in

Presidenti Nishani: “Neritan Ceka do të qëndrojë në Romë deri në fund të mandatit”

Ndër ambasadorët e parë për të cilët qeveria Rama kërkoi shkarkimin ishte Neritan Ceka. Për qëndrimin e ambasadorit pas historisë së shkuljes së veshit të birit, apo pse ishte një zgjedhje politike e Berishës? Presidenti Nishani i kthehet kësaj teme në intervistën dhënë për emisionin Fakt

Prej muajsh ka një konflikt të hapur mes qeverisë dhe presidencës lidhur me shkarkimin e ambasadorit shqiptar në Romë, Neritan Ceka. Këtë e ka pohuar vetë presidenti i Republikës Bujar Nishani gjatë një interviste në emisionin “Fakt”. Prej kohësh ministria e Jashtme ka kërkuar largimin e Neritan Cekës dhe presidenca nuk e ka miratuar atë: “E kanë sjellë propozimin pa asnjë justifikim”, është shprehur presidenti Nishani.

Në fakt, për të gjithë të majtët në pushtet, justifikimi dihet: zgjedhja e Cekës në postin e ambasadorit në Romë ishte politike. Por për opozitën e Presidentin e Shqipërisë, kërkesa e shkarkimit ka si shkak qëndrimin e hapur të mbajtur nga Neritan Ceka ndaj Ramës vetëm pak javë para zgjedhjeve të 23 qershorit, pas të famshmit, tashmë, incident të shkuljes së veshit të djalit të tij, nga kryetari i PS-së. Asokohe, ambasadori Ceka iu drejtua me një letër të hapur ish mikut të tij të dikurshëm. Në këtë letër ai u bënte edhe thirrje shqiptarëve se për kë të votonin në 23 qershor.

Rama e Ceka, së bashku kur ishin miq
Pasi i kujtonte kë kapi për veshi: “Një burrë tashmë 37 vjeçar, baba të një fëmije … nipi i Petro Nini Luarasit, i Migjenit, i Hysen Cekës, i Skënder Luarasit, i Hasan Cekës dhe i Neritan Cekës…” ambasadori shkruante edhe “Edi, këtu nuk bëhet më fjalë për socialistë dhe demokratë, por për sojsëzë dhe sojli. Më vjen keq se pushteti të ka tërhequr në anën e tyre dhe çështja nuk është më midis djalit tim dhe teje. Është midis zgjedhjes tënde, i rrethuar nga ish rreshterët e Bllokut dhe pinjollëve të tyre dhe një brezi të tërë shqiptarësh të rritur të lirë në këto 20 vjet, në bangot e universiteteve evropiane, apo shqiptare, apo thjesht në parcelën e tyre të fshatit. Janë njerëz të lirë, por ti je i rrethuar nga skllevër dhe sahanlëpirës. Egini është edhe vëllai i Redonit, i fëmijës që unë kam ngritur para qytetarëve tek ura e Lanës, në ftesën për të mos sulmuar ndërtesat, por për t’iu drejtuar kutive të votimit. Kam të drejtën tani që t’u them atyre se janë përsëri para një dileme. Do t’i ftoj ata mijëra qytetarë që më ndoqën atëherë, por edhe ata qindramijë shqiptarë që ishin me zemër atje, që ta gjykojnë mirë këtë ngjarje. Do t’i ftoj edhe të gjithë sojlitë e Shqipërisë që të kujtojnë përballjen e qytetarit Egin Ceka me partiakun Edi Rama ditën që do të gjykojnë votën e tyre. Shpresoj që ajo të jetë dita e së vërtetës dhe ata të jenë në anën e sojlive”.

Neritan Ceka u bë një nga diplomatët e parë që qeveria e re kërkoi të shkarkonte. Por me sa duket në këtë pikë ajo nuk do të marrë asnjëherë mbështetje nga Presidenti i Republikës. Edhe të premten në “Fakt”, Bujar Nishani ka deklaruar prerë se nuk do ta dekretojë shkarkimin e ish kreut të Aleancës Demokratike. “Nuk ka asnjë motiv për shkarkim, Neritan Ceka do të qëndrojë në Romë deri në fund të mandatit dhe pastaj do të largohet” ka thënë ai.

Nga Lapsi.al

 

3 ottobre 2013. Ricordiamoci dell’Utopia di ieri e di oggi

Vota e emigrantëve, koha për reflektim