in

Politika feston (e ndarë) marrjen e statusit

Marrja e statusit të vendit kandidat në BE nuk ka mundur të bashkojë klasën politike shqiptare që ka festuar e ndarë: në Pallatin e Brigadave, festa e organizuar nga Qeveria ku ishin të ftuar të gjithë, por të cilës Lulzim Basha iu përgjigj me një tjetër festë, thuajse në të njëjtën orë, pranë Liqenit artificial. Presidenti i republikës Bujar Nishani ka vendosur të festojë të hënën

Me rastin e marrjes së statusit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, u zhvillua ditën e shtunë, në Pallatin e Brigadave, kremtimi i festës gjithëshqiptare, të cilës i parapriu koncerti me pjesë të zgjedhura muzikore dhe me pas himni kombëtarë.

Në këtë festë morën pjesë përfaqësues të lartë të Shtetit e politikës si, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ministra të qeverisë, kryetari i AKR-së Bexhet Pacolli, njërëz të artit dhe kulturës, përfaqësues të mediave, diplomatë të huaj të akredituar në Tiranë.

E gjithnjë për festimin e marrjes së statusit të vendit kandidat në BE, Bashkia e Tiranës organizoi pasditen e të shtunës një koncert festiv, pranë Liqenit Artificial në Tiranë. Kështu, kryetari i PD-së Lulzim Basha dhe ish kryeministri Sali Berisha bojkotuan ftesën e qeverisë për të festuar të gjithë bashkë në Pallat të Brigadave.

As Presidenti i Republikës Bujar Nishani nuk ka marrë pjesë në festimet zyrtare.  Ai ka paralajmëruar se do të mbajë një pritje ditën e hënë, kur në Tiranë do të vijë për një vizitë zyrtare presidenti i Komisionit Evropian Joze Manuel Barroso.

Rama: Shqiptarët, besimtarët më të bindur të Evropës në Ballkan

“Shqipëria nuk është një vend mysliman, por një vend evropian”, deklaroi mbrëmjen e të shtunës, Kryeministri Edi Rama ndërsa e ka nisur fjalën e tij në aktivitetin festiv në Pallatin e Brigadave me rastin e marrjes së statusit, duke uruar të gjithë besimtarët myslimanë për muajin e Ramazanit.

Në fjalën e tij, Rama tha se “Shqipëria nuk ka vuajtur pak, prej të vështruarit dhe të treguarit të saj si vend mysliman, në ekranet dhe gazetat perëndimore të kontinentit tonë pa llogaritur këtu evropianët antievropianë, të cilët prej vitesh i kanë kthyer myslimanët në gogolë për të ushqyer frikën në barkun e zgjedhësve të tyre të çoroditur”.

Rama vijoi duke theksuar se “shqiptarët, kanë qenë dhe mbeten besimtarët më të bindur të Evropës në Ballkan ashtu sikundër jemi të tërë si shqiptarë aleatë strategjikë dhe të palëkundur të SHBA-ve dhe BE-së në këtë rajon, ku Shqipëria nuk ka pushuar së qeni asnjë çast një faktor paqeje e stabiliteti”.

“E nëse BE, nuk do të shohë sot Ballkanin si një pjesë të Evropës e cila ka nevojë për BE po aq sa BE ka nevojë për të”, u shpreh Rama “e nesërmja mund të na rezervojë një rikthim fatal të të shkuarës pa paqe dhe me pasoja që nuk mund as t’i imagjinojmë dot sot”.

“Është bërë thuajse si ato reflekset e kushtëzuara të qenit të Pavlovit nëpër Evropë, që Shqipëria dhe shqiptarët, por edhe Kosova pasi u bë shtet më vete, të asociohen me krimin e organizuar dhe me korrupsionin. Çka ka marrë përmasat e një legjende urbane evropiane, në dëm të emrit tonë. Nuk ka asnjë pikë dyshimi se krimi e korrupsioni janë probleme të rënda për ne, si për çdo vend me zhvillim të vonuar, ku shteti është larg së qeni garanti i funksionimit shoqëror dhe drejtësia është larg së qeni drejtësi, por zhbërja e atij refleksi të kushtëzuar që lidh emrin e Shqipërisë, të Kosovës, të shqiptarit si etni, me këto sëmundje turpëruese për një shoqëri dhe një vend, a thua se kjo tokë është vendlindja e krimit dhe korrupsionit global, duhet të jetë prioriteti i gjithkujt ndër ne. Prioritet jo vetëm i qeverisë, parlamentit, politikës, por i mbarë shoqërisë. Dhe jo vetëm duke e luftuar krimin dhe korrupsionin me një vendosmëri të hekurt, por gjithashtu duke argumentuar me forcë dhe me dinjitet, në çdo ballafaqim me këtë psikologji e sjellje të vjetër ndaj shqiptarëve, se Shqipëria e shqiptarët meritojnë shumë më tepër respekt” theksoi Rama.

Më tej, Kryeministri shqiptar nënvizoi se procesi i integrimit do të mbushë boshllëqet për të siguruar funksionimin e shtetit sipas standardeve evropiane, e si i tillë, ky proces është një instrument unikal modernizimi dhe përparimi.

“Ndaj të harrojmë çdo iluzion se në këtë proces do na fal ndonjë gjë, dhe përpara kemi një të përpjetë të lartë që askush nuk do të na hedhë ndonjë litar për të na tërhequr në majë. Kjo s’mund të ndryshojë dhe nuk është as në interesin tonë që të ndryshojë. Se do ishte sikur të na jepte BE ndonjë diplomë, që s’do kishte vlerë”, deklaroi Rama.

Ai shtoi më tej se pjesë e axhendës tonë diplomatike duhet të jetë edhe intensifikimi i marrëdhënieve me rajonin dhe rritja e rolit të saj në rajon dhe boshti strategjik do të mbetet përparimi i vazhdueshëm në marrëdhënive të  gjithanshme me Kosovën.

“Ne besojmë se krijimi i një vetëdijeje të plotë të Bashkimit Evropian, si detyra të shtëpisë, janë vetëm njëra anë e medaljes. Kjo përbën një domosdoshmëri, jo vetëm për fatin, por krijimi i kësaj vetëdije. Këtu më lejoni të qëndrojë tek ana jonë e medaljes, ne kemi humbur shumë kohë. Kemi mbajtur shumë rraqe të vjetra, dhe kështu kemi lënë shumë boshllëk mes Evropës, rajonit dhe vetes”, deklaroi Kryeministri Rama.

“Por pa zgjedhjet e lira të 23 qershorit, pa drejtimin e ri dhe si asnjëherë, me sensin kushtetues të të qëndruarit mbi palët, nga Kryetari ynë i Kuvendit, pa nëntë muajt e punës intensive të qeverisjes sonë të re, rezultatet e duartrokitura botërisht si mbresëlënëse dhe dinamikën krejt të re të politikës sonë të jashtme, Shqipëria nuk do e kishte marrë dot kurrë, këtë javë, statusin e refuzuar disa herë rresht. Por s’ka dyshim se rruga, përpjekjet dhe rezultatet, për të mbërritur në këtë stacion kaq të rëndësishëm për vendin dhe për popullin tonë, nuk përmblidhen kurrsesi në këta nëntë muaj”. (Fjalimi i plotë i kryeministrit)

Gjosha: T’i çojmë deri në fund reformat e nisura për vendin

“Sot ndihem mirë, që jam pjesë e një momenti historik, jo vetëm si përfaqësuese e këtij kabineti, por dhe si përfaqësuese e këti kabineti që ka punuar me vullnetin të palëkundur për plotësimin e këtij pririoriteti Kombëtare” u shpreh në fjalën e hapjes, ministrja e Integrimit Evropin, Klajda Gjosha.
“Procesi i integrimit – tha Gjosha – nuk përfundon me marrjen e statusit kandidat. Përkundrazi, kemi ende rrugë të gjatë, madje të vështirë për të shkuar me sukses në destinacionin tonë final. Marrja e statusit, mbylli një etapë me përgjegjësi madhore, por kjo duhet të shihet nga të gjithë ne, si një shtysë motivuese. Procesi i integrimit evropian nuk e njeh gjuhën e përjashtimit, ka nevojë për të gjithë ne. Sepse, Evropën nuk do të na e dhurojë askush. Duhet ta ndërtojmë brenda vetës. Me marrjen e statusit të vendit kandidat, Shqipëria, ia doli të fitojë një betejë më vete, tani nuk duhet të ulim ritmin se beteja jonë vazhdon”.

Bushati: Pas statusit, përgjegjësi e jona që të përmbushim detyrat

“Përgjegjësia e Shqipërisë, pas marrjes së statusit të vendit kandidat është të përmbushë detyrat që e presin për të nisur negociatat për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian” deklaroi ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.

Gjatë fjalës përshëndetëse në ceremoninë festive, Bushati tha se “dhënia e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë është një lajm i mirë për Ballkanin perëndimor. Sfidat me të cilat është përballur Ballkani janë më të vështira se ato që përballet zgjerimi.

Meta: Të bashkëpunojmë për të fituar kohën

“Për në shqiptarët dielli lind nga perëndimi” deklaroi Kryetari i Kuvendit Ilir Meta që shtoi se rruga drejt anëtarësimit “do të jetë e vështirë, por jo e pamundur që të bëhemi pjesë e BE”.

“Për ne shqiptarët dielli lind nga perëndimi. Kjo është thënë në mënyrë profetike që në periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare. Kjo besoj u tha edhe këto ditë me vendimin më të fundit që u mor në mbledhjen e Ministrave të Jashtëm, por edhe në Samitin e Krerëve të Bashkimit Evropian. Natyrisht që kemi hyrë në një fazë të re të kërkesave më të larta, të standardeve më të larta, që do të thotë pikërisht sikurse u shpreh edhe përfaqësuesi i delegacionit të Komisionit Evropian sot, një dyfishim i përpjekjeve për të gjithë ne, të qeverisë, të opozitës, të Kuvendit, të institucioneve të pavarura, të shoqërisë civile, të gjithë grupeve të interesit, në mënyrë që të mos vonohemi më për të arritur drejt destinacionit tonë kryesor, anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin e Evropian. Do të jetë e vështirë, por jo e pamundur, siç nuk ishte e pamundur edhe meritimi i madh pas shumë përpjekjesh dhe vështirësish të statusit të vendit kandidat”, tha  Meta.

Meta apeloi edhe njëherë tjetër për një bashkëpunim më të ngushtë për të fituar kohën, për të ecur më shpejt drejt realizimit të kësaj sfide madhore, që është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ambasadori BE, Clive Rumbold: Shqipëria duhet të dyfishojë përpjekjet për të përmbushur reformat

“Dhënia e statusit kandidat është një akt i rëndësishëm për popullin shqiptarë dhe mbi të gjitha është një njohje e punës së merituar të bërë nga Shqipëria dhe për progresin që ka arritur. – tha në fjalën e tij Ambasadori i Bashkimit Evropian, Clive Rumbold, – Do të doja të përgëzoja qeverinë, institucionet shtetërore, shoqërinë civile për kontributin e tyre. Janë dashur vite punë nga të gjithë aktorët për të arritur deri këtu, besoj se njohja është një inkurajim i fortë për të vazhduar në vazhdimësi”.
“Shqipëria ka një axhendë të qartë për periudhën në vazhdimt. Janë pesë prioritete të qarta që duhet të përmbushen dhe të trajtohen në mënyrë që BE, t’ju njohë për antarësimin në Bashkimin Evropian. Shqipëria duhet të dyfishojë përpjekjet për të përmbushur reformat, si ajo në gjyqësor, administratë publike apo si dhe lufta ndaj krimit të organizuar. Të qenit një hap më pranë Bashkimit Evropian është një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Shqipëria duhet të konsolidojë arritjet e deritanishme dhe të përballojë sfidat e reja me më shumë forcë dhe energji” u shpreh zambasadori.
“Arritjet e standardeve të BE-së do të përmirësojnë jetesën e shqiptarëve – ka vazhduar ambasadori – BE është partner i besueshëm dhe do t’ju mbështesë gjithnjë në rrugën tuaj drejt anëtarësimit”.

Basha: Qytetarët shqiptarë do të dinë të ruajnë standardet evropiane

Me rastin e marrjes së statusit të vendit kandidat në BE, Bashkia e Tiranës nuk iu bashkua pritjes së organizuar nga Qeveria por organizoi pasditën e të shtunës një koncert festiv, pranë Liqenit Artificial në Tiranë, ku morën pjesë edhe deputetë të opozitës e ish ministra, mes të cilëve edhe Sali Berisha.

Në fjalën e tij, Kryetari i Partisë Demokratike dhe Kryetari i Bashkisë të Tiranës Lulzim Basha tha se “rruga nuk ka mbaruar, një pjesë e rëndësishme e saj është para nesh. Por ne e dime se për vlerat që përfaqëson Evropa sot, ka një pjesë të madhe të qytetarve shqiptare që kanë treguar me vepra dhe jo me fjalë se kanë berë dhe do të bëjnë gjithçka për të ruajtur këto standarde, për të mos i cënuar por për t’i çuar përpara”.

“Ky koncert domethënës është falënderim për të gjithë ata që u flijuan për të kombin tonë. I dedikohet shumicës dërrmuese të shqiptarëve, atyre që sakrifikuan interesat e ngushta personale për një interes kombëtar, çdokujt që nuk u ndal për të bërë pjesën e tij apo të saj. Kemi midis nesh shumë prej tyre, njëri prej tyre është dhe ish-Kryeministri Sali Berisha, pasi ka një meritë të veçantë”, tha gjatë fjalës së tij Basha. “Në emër të Shqipërisë, në emër të lirisë, vizionit të saj, të së ardhmes së Kombit tonë. Ju uroj ta shijoni këtë ngjarje, ju që jeni të pranishëm, ata që s’kanë patur mundësi të vine,  apo ata që janë ndaluar të vijnë të gëzojmë të gjithë së bashku”, përfundoi Kryebashkiaku Basha.

 

Nis muaji i Ramazanit edhe për 1,7 milionë myslimanët në Itali

Migranti, 30 morti su un barcone. Sindaco di Pozzallo: Non sappiamo dove mettere i cadaveri