për përurimin e ekspozitës me punime të tijat si piktor. Pse nuk vjen nesër në Romë për të marrë pjesë në takimin e parashikuar mes ministrit të Jashtëm Bushati dhe diasporës?

Romë, 31 maj 2016 – Në Galerinë Alfonso Artiaco të Napolit do të hapet sot në orën 19.00 një ekspozitë me punimet e kryeministrit shqiptar Edi Rama. Ekspozita, e kuruar nga Lorenza Baroncelli dhe Joseph Grima, do të qëndrojë hapur deri më 22 korrik 2016. Këtu gjeni edhe komunikatën e shtypit mbi ekspozitën. Nga galeria e Napolit thanë për Shqiptariiitalise.com se kryeministri Rama do të jetë sot i pranishëm në përurimin e ekspozitës së tij. Me siguri, nga Parisi ku ishte, e dje mori pjesë edhe në dekorimin e Ismail Kadaresë, sot fluturon për në Napoli.

Rastësia e do që nesër në Romë të mbahet takimi “Jam shqiptar” i ministrit të Jashtëm të Shqipërisë Ditmir Bushati me komunitetin shqiptar, i organizuar nga ministria e Jashtme e Shqipërisë dhe nga Zyra IOM Tiranë, në kuadër të projektit të tyre të përbashkët mbi “Angazhimin e Diasporës Shqiptare në zhvillimin e vendit”.

E ajo që të vjen ndërmend është: mos vallë qëndron edhe nesër e i bën surprizë pjesëmarrësve në takimin “Jam shqiptar”? Pse jo, vetëm pak ditë më parë, nga ministria e jashtme siguronin që takimi është me rëndësi të veçantë edhe për “krijimin e atmosferës dhe pritjen e Samitit të Parë të Diasporës në rang global nën kujdesin e Kryeministrit dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme”.

Por burime qoftë nga ambasada qoftë nga ministria e Jashtme na bëjnë të ditur që nuk është siç e menduam: kryeministri nuk do të jetë nesër i pranishëm në takim.

Si të thuash, i rëndësishëm takimi, por jo aq sa të detyrojë kryeministrin që pas përurimit të ekspozitës së tij në Napoli, të bëjë diçka jashtë programit, të qëndrojë një ditë më shumë në Itali për të takuar komunitetin.

Shqiptari i Italisë

 

Nuk shkohet në Evropian me shpatën e Skënderbeut

Servizio civile. Nuovi bandi per 35 mila giovani, anche per stranieri