in

Pistoia. Rihap dyert shkolla shqipe Nënë Tereza

E organizuar nga shoqata AssoAlbania për të dytin vit, mësimet ofrohen falas, çdo të hënë e të shtunë, nga 7 tetori

Romë, 30 shtator 2013 –Shoqata AssoAlbania, e bindur që kultura integruese është një proces që lind që në bankat e shkollës, pas eksperiencës pozitive të vitit të shkuar, interesit të madh të familjeve për t’u mësuar gjuhën shqipe edhe fëmijëve të lindur e të rritur në Itali, rihap shkollën shqipe Nënë Tereza.

Edhe këtë vit pranohen regjistrimet e të miturve me moshë 7-13 vjeç. Përveç gjuhës dhe leximit në shqip fëmijëve do t’u jepen njohuri mbi historinë e gjeografinë, traditat dhe kulturën e Shqipërisë. Mësimdhënia do të ofrohet nga mësues profesionistë vullnetarë.

Leksionet, falas, do të nisin më 7 tetor, çdo të shtunë paradite dhe të hënë pasdite.

Përurimi i vitit të ri shkollor do të mbahet më 6 tetor. Do të ketë një takim me prindërit dhe më pas një festë për të familjet, me recitime, këngë, valle dhe bufe.

Për regjistrimet dhe informacione të mëtejshme kontaktoni
shoqatën AssoAlbania, Via San Marco, 77, Pistoia. Scuola Anna Frank Via Donati, Pistoia 
tel. 0573 21824; e-mail: info[at]ssoalbania.it; www.assoalbania.it

 
Mbresat dhe mësimet e vitit të parë

Gjithçka filloi si realizimi i një ëndrre në sirtar për mësuesit, fëmijët dhe familjet: plot dëshirë, emocion dhe frikë, në Janar 2013. Me bashkëpunimin e shoqatave të tjera – si Scanderbeg Parma – ndërtuam një program mësimor eksperimental 40 orësh, me mbledhje të shumta deri në orë të vona të natës, me guxim dhe shumë punë u hodhën bazat e sezonit të parë të hapjes së shkollës. Gashtë mësues nisën mësimin e gjuhës dhe kulturës shqipe per komunitetin shqiptar në Pistoia dhe rrethina.

Për ta kuptuar më mirë domethënien e kësaj përvoje, kemi mbledhur disa dëshmi, kuriozitete dhe deklarata që tregojnë punën dhe nevojën e madhe për këtë eksperiment  tek komuniteti shqiptar.

“Ishim të frikësuar në fillim sepse kishim fëmijë që nuk flisnin fare shqip. Mendonim që do hasnim vështirësi të mëdha me nxënësit, meqe prindërit na rrëfenin që fëmijët e tyre e urrejnë shqipen pasi në ambiente familjare apo në shkollë, nuk duan të thuhej që janë shqiptar!
Këto konstatime paraprake u rrëzuan orë pas ore, shkronjë pas shkronje e këngë pas kënge. Dashuria, përgatitja dhe durimi që mësueset treguan në çdo moment, dha rezultat të madh që e bashkuar me inteligjencën e fëmijëve tejkaloi çdo pritshmëri. U mësua në kohë rekord alfabeti, kaluam menjëhere në diktim, lexim, recitim dhe bazat e gjuhës: emri, fojla, fjalia etj. ”Unë shkruaj shqip”, thotë Isaku i vogël 7 vjeç!” –
dëshmojnë organizuesit e shkollës.

Femijët na mahnisnin me kureshtinë dhe pyetjet e tyre edhe në orën e Histori-Gjeografisë. “Secili nga ata mezi e pret radhën për të dalë para klasës për të treguar me gisht në hartë ku ndodhet qyteti i prindërve, tek cili mal jeton gjyshi ose në cilin plazh i ka kaluar pushimet verore” – thotë mësuese Albana.

“Të kënaq edhe kureshtia me të cilën shikojne fragmente në videoprojektor nga filmi Skënderbeu ose kur dëgjojnë të flitet për Nënë Terezën apo Ismail Qemalin” – rrëfen mësues Qerimi.

“Në orën e kulturës-traditës dhe vizatimit, secili shfaq talentin e tij duke pikturuar me fantazi veshjet popullore, flamurin kombëtar kuq e zi  dhe duke dëgjuar koncepte të lashta si: nderi, besa, bujaria, atdhetarizmi etj. U pëlqen të dëgjojnë tingullin e dajres, lahutës e u bën përshtypje folklori ynë kombëtar. Ata tani janë më afër Shqipërisë. Duhet thjesht një mënyrë e gëzueshme për t’u transmetuar atdhedashurinë” – thekson më tej mësues Ademi.

“Orën e fundit të kësaj maratone Shqiptare e presin me ëndje për të kënduar të gjithë bashkë ”S’ka në botë më të mirë, se sa ti moj nëna ime…”. Ata, me kënaqësi interpretojnë edhe vjershën aq të dashur ”Djali dhe shqiponja”, e kërcejnë bukur dhe me zbavitje pogonishten apo vallen e Tropojës” – kujtojnë Laureata dhe Brisida. 

E gjithë kjo eksperiencë, na dha shtysën ta vazhdojmë edhe këtë vit, duke premtuar seriozitet dhe përkushtim në mësimdhënie, përkujdesje dhe dashuri për fëmijët, bashkëpunim të vazhdueshëm me prindërit.

Mirëpresim dhe shpresojmë që shumë familje të tjera të afrojnë fëmijët e tyre në bankat e kësaj shkolle, sepse do t’u japin mundësinë fëmijëve të tyre, të njohin e të duan më shumë Shqipërinë dhe të thonë me krenari ”UNË JAM SHQIPTAR”. Me kënaqësi rihapim dyert , më 06 tetor 2013 për festën e hapjes dhe më 07 për orën e parë të mësimit.

Shoqata AssoAlbania

Konsullata e Milanos heq më në fund taksën shtesë të prenotimit

Trembëdhjetë migrantë të vdekur ndërsa përpiqeshin të arrinin me not bregun