in

Porti Cittadini. Culture in Crescita tra Italia e Albania

Të shtunën më 12 qershor 2010, nga ora 10.00
Në Centro Studi Ferrari, Palazzo Europa
via Emilia Ovest 101,
Modena
Programi në pdf

 

albanews_porticittadini.gifPorti cittadini” është një veprimtari e shumanshme që do mbahet të shtunën më datë 12 qershor në qytetin e Modena-s, në Itali. Fillon në ora 10.00 me konferenca e vazhdon deri në mesnate me koncerte.


10.00-14.00
Tema e paradites është ajo e gazetave të huaja. Italia ka njohur një emigrim të ashpër, i cili natyrisht, është trajtuar nga gazetat e mëdha e nga politika  me mënyra të ndryshme. Shumë prej nesh mendojnë që mënyra se si këta e kanë trajtuar problemin e emigrimit nuk është i saktë. Që shpesh herë kanë krijuar një imazh të Shqipërisë e të shqiptarëve që nuk i përkon realitetit. Pra kemi mendime të ndryshme.
Tani, ka ndodhur që disa djem shqiptarë një ditë kishin dy zgjedhje : të uleshin në një bar, të porosisnin dy kafe e të shanin  ata që i shanin apo, të çoheshin e të hapnin një gazetë online. Bënë të dytën. Gazeta quhet www.albanianews.it. Në këto vite kjo gazetë është bërë e rëndësishme për komunitetin shqiptar e jo vetëm. Një ditë kanë takuar ca gazeta të tjera. Marokenë, amerikano-latinë, kinezë, afrikanë. Kanë themeluar diçka që quhet M.I.E.R që është një tip konfederate.
Konfederata përmbledh shumë gazeta, radio, televizione bërë prej të huajve, ka edhe një peshë politike e arrin të përhapi zërin e saj kudo. Flitet për këtë pra. Flitet për gazetat që flasin për të huajt e gazetat në të cilat flasin të huajt. Flitet për faktin që shpesh herë të huajt përdoren si monedhë shkëmbimi për të rritur urrejtjen e për të korrur ndonjë votë. Kjo gjë, mendojmë ne, është gjë e keqe e nuk duhet bërë. Mendojmë se gazetat kanë një detyrë, e është ajo që të tregojnë të vërtetën. Pjesa e paradites pra flet për këtë. Do marrin pjesë drejtorët e gazetave lokale, përfaqësues të krahinës Emilia Romagna (Italia është e ndarë në 20 krahina të cilat kanë një farë autonomie, Emilia Romagna është një nga këto e përfshin qytet si Bologna, Modena, Ferrara, Forli e Parma), përfaqësues të bashkisë së qytetit të Modena-s, gazetarë free lance, politikanë.
Giovanni Armillotta është një nga ata persona për të cilët pasioni për Shqipërinë nuk është një hobi me të cilin të mburret me miqtë nëpër darka. Është një nga ata që për Shqipërinë (e për sportin shqiptar) di me shumë gjëra se sa federata jonë shumëzuar për 100. Nëse nuk më besoni lexoni vete. Do na tregojë për historinë e gazetave shqiptare në Itali, histori që ka rrënjë në vitet 30 e shkon deri në ditët tona.

17.00 – 20.00
Pasditja ka karakter tërësisht letrar. Janë të ftuar shkrimtare italianë, quhen Antonio Caiazza, Serena Luciani, Paolo Muner. Për  kuriozitet a për punë, kanë jetuar në Shqipëri në vitet 80 e në fillimet e viteve 90. Kanë parë një Shqipëri tjetër nga ajo që kemi parë ne, jo me të mirë a më të keqe, thjesht tjetër. Thonë që Shqipëria ka rënë në dashuri me ta e ata kanë rënë në dashuri me Shqipërinë e kjo u ka ndryshuar jetën. Duan të tregojnë për këtë dashuri.

Por s’janë vetëm ata, sepse të tregonim një Shqipëri të parë nga sytë e të huajve do tregonim një Shqipëri të cunguar. Kemi fatin e privilegjin të kemi me ne edhe zotin Visar Zhiti. Poetin, shkrimtarin, intelektualin, njeriun. Edhe ai ka parë një Shqipëri tjetër, edhe ai do na tregoje për të. Ju duket pak?  

20.30-24.00
Këndohet përsëri për Shqipërinë. Në raste të tilla muzika është pak problem. Italia është mbushur plot me grupe që deri pardje bënin reggea, dje bënin punk e sot papritmas janë pushtuar nga muzika ballkanike e i kanë shtuar një fizarmonike grupit. Jo se ka ndonjë gjë të keqe të kjo, jo. Nuk ka as ndonjë gjë të keqe tek këngëtari/këngëtarja e radhës që këndon në playback këngë të tipit “ O të guri që bën xixa…” apo “ E faja ra prej fiku…” duke thënë here pas here “Opa…hajde çuna…
Thjesht ne s’e bëjmë, se kemi bere. Kemi ftuar një grup arbëresh që quhet Peppa Marriti Band. Janë djem që kanë formuar grupin në vitin 1991 e prej gati 20 vitesh përcjellin rokun me të pastër që njohin duke e ndërthurur me gjakun e me historinë e tyre.
Përveç tyre këndon edhe Linda Rukaj (Linda në botën e Çudirave ) , një zë ndryshe e i pavarur në panoramën shqiptare. Na behet qejfi që e kemi në veshje soliste. Një vajzë, një kitarë akustike, një skenë, ca këngë. Gjera të thjeshta, sepse gjerat s’kanë nevoje të jenë të komplikuara.


albanianews-lungo.jpg

Veprimtaria organizohet kryesisht nga djemtë që merren me AlbaniaNews.it, me ndihmën e një sponsori, që në këtë rast është www.postemobile.it. Janë Olti Buzi, Manfred Bushi, Alban Trungu, Migena Proi, Ismail Ademi, Darien Levani me ndihmën e Nicola Marinit

Edhe ti mund të bësh diçka, nëse do të ndihmosh organizuesit, pa humbur më shumë se 5 minuta. Shkarko programin . Ndaje në Facebook. Fto miqtë e tu. Dhe më 12 qershor, nëse ke një vend bosh në makinën tende, merr edhe një shok me vete.

 

 

Pasaportat biometrike do të bëhen edhe në ambasadë apo konsullata

“Këndi mesdhetar” i Alfred Milot Mirashit zbret në Sirakuzë