Romani “Brenga ime Shqiptare” i shkruar nga Aldo Renato Terrusi, është historia e familjes së autorit dhe në veçanti e të atit të vdekur burgjeve shqiptare gjatë komunizmit, eshtrat e të cilit, i biri dëshiron t’i gjejë e t’i sjellë në Itali. Libri prezantohet në Romë më 11 nëntor 2013, ora 17, në Campidoglio (Sala piccola Protomoteca) në prani të autorit, të ambasadorit shqiptar në Romë, Neritan Ceka, të ambasadorit Mario Bova dhe të ish presidentit të dhomës së Deputetëve, Gianfranco Fini. Takimi mundësohet nga Ambasada e Shqipërisë në bashkëpunim me përfaqësuesin e komunitetit shqiptar pranë Roma Capitale, Edmond Godo, dhe me redaksinë e “Shqiptarit të Italisë”
Romë, 6 nëntor 2013 – “Ritorno nel paese delle aquile” që tashmë është botuar në gjuhën shqipe nga Instituti i Studimeve te Krimeve dhe pasojave te Komunizmit me titullin “Brenga ime shqiptare”, është libri i Aldo Renato Terrusit me të cilin ai tregon historinë e dhimbshme të familjes dhe atë të kërkimeve të eshtrave të babait, i burgosur nga regjimi në burgun famëkeq të Burrelit ku edhe ndërroi jetë.
Sot Aldo Renato Terrusi është fizikan në pension dhe i paraqet publikut një vepër që udhëton mes gazetarisë, historisë e letërsisë. Ai la lindur në Vlorë në vitin 1945 nga prindër italianë, babai drejtor i Bankës italo-shqiptare në Vlorë, ndërsa e ëma, Aurelia, ishte vendosur me familjen në Gjirokastër. Qyteti i gurtë ka qenë korniza e njohjes së Aurelies me Enver Hoxhën, i dashuruar marrëzisht pas saj dhe i vendosur të fejohej me të. E pikërisht kjo ndjenjë, jo reciproke, sipas autorit ka qenë arsyeja e dramës së familjes së tij. Në vitin 1936 Aurelia zgjodhi shokun e saj të jetës, italianin Giuseppe Terrusi, i cili menjëherë pas përfundimit të Luftës burgoset. Nuk del më nga burgu u Burrelit, ku vdes në vitin 1952.
Nga dokumentet dhe dëshmitë që autori ka mbledhur gjatë rrugëtimit të tij në Shqipëri, në kërkim të gjurmëve të historisë së tij familjare, ai është bindur se akuzat ndaj të atit për vjedhje të pasurisë së popullit dhe burgimi i tij në burgun e Burrelit kanë qenë thjesht një hakmarrje e Enver Hoxhës ndaj gruas që kishte guxuar ta refuzonte. Faqe pas faqeje, përshkrimet e gjalla dhe të imëta, sjellin tek lexuesi Shqipërinë, shqiptarët, zakonet, kulturën, të shkuarën që për shkrimtarin është mjaft e hidhur. Por në libër nuk ka asnjë gjurme mllefi, ka njerëzi e kureshtje për të ditur se si kanë rrjedhur ngjarjet.
Kur Terrusi prezantoi para dy vjetëve “Ritorno nel paese delle aquile”, përkthim i të cilit është “Brenga ime shqiptare” shprehej se dëshironte që librin ta sillte edhe në gjuhën shqipe dhe këtë e realizoi. Por ajo çka është bërë qëllimi i jetës së tij, gjetja e eshtrave të të atit, ende nuk është realizuar. Me gjithë premtimet e shumta nga autoritete të larta shqiptare, me gjithë ndërhyrjen, vitin e shkuar, edhe të Gianfranco Finit, asokohe kryetar i Dhomës së Deputetëve, pranë ish kryeministrit shqiptar Sali Berisha, edhe sot e kësaj dite Aldo Terrusi nuk ka mundur të ketë eshtrat e të atit për të cilin dëshiron vetëm një varr.
Kush dëshiron të dijë më shumë rreth kësaj historie, apo edhe të ketë një kopje të librit “Brenga ime shqiptare”, mund të marrë pjesë në prezantimin që do t’i bëhet në Romë më 11 nëntor 2013, ora 17, në Campidoglio (Sala piccola Protomoteca) në prani të autorit Aldo Terrusi, të ambasadorit shqiptar në Romë, Neritan Ceka, të ambasadorit Mario Bova dhe të ish presidentit të dhomës së Deputetëve, Gianfranco Fini. Takimi është mundësuar nga Ambasada e Shqipërisë në bashkëpunim me Edmond Godo, përfaqësues i komunitetit shqiptar në Bashkinë e kryeqytetit, Roma Capitale, dhe të portalit Shqiptari i Italisë.
Lexo edhe: “Brenga ime shqiptare”. Përtej detit, aty ku lind dielli
Leggi anche: L’odissea di un italiano nato in Albania