in

Pesë milionë imigrantë të rregullt, “së bashku përtej krizës”

Është rritur me gjysmë milioni numri i imigrantëve të rregullt në Itali, por po aq kanë humbur lejen e qëndrimit. Prezantohet sot në Romë Dosieri statistikor i imigracionit 2011 Karitas/Migrantes. Shpërndarja e shqiptarëve në Krahina
Shiko skedën video të prezantimit

Romë, 27 tetor 2011 – Të huajt e pranishëm në Itali janë tashmë rreth 5 milionë, apo më saktë 4.968.000 vetë. E thonë ekspertët e  Dosierit statistikor Karitas/Migrantes të prezantuar sot në Romë, që shifrës të dhënë nga Istat, 4.570.317 të rezidentëve më 1 janarit 2011, i shtojnë mbi  400 mijë prani të rregullta por që nuk rezultojnë akoma të regjistruar në zyrat e Gjendjes Civile.

Sipas të dhënave Istat, më 1 janar 2011 shqiptarët rezidentë në Itali kanë arritur shifrën 482.627 duke u rikonfirmuar komuniteti i dytë i të huajve në Itali, pas rumunëve (968.576). Por ajo që vërehet për komunitetin shqiptar është rritja më e ulët vjetore nga viti 2000. Në fakt, krahasuar me një vit më parë (kur ishin 466.684), numri i shqiptarëve rezidentë në Itali është rritur me vetëm 15.943 vetë, ndërkohë që nga viti 2001 deri në vitin 2009 numri i shqiptarëve rritej, me të paktën, 25 mijë në vit. 

“Numri i të huajve të rregullt – shpjegohet në Dosier – është thuajse i njëjtë me atë të një viti më parë (4 milionë e 919 mijë). Duhet theksuar që numri i rezidentëve është shtuar me 335.258 vetë, këtyre u duhen shtuar edhe rreth 400 mijë vetë, mes të legalizuarve që ende nuk janë regjistruar në Zyrat e Gjendjes Civile, por këto shifra, në një farë mënyre këto janë azeruar nga 684.413 të huaj që kanë humbur lejen e qëndrimit (2/3 për punë e 1/3 për motive familjare), pavarësisht faktit nëse janë dëbuar vërtet apo kanë rënë në klandestinitet”. Ndaj duhet reflektuar “mbi paqëndrueshmërinë e dokumenteve të qëndrimit e mbi modifikimet e nevojshme normative për të zgjidhur këtë çështje”.

“Në pamje të parë duket sikur s’ka ndryshuar asgjë. – shpjegon koordinatori i Dosierit Franco Pittau – Në të vërtetë ka ndodhur një ‘qarkullim’ i konsiderueshëm, që ka përfshirë rreth 600 mijë vetë, që edhe pse të ardhur për të qëndruar në Itali, kanë humbur lejen e qëndrimit dhe janë detyruar ose të kthehen në atdhe ose të fshihen në tunelet e errëta të punës në të zezë: 398.136 leje qëndrimi janë lëshuar për punë të varur, 49.633 për punë të pavarur, 220.622 për motive familjare dhe 16.022 për pritje punësimi. Nga 2.637.431 lejet e qëndrimit, që ishin të vlefshme në 31 dhjetor 2009, pas një viti, një e katërta (684.413) nuk është përtërirë në skadim”.

Punonjësit e huaj – 2.089.000 sipas Istat-it, të cilëve u duhen shtuar edhe 200 mijë jo rezidentë – përbëjnë një të dhjetën e krahut të punës dhe gjatë dhjetëvjeçarit të fundit kanë qenë thuajse vetëm të ardhurit ata që kanë rritur numrin e të punësuarve në Itali. Por pikërisht imigrantët janë ata që po vuajnë më shumë pasojat e krizës, “sa arrijnë të përfaqësojnë deri një të pestën e të papunëve”. Ndërkaq sipërmarrjet e të huajve kanë arritur në 228.540, 20 mijë më shumë se një vit më parë.

Prania e imigrantëve në Itali, jo vetëm rritet numerikisht por edhe bëhet përditë e më e qëndrueshme dhe kapilare. Nga viti 1996 deri në vitin 2009 janë lidhur 257.762 martesa të përziera. Vetëm në vitin 2009 janë celebruar 21.357 martesa me një bashkëshort italian e një të huaj (10% e të gjitha martesave) por edhe 10.702 martesa me bashkëshortët të dy të huaj. Në vitin 2010 janë dhënë 40 mijë dekrete shtetësie për rezidencë apo martesë me shtetas italian dhe janë njohur 26 mijë shtetësi  (për të lindurit në Itali që kanë jetuar këtu deri në mbushjen e 18 vjeçëve) në Zyrat e gjendes civile të komunave.

Të miturit bij të imigrantëve janë tashmë thuajse 1 milion dhe shtohen me rreth 100 mijë vetë në vit, kryesisht që lindin këtu por edhe që vijnë me bashkim familjar. Gjatë vitit të shkuar shkollor 710 mijë nxënësit me shtetësi jo italiane përbënin 7,9% të të gjithë nxënësve. Italia, nënvizon Dosieri, është “vendi i brezave të dytë” ndaj për këtë arsye “ajo duhet të rishqyrtojë ligjin e shtetësisë në mënyrë që ai të mos përbëjë një faktor përjashtimi, por të lehtësojë marrjen e shtetësisë brenda një kohe të arsyeshme”.

Dosieri vlerëson se në Itali jetojnë edhe rreth 500 mijë imigrantë të parregullt, duke nënvizuar që deri më sot e ashtuquajtura “tolerancë zero” nuk ka pasur efikasitetin e shpresuar. Mjaft të mendohet që nga 50.717 të huajt e parregullt të kapur gjatë vitit 2010, vetëm 20.087 janë dëbuar efektivisht.

“Përtej krizës, së bashku” është slogani i zgjedhur këtë vit nga Karitas e Migrantes. “Solidariteti është fjala kyçe në një shoqëri multikulturore dhe akoma më shumë në këtë fazë të munduar nga kriza. Ne – shpjegon koordinatori i Dosierit Franco Pittau – mund të ndihmojmë imigrantët dhe ata mund e duan të ndihmojnë atdheun e tyre të ri, mjaft të mos konsiderohen rrota rezerve por qytetarë të rinj”.

Arrestohet 32-vjeçari Mateo Deva për keqtrajtim të të shoqes

Gjendet i vdekur në makinë 24 vjeçari Shahinaj