Ndër ambasadorët e parë për të cilët qeveria Rama kërkoi shkarkimin ishte Neritan Ceka. Për qëndrimin e ambasadorit pas historisë së shkuljes së veshit të birit, apo pse ishte një zgjedhje politike e Berishës? Presidenti Nishani i kthehet kësaj teme në intervistën dhënë për emisionin Fakt
Prej muajsh ka një konflikt të hapur mes qeverisë dhe presidencës lidhur me shkarkimin e ambasadorit shqiptar në Romë, Neritan Ceka. Këtë e ka pohuar vetë presidenti i Republikës Bujar Nishani gjatë një interviste në emisionin “Fakt”. Prej kohësh ministria e Jashtme ka kërkuar largimin e Neritan Cekës dhe presidenca nuk e ka miratuar atë: “E kanë sjellë propozimin pa asnjë justifikim”, është shprehur presidenti Nishani.
Në fakt, për të gjithë të majtët në pushtet, justifikimi dihet: zgjedhja e Cekës në postin e ambasadorit në Romë ishte politike. Por për opozitën e Presidentin e Shqipërisë, kërkesa e shkarkimit ka si shkak qëndrimin e hapur të mbajtur nga Neritan Ceka ndaj Ramës vetëm pak javë para zgjedhjeve të 23 qershorit, pas të famshmit, tashmë, incident të shkuljes së veshit të djalit të tij, nga kryetari i PS-së. Asokohe, ambasadori Ceka iu drejtua me një letër të hapur ish mikut të tij të dikurshëm. Në këtë letër ai u bënte edhe thirrje shqiptarëve se për kë të votonin në 23 qershor.
Neritan Ceka u bë një nga diplomatët e parë që qeveria e re kërkoi të shkarkonte. Por me sa duket në këtë pikë ajo nuk do të marrë asnjëherë mbështetje nga Presidenti i Republikës. Edhe të premten në “Fakt”, Bujar Nishani ka deklaruar prerë se nuk do ta dekretojë shkarkimin e ish kreut të Aleancës Demokratike. “Nuk ka asnjë motiv për shkarkim, Neritan Ceka do të qëndrojë në Romë deri në fund të mandatit dhe pastaj do të largohet” ka thënë ai.
Nga Lapsi.al