in

Postat Italiane nxjerrin në shitje apartamentet e tyre por jo për emigrantët

Shoqëria Poste Italiane SpA merr  prej emigrantëve  12,5 milionë euro në vit me mbledhjen e kërkesave për lejeqëndrimet, por tani që nxjerr në ankand disa apartamente që ka në pronësi, i përjashton ata nga mundësia e blerjes

Romë, 11 korrik 2011 – Kohët e fundit, shoqëria Poste Italiane ka nxjerrë në shitje disa apartamente që ka në pronësi në Brescia, Ferrara, Novara, Taranto, Vercelli e Verona. Shitja bëhet përmes një ankandi rregullat e të cilit janë botuar në faqet internet zyrtare të Postave. Ajo që bie në sy në rregulloren e ankandit është përjashtimi i të huajve, pasi në pikën 3 të rregullores shkruhet shprehimisht që në ankand marrin pjesë vetëm shtetas italianë.

Një diskriminim i tillë është i papranueshëm,  por edhe paradoksal kur vjen nga një shoqëri që vitet e fundit ka bërë jo pak parà nga të huajt e qëndrim dhe lejeqëndrim në Itali. Nga 6 nëntori i vitit 2006, falë konvencionit me ministrinë e Brendshme, ajo mbledh kërkesat që të huajt paraqesin për lejeqëndrimin e parë dhe përtëritjen e tij, kundrejt një pagese prej 30 eurosh për këtë shërbim. Meqë sipas të dhënave të ministrisë nga ajo datë deri në fund të vitit 2010, janë kërkuar mbi 1 milion e 670 mijë leje qëndrimi, Postat kanë marrë nga të huajt mbi 50 milionë euro. E pra, të huajt janë ndër klientët më “të mirë” të postave, ndaj diskriminimi është i pashpjegueshëm.

Për më tepër, shkel normat ligjore: neni 9 i dekretit legjislativ 286/98, parashikon që “shtetasit e vendeve jo anëtare të BE-së me lejeqëndrimi kanë të drejtë – veç të tjerash – të përfitojnë të mira e shërbime në dispozicion të publikut, përfshirë mundësinë e pjesëmarrjes në procedurat për marrjen e strehimeve të ndërtimeve rezidenciale publike…”.

Për këto arsye Cgil e Brescias dhe Asgi, shoqata e studimeve juridike mbi imigracionin, kanë paraqitur kërkesë të dyfishtë,njërën shoqërisë Poste Italiane dhe tjetrën UNAR-it, Zyrës kombëtare kundër diskriminimit racial, me të cilën akuzojnë Postat për “akt diskriminator”. Shoqërisë Poste Italiane i kërkohet të ndërrojë sa më shpejt rregulloren e pjesëmarrjes në ankand, duke përfshirë mes blerësve të mundshëm edhe emigrantët.

Nëse rregullorja nuk ndryshohet, Asgi e Cgil, premtojnë të ndjekin këtë çështje në rrugë legale.

Të rinjtë shqiptarë të Torinos sjellin në Bra humorin e “Pallatit 176”

I dëbuar me emër të rremë. Do të ketë probleme për lejen e qëndrimit?