in

Prej dhimbjes dhe dashurisë

Në Itali sapo ka dalë në treg La notte è la mia patria / Nata është atdheu im, përmbledhja e fundit me poezi e Visar Zhitit e botuar nga Pazzini. Vëllimi, me parathënie të Ennio Grassi-t , kritik arti, eseist dhe sociolog i letërsisë italiane, është dygjuhësh e përkthimi në gjuhën italiane është i Elio Miracco-s. Në ballinën e librit, piktura “Pa titull” e Atjon Zhitit, djalit të ndjerë të poetit.

PREJ DHËMBJES DHE BUKURISË
– Eseja që hap librin “Nata është atdheu im”, poezi nga Visar Zhiti –
Nga Ennio GRASSI

“Letërsia, si i gjithë arti,
është rrëfimi që jeta nuk mjafton”.
Fernando Pessoa

Në panoramën evropiane, biografia letrare e poetit shqiptar Visar Zhiti, ndër më të mëdhenjtë e kohës tonë, është një gjë e vetme me atë ekzistencialen.

Në fillesë ishte dhëmbja, burim dhe formë së bashku i élan vital*, i ndjekur me çdo çmim, pavarësisht gjithçkaje, për t’u bërë kërkim i pashmangshëm i sensit dhe i pyetjes absolute.

Nëse tekstet e përmbledhjes së parë në italisht, Croce di carne, 1997 (Kryqi prej mishi), pjesë të së cilës u ruajtën në kujtesë nga burgu i ashpër në Gulagët e Enver Hoxhës, i zbuluan lexuesit italian një zë me intensitet të paparë, të endur në dëshminë e një tragjedie individuale dhe kolektive, më pas ato të Confessione senza altari, 2012 (Rrëfim pa altare), paraqitën botën me një vizion të ndërtuar mbi arkitektura leximi të një imagjinate që nuk njeh kanone, nga Esenini te Tsvetaeva e Achmatova, nga Walt Whitman te Borges, nga Montale te Federico Garcia Lorca, forma të një fjale që kërkon portat e jetës në lirinë më absolute.

La notte è la mia patria, 2018 (Nata është atdheu im), kemi poetin që lexon në errësirën e shpirtit, si në një dorë kozmike, shenjat e “agimeve të reja”, copra yjesh që përndezin papritmas, në  shenjën e një shprese të mundëshme, zemrën e territ.

Tre “dhomat” e kësaj përmbledhjeje (Dëshirë yjesh, Ku është jeta?, Kjo ditë e gjithë për të kujtuar) janë të banuara pikërisht nga çështja: britmë, pëshpëritje, venie në skenë të hapësirave, vertikale e vizionare, të pa përshkrueshme ndryshe.

Fjala merr vlerën e një universi tjetër, por asnjëherë jo vetëreferues, aq më tepër i mishëruar fizikisht në emocionet e poetit lutjeplot:

Marr dorën e butë të kësaj mbrëmjeje
e ledhatoj, pastaj e hap
për të parë fatin.
Kjo vijëz e brishtë është rruga,
ku po ecim, që do të na çojë
në agsholet e reja,
andej ku jeta është e gjatë, e gjatë
sa lumenjtë
e diejt dalin nga ujrat
si ëndrrat e arta nga shtrati.
(…)
(nga “Lexoj fatin e mbrëmjes”)

Është sensi i asaj “dëshire yjesh”, që titullon dhomën e parë dhe që, në lutjen e përndritur e shkrirëse ndaj Birit-Atë, e kthen, trans-duce**, në një këngë dhëmbshurie, në dhëmbjen e humbjes: “(…) ikonën e gjallë të fytyrës tënde mbaj/ me aureolën/e shpirtit tim përreth. // Jepma dorën dhe bekomë/ Biri im, Ati im!

Dhe është ndërkohë një këngë-rapsodí së bukurës, jo vetëm si antidotë për dhimbjen, por vetë formë e asaj pyetjes, pikërisht absolutes, e cila vetëm mund të zbulojë gramatikën e jetës dhe nëpërmjet saj edhe të dhënat e një njohjeje të mundëshme.

Në vendet ekstreme të shpirtit të banuar nga fjala, poezia e Zhitit inkorporohet deri sa bëhet botë, univers.

Pyetja (Ku është jeta?) është ende njehsori i dhomës së dytë. Dhjetë tekstet e një requiemi, ku poeti, në dëshirën e një kuptimi të ekzistencës në detin e dhimbjes, kërkon fjalët që thonë një domosdoshmëri jete, pavarësisht nga jeta:

Ku është jeta,
se ndonjëherë më duket se gjendet
jashtë meje dhe bën dhe pa mua?
Po unë a mund të bëj pa jetën
si për t’u hakmarrë?

Një pyetje, pra dialoguese me misterin e humbjes, me non-sensin*** e tij, i njëjti si i Maries, nënës së të Kryqëzuarit, i njëjti mister që ndjell Leopardi në Canto notturno (“Po pse, moj Jetë, /më ngarkon ndërkaq me ato që dot nuk i mban (…)” dhe fjalët “memece” të lutjeshumit të Pyetësorit (Libro delle interrogazioni) të Edmond Jabès.

Fjala ngrihet atëhere, në një epifaní të re, në rilindjen e birit. Dritë e një vullneti të papërmbajtshëm të jetës (“Dua ta gdhënd dritën, / dhe pas vdekjes,”) me forcën e një dëshire që bëhet mermer dhe ujë i bekuar.

Dhoma e tretë (Kjo ditë e gjithë për të kujtuar) hap më së fundi këngën shenjtërore. Në pajtimin e shpirtit me vetë da-sein**** në zërin që bëhet i tërë njësh me arkitekturat vizionare të një bote të përtërirë dhe ku dhëmbja gjen vetë  ngushëllim: “Dhe vjen nata dhe fati im i mbetur/ ndriçon si mermer në errësirë …”

_____________________

 

*) élan vital – fr, forca vitale, impulsi i jetës, term i përdorur nga filozofi francez Henri Bergson në librin e Tij “Kreativ evolution”, princip i krijimit në morfogjenezën e gjerave, komplekse dhe rritëse.

**) trans-duce – lat. të konvertosh diçka në një formë tjetër si energji ose si mesazh, energjinë fizike ta kthesh në një sinjal nervor.

***) non-sens – fr. në filozofinë e gjuhës dhe të shkencës mbart kuptimin e absurdit dhe të komikes, është perdorur nga poetë e romancierët për të shpalosur çështje të gjuhës dhe të arsyetimit.

****) da-sein – gjerm. ka kuptimin e ekzistencës. Haidegger e përdorte si referim të përvojës se te qenit, qe është kaq e veçante, e pazakonte, bizarre te qenies njerëzore.


ENNIO GRASSI

Ennio Grassi është kritik arti, eseist dhe sociolog i letërsisë italiane. Studioi për magjistër në Universitetin e Urbinos dhe u laurua për Letërsi në 1969, më pas për Filozofi, në 1972 dhe sociologji në 1979. Ka dhënë mësime në lece, në universitet Filologjinë Moderne dhe drejton kurse specializimi pasuniversitar.           

Ka punuar këshilltar për kulturën në Komunën e Riminit, ku dhe banon si dhe këshilltar në Ministrinë e Arsimit, kordinator në koperimet me Ballkanin dhe në programet e bashkëpunimit Itali-Shqipëri, ku dhe ka ardhur si diplomat special. Po kështu ka qenë këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Drejtorinë e universiteteve për Shqipërinë dhe Kinën.         

Është zgjedhur tre herë deputet në Parlamentin Italian. Ështe dërguar si vëzhgues ndërkombëtar në zgjedhjet e para demokratike në disa vende.                    

Disa tituj nga vepra e tij:

– Lo scrittore e il potere (Shkrimtari dhe pushteti), 1974
– Sociologia e psicanalisi dell’opera d’arte (Sociologji dhe psikoanalizë e veprës së artit), 1975
– L’antifascismo dell’intelligenza (Antifashizmi i inteligjencës), 1977
Immagini di parole (Imazhe të fjalës), 1982

– I poeti della terra d’Albania, Antologia (Poetët e tokës Shqiptare), me R.Sportelli, In forma di parole”, 2002
– Tirana,genealogia di un ritratto in un esterno, (Tirana, gjenealogji e një portreti nga jashtë),
– La cultura letteraria, in Storia della Chiesa riminese, (Kultura letrare, në historinë e Kishës rimineze), 2015
– Nota al testo (Shënime në tekst), me Manuela Ricci, 2018

Ndërkaq është anëtar i Komitetit Shkencor i “Osservatorio Balcani e Caucaso”, bashkëpunëtor i shumë revistave të njohura, drejton për botuesin “Pazzini” kolanën e poezisë dhe është konsulent i projekteve të arealit ballkanik.

Përktheu dhe pajisi me shënime Ed. Ag.

 

 

 

 

 

 

 

 

Dialogu me Diasporën, ku Prishtina e ku Tirana

Mantova si tinge di rossonero, arriva il Festival della cultura albanese