in

Presidenti Thaçi merr detyrën

Presidenti i ri i Kosovës, Hashim Thaçi, do të marrë detyrën sot në një ceremoni shtetërore në orën 11:00, në Sheshin Skënderbej të Prishtinës.

Gjatë ceremonisë do bëhet edhe parakalimi i Presidentit të ri Hashim Thaçi dhe Presidentes që ka përfunduar mandatin pesëvjeçar, Atifete Jahjaga, para Gardës së Nderit në shesh, ku është edhe Filharmonia e Kosovës. Simbolika e pranim-dorëzimit të detyrës është një kopje solemne e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dokumentit themeltar i shtetit, që i dorëzohet Presidentit të ri.

Në ceremoni, mes shumë të ftuarve nga vendi e bota, janë përfaqësuesit nga Shqipëria, ndërkohë që kryeministri Edi Rama ka mbërritur që dje në Prishtinë dhe takimin e parë e ka zhvilluar me kryeministrin Isa Mustafa, ku kanë biseduar për bashkëpunimet dhe axhendën e mbledhjes së tretë të dy qeverive, e cila do mbahet këtë vit, pas të parës historike në Prizren në 11 janar 2014 dhe të dytës në Tiranë në 23 mars 2015.

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, pritet të ketë edhe takimin e parë të veçantë me Hashim Thaçin si President i Republikës së Kosovës, ndërsa është pritur edhe nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli e ka zhvilluar edhe takime të tjera, përfshirë tre liderët e opozitës. Të gjitha takimet janë zhvilluar pas seancës solemne të betimit të Presidentit të ri në Kuvendin e Kosovës.

Pas betimit në Kuvend, Hashim Thaçi ka zhvilluar aktivitetet e para si President i Republikës së Kosovës dhe në mbrëmjen e djeshme ka pritur në Presidencë drejtorët politikë dhe ambasadorët e vendeve të Kuintit, të cilët marrin pjesë edhe në ceremoninë e sotme të inaugurimit.

Përfaqësuesit e shteteve të Kuintit e uruan Presidentin Thaçi për marrjen e detyrës së re dhe i shprehën përkrahje në angazhimin e tij për të përshpejtuar integrimin e Kosovës në NATO dhe BE.

Shtetet e Kuintit u përfaqësuan nga ndihmës-sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Yee, nga drejtoresha për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë pranë BE-së, Angelina Eichhorst, pastaj nga drejtoresha për Ballkanin Perëndimor dhe për Zgjerim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Fiona Mcilwham. Gjithashtu, pjesë e këtij takimi ishin edhe i dërguari i posaçëm i MPJ-së gjermane për Evropën Juglindore, Ernst Reichel, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, shefi i zyrës së Bashkimit Evropian për Kosovën, Samuel Zbogar, ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, ambasadorja franceze në Kosovë, Maryse Daviet, si dhe ambasadori italian në Kosovë, Andreas Ferrarese.

Në takim me përfaqësuesit më të lartë të shteteve të Kuintit për rajonin tonë, Presidenti Thaçi theksoi se do të jetë garantues i respektimit të Kushtetutës, funksionimit të institucioneve të shtetit dhe promovues i dialogut ndërpartiak dhe ndëretnik.
“Do të jem garantues i funksionimit të institucioneve të shtetit të Kosovës, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Si president unifikues do të promovojë dialogun ndërpartiak dhe ndëretnik”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se i mirëpret liderët e të gjitha partive politike dhe se do të lehtësojë dialogun dhe komunikimin mes tyre. Presidenti Thaçi theksoi se do të përkrahë fuqizimin e drejtësisë dhe sundimit të së drejtës.

Ndërkohë, sot ka edhe axhenda të tjera takimesh të paralajmëruara. Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan përgjegjës për Çështjet Europiane, Hoyt Yee, në vizitën në Kosovë, pas pjesëmarrjes nga ora 11:00 në ceremoninë e marrjes së detyrës së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, sipas axhendës së dërguar nga Ambasada e SHBA, do ketë takime të veçanta me kryeministrin Isa Mustafa (ora 13:40), me zëvendëskryeministrin Branimir Stojanoviç (14:30), kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli (15:15) dhe me Presidentin Hashim Thaçi (16:00).

Ndërsa njoftimi i dërguar nga Kuvendi i Kosovës bën të ditur se kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, gjatë ditës së sotme pret në takime të veçanta edhe drejtorin e Divizionit për Ballkanin në Ministrinë e Jashtme të Italisë, Andrea Orizio; kryetarin e Kuvendit të Madh Kombëtar të Republikës së Turqisë, İsmail Kahraman; drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor dhe Zgjerim pranë Ministrisë së Jashtme britanike, Fiona Mcilwham. Takimet zhvillohen para dhe pas ceremonisë së inaugurimit të Presidentit të ri të Kosovës, ku do jenë të gjithë së bashku në Sheshin Skënderbe, në të cilin janë bërë të gjitha përgatitjet për t’i pritur rreth 1000 të ftuar. (ATSh)

 

Ndërmjetësuesit kulturorë FAI, dialog me komunitetet e të huajve përmes artit

Borse di studio italiane per giovani albanesi per l’anno accademico 2016/2017