Vajza e çiftit shqiptar padit të atin për dhunë në familje. Arrestohet burri, edhe pse e shoqja fillimisht është munduar ta mbulojë duke u thënë agjentëve se ishte rrëzuar
Romë, 7 mars 2014 – Nesër edhe 8 mars, festa e gruas, por lajmet për dhunën ndaj tyre në gjirin e familjes nuk mungojnë as në vigjilje. Rasti i fundit, ky i një familjeje shqiptare në periferi të Pisës që sjellin mediat lokale. Keqtrajtimi i gruas nga burri, i ulët dhe i dënueshëm në vetvete, merr ngjyrime edhe më të forta kur ndodh përpara syve bijve të mitur.
Ka qenë pikërisht vajza 16-vjeçare që ka marrë në telefon 113 për të denoncuar dhunën që babai o ushtronte mbi të ëmën. Kur policia ka mbërritur në vendngjarje ka arrestuar menjëherë babanë e vajzës, 52 vjeç , edhe pse e shoqja e tij që dergjej në krevat me dhimbje në trup fillimisht u tha se kish rënë.
Fale disa hetimeve, policia ka verifikuar se i shoqi rrihte gruan edhe në sy të bijve të mitur, dhe se kish pasur edhe më parë probleme me ligjin për dhunë në familje, e për këtë arsye gjykatësit e kishin larguar për ca kohë nga familja, masë që kishte përfunduar në janar.
Bpolicia ka arrestuar babain e familjes dhe ka thirrur ambulancën për të shoqen. Vetëm kur e kanë shtruar në spital dhe në prani të ekipit mjekësor – të cilët kuptuan se trauma në fytyrë dhe plagët në trup ishin të pajtueshme me plagë të shkaktuara nga rrahja – ajo ka treguar të vërtetën.
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)