in

Praktikë pune pranë Ambasadës së Shqipërisë në Romë

Një mundësi për të rinj shqiptarë për të punuar për disa muaj krah diplomatëve shqiptarë në Romë, punë që mund t’u njihet nga universiteti si periudhë stazhi

Romë, 28 prill 2014 – Prej disa javësh, në faqet online të Ambasadës së Shqipërisë në Romë është botuar lajmërimi se të rinjtë shqiptarë mund të bëjnë disa muaj praktikë pranë zyrës konsullore dhe zyrave të tjera të Ambasadës sipas nevojave të saj.

Edhe më parë të rinj studentë shqiptarë kanë qenë të pranishëm në zyrat e saj e mesa duket kjo praktikë ka qenë e frytshme si për ambasadën, ashtu edhe për të rinjtë. Sepse nëse nga njëra anë Ambasada, gjithnjë me personel të kufizuar, vazhdon të mbështetet në “ndihmesën” e këtyre të rinjve, nga ana tjetër, këta të fundit bëjnë një stazh pranë një administrate publike të vendit të tyre, që u siguron edhe fitimin e disa krediteve për studimet e tyre universitare.

Për të mësuar diçka më shumë, i drejtuam disa pyetje Ambasadës sonë në Romë rreth kësaj periudhe stazhi që të rinjtë shqiptarë mund të kryejnë pranë saj. Ja si u përgjigj për Shqiptariiitalise.com, Këshilltarja Donika Hoxha që mbulon Marrëdhëniet kulturore, Emigracionin dhe Shtypin.

A keni në këtë moment të rinj që po bëjnë praktikë në zyrën konsullore apo zyra të tjera të ambasadës? 

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Romë, me një vëmendje të veçantë ndaj komunitetit shqiptar në Itali, e sidomos ndaj brezit të ri që studion këtu, ka ofruar vazhdimisht mundësinë e praktikës pranë zyrave të saj për studentët shqiptarë që studiojnë në institucionet universitare italiane.
Edhe në këtë moment, dy studente po kryejnë një praktikë të tillë pranë zyrave tona. Në përputhje edhe me programin e Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare për rekrutimin e praktikantëve (shih http://www.punetejashtme.gov.al/al/kontakte/mundesi-punesimi), Ambasada jonë pranon kandidatura të studentëve dhe është e hapur ndaj mundësive për të bërë praktikë në zyrat e saj.

A vlen kjo praktikë për të rinj universitarë, në mënyrë që t’u njihen të ashtuquajturat “kredite”?

Sigurisht që në varësi të rregullores së secilit universitet, praktika është e vlefshme për të fituar të ashtuquajturat “kredite”. Deri më sot, të gjithë studentët që kanë kryer praktikën pranë zyrave tona janë pajisur me një “certifikatë” në të cilën përcaktohet qartë periudha kohore dhe zyrat në të cilat praktikanti/praktikantja ka asistuar në punën e përditshme të diplomatëve, e vlefshme për dhënien e “krediteve” të përcaktuara në programin mësimor.

Ç’kritere duhet të përmbushin këta të rinj? Ç’studime duhet të kenë bërë për të bërë praktikë pranë Ambasadës?

Njohja e gjuhës shqipe është një kërkesë e domosdoshme për kryerjen e praktikës pranë nesh. Studentët e paraqitur deri më sot kanë qenë kryesisht studentë të Fakultetit të Shkencave Politike, me drejtim marrëdhëniet ndërkombëtare. Por, ky fakt nuk është përjashtues për studentë të degëve të tjera, si: ekonomi, histori, gjuhë dhe kulturë e huaj etj., të cilat kanë në kurrikulat e tyre edhe drejtimin ndërkombëtar. Është e rëndësishme që studentët të jenë të pajisur me rekomandim dhe autorizim të tutorit të kursit të tyre, në mënyrë që praktika të jetë sa më mirë e gërshetuar me studimet që ata kryejnë.

Çfarë pune do të kryejne (apo kanë kryer)? Në ç’aspekt ka më shumë nevojë konsullata/ambasada?

Studentët asistojnë diplomatët në punën e tyre të përditshme dhe kështu njihen me praktikat e ndryshme që procedohen çdo ditë në një Ambasadë, në të gjitha zyrat e saj.
Pranë zyrës konsullore, ata mund të mbledhin edhe kërkesat e qytetarëve në sportel, dhe më vonë të asistojnë në punën e konsullit, në përpilimin e dokumenteve konsullore. Në këtë mënyrë, ata njihen jo vetëm me praktikat konsullore po edhe me bazën ligjore apo konventat ndërkombëtare të cilat rregullojnë këtë aktivitet. Gjithashtu, ata njihen me të tjera praktika në zyrat e Ambasadës siç është sekretaria qendrore, zyra ekonomike, ajo kulturore dhe e shtypit etj.

Sa duhet të zgjasë kjo eksperiencë?

Praktika është kryer në përgjithësi për një periudhë tre-mujore, dhe në këtë periudhë do të vijojë të kryhet, në mënyrë që kjo mundësi t’u jepet sa më shumë studentëve të interesuar.

Lajmërimi i Ambasadës: Mundësi për të bërë praktikë në Ambasadën e RSH-së në Romë

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Dani Alves batte il razzismo 1-0. Mangia la banana che alcuni tifosi gli lanciano per offenderlo

Shoqata Occhio Blu sjell në teatër “Vendi ku nuk vdes kurrë”