Presidenti kthen në Kuvend ligjin mbi plehrat sepse “duke parashikuar dhe lejuar importin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë jo vetëm nuk mundëson parandalimin ose pakësimin e ndikimeve negative nga krijimi i mbetjeve, por ai shton edhe përdorimin e burimeve të mbetjeve”. Për qeverinë ai po bën një akt të pastër politik
Tiranë, 15 tetor 2011 – Të premten më 14 tetor, presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, i ka kthyer Kuvendit për rishqyrtim, ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” duke argumentuar se ai shkel Kushtetutën. Në arsyet e dhëna Kuvendit mbi kthimin mbrapsht të ligjit, Topi thekson se krijimi i mundësive për importin e mbetjeve bie ndesh me synimin e vetë ligjit për mbrojtjen e mjedisit dhe pakësimin e ndikimeve negative të mbetjeve. Në letrën drejtuar deputetëve, me të cilën ai u shpjegon arsyet e veta të kthimit të ligjit, presidenti shkruan “neni 2, pika 2 e ligjit parashikon se “ligji përcakton rregullat e përgjithshme për menaxhimin e integruar të mbetjeve, përfshirë parandalimin ose pakësimin e ndikimeve negative nga krijimi dhe menaxhimi i tyre, përmes pakësimit të përdorimit të burimeve”. E konsideroj se një dispozitë e tillë është në përputhje me objektivin e krijimit të një mjedisi sa më të shëndetshëm; por, neni 49 i ligjit, duke parashikuar dhe lejuar importin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë jo vetëm që nuk ndihmon në arritjen e këtij qëllimi, pra në parandalimin ose pakësimin e ndikimeve negative nga krijimi i mbetjeve, por ai shton edhe përdorimin e burimeve të mbetjeve. Kjo bën që dy dispozitat të bien në kundërshtim me njëra – tjetrën dhe neni 49, gjithashtu, të kufizojë mundësinë e arritjes së objektivit kushtetues për një mjedis të shëndetshëm”.
Ligji që i hapte rrugë importimit të mbetjeve (veçanërisht nga Italia) u miratua në Kuvend, më 22 shtator me 69 vota pro dhe 55 kundër, por mos dekretimi i ligjit nga ana e Presidentit, kthen edhe njëherë në qendër të vëmendjes këtë çështje.
Përmes zëvendës ministrit të Mjedisit, Taulant Bino, qeveria reagon ndaj vendimit të presidentit për kthimin e ligjit që e konsideron “pengesë për Qeverinë në funksionin e saj ligjor për menaxhimin e mbetjeve sipas standardeve te BE-se”. Madje Bino shkon edhe më tej duke e kritikuar presidentit për njëanshmëri partiake. “Refuzimi nga Presidenti është një e drejtë kushtetuese e tij, por refuzimi në mungesë të argumenteve kushtetuese është padyshim një akt i pastër politik në mbështetje të partisë që ka krijuar, ose që do të krijojë” thotë ai.