Protagonisti i kësaj ngjarjeje të pazakontë një emigrant 42 vjeçar rezident në provincën e Sienës. Justifikohet thjesht: “Doja të kurohesha në Itali”
Romë, 24 dhjetor 2012 – Një odise e çuditshme ajo e shqiptarit 42 vjeç që ka mbërritur në orën një të natës (duke gdhirë 23 dhjetori) në spitalin e Perugias, ku është operuar me urgjencë sepse kishte marrë tre plumba në gjurin e djathtë. Nuk vinte nga ndonjë lokalitet italian por drejtpërdrejt nga Shqipëria, ku me një ambulancë private ishte imbarkuar në një traget për Bari e, me të zbarkuar këtu, ka vazhduar rrugën për në Perugia. Nga spitali është lajmëruar menjëherë kazerma më e afërt e karabinierëve që në bashkëpunim me Interpolin e forcat e rendit në Shqipëri duan të zbardhin ngjarjen.
Mbërritja në spital
Rreth orës 1 të natës së shkuar një ambulancë me targa shqiptare ka tërhequr vëmendjen teksa i është drejtuar gjithë shpejtësi repartit të Ndihmës së Shpejtë të spitalit Santa Maria della Misericordia. Transportonte një shqiptar 42 vjeç, rezident i rregullt në provincën e Sienës, siç dëshmojnë dokumentet e tij. Mjekët e çojnë menjëherë në sallën e operacionit ku e operojnë menjëherë në gjurin e djathtë dhe i nxjerrin edhe gëzhojën e një plumbi të kalibrit 9. Ndërsa 42 vjeçari është akoma nën anestezi, spitali ka lajmëruar menjëherë karabinierët, siç bëhet gjithnjë kur paraqitet në spital një i plagosur me armë zjarri.
Plagosja në një bar të Durrësit
I shtruar në spital për të shmangur ndonjë komplikim të mundshëm pas operacionit, 42-vjeçari është marrë në pyetje sapo është zgjuar. Karabinierëve u tregon se më 20 dhjetor është plagosur me armë zjarri gjatë një sherri që ka plasur në një bar në qarkun e Durrësit. Është çuar në një spital të zonës ku ka marrë ndihmën e parë, por të nesërmen ka dalë prej aty sepse dëshironte të kurohej në një spital italian. Kështu, merr një autoambulancë private me qira, dhe me të imbarkohet në një traget për Bari. Më 22 dhjetor mbërrin në brigjet italiane, dhe drejtohet për në spitalin e Perugias, sepse e njihte për famën e mirë të personelit mjekësor.
Verifikimet për zbardhjen e rastit
Karabinierët kanë sekuestruar gëzhojën e nxjerrë nga gjuri i 42 vjeçarit dhe kanë marrë kontakt me interpolin e palën shqiptare për verifikimin e fjalëve të të plagosurit.
Sipas verifikimeve të para mbi vulat e hyrjes në pasaportë dhe me policinë e kufirit të Barit duket se ai ka hyrë vërtet në Itali ditën që thotë, sa për plagën, edhe mjekët konfirmojnë që mund të jetë plagosur pikërisht kur thotë ai, më 20 dhjetor.