in

Pilotët që humbën jetën shpallen Dëshmorë të Atdheut. Sot homazhet dhe varrimi

Kapiten Floran Deliaj dhe toger Donald Hoxha do të prehen në Varrezat e Dëshmorëve.

Donald HoxhaTiranë, 7 prill 2016 – Komisioni Shtetëror për Dëshmorët shpalli “Dëshmor i Atdheut” dy pilotët e Forcave të Armatosura, kapiten Floran Deliaj dhe toger Donald Hoxha, të cilët u ndanë nga jeta dje pasdite, 6 prill 2016, si pasojë e rrëzimit të një helikopteri EC 145, me të cilin po zhvillonin një fluturim stërvitor në Grizhë të Malësisë së Madhe.

Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë njoftojnë se homazhet në nderim të dy pilotëve të Forcës Ajrore, “Dëshmorë të Atdheut”, kapiten Floran Deliaj dhe toger Donald Hoxha, të cilët ranë në krye të detyrës si rezultat i rrëzimit të helikopterit EC 145 në Grizhë të Malësisë së Madhe, do të mbahen ditën e enjte datë 07 prill 2016 nga ora 12:00 – 14:00 në mjediset e Pallatit të Kongreseve.

Ceremonia e përcjelljes së dy ushtarakëve për në banesën e fundit do të zhvillohet në orën 14:30 në Varrezat e Dëshmorëve.

Kapiten Floran Deliaj

Kapiten Floran Deliaj lindi në 01.10.1973 në Dibër. Kreu studimet në akademinë ushtarake “Skënderbej” nga ku u diplomua në vitin 1996 në specialitetin “Oficer Aviacioni”. Nga viti 2004 e në vazhdim ka kryer detyra të ndryshme në Repartin e Farkës, si pilot ekuipazhi i parë në BO105 dhe komandant ekuipazhi SAR. Kapiten Deliaj ka kryer kurse kualifikimi brenda dhe jashtë vendit. Lë pas gruan me 3 fëmijë.

Toger Donald Hoxha

Toger Donald Hoxha u lind me 17.06.1988 në Berat. Kreu Akademinë e Aviacionit të Pozzuolit në Napoli, Itali ku e përfundoi me sukses në vitin 2011 dhe u certifikua si pilot. Pas shkollimit, u emërua si pilot në Forcën Ajrore dhe më pas në Bazën Ajrore të Farkës ku dhe shërbeu nga viti 2012 me profesionalizëm e devotshmëri. Detyra e fundit e toger Hoxhës ishte “pilot SAR” në Grupin e Helikopterëve në Bazën Ajrore të Farkës. Kreu kurse të ndryshme kualifikimi, brenda dhe jashtë vendit, për pilotimin e helikopterëve të tipit EC145 SAR.

 

Donald Hoxha

Rrëzohet një helikopter në Malësinë e Madhe, humbin jetën dy ushtarakë

Presidenti Hashim Thaçi betohet sot në Kuvend