in

Priftërinjtë e Përmetit

Dhuna e priftërinjve ortodoksë përmes pengimit të ekzekutimit të një vendimi gjyqësor, që është ligj dhe nuk mund të shkelet për asnjë arsye, dhuna e tyre kundër punonjësve të Policisë si dhe dhuna e përdorur për të rimarrë jo me rrugë ligjore, por me vetëgjyqësi diçka që me dokumente i takon shtetit shqiptar, tregon se nuk kemi të bëjmë me besimtarë dhe me priftërinj ortodoksë, por me një bandë kriminale që duhet ndëshkuar rëndë
Nga Idajet BEQIRI

Ajo çka ngjau në Përmet me klerikët e kishës ortodokse është ngjarja më e paprecedentë, e cila e komprometon rëndë misionin e Kishës. Madje kjo ngjarje komprometon shumë rëndë shtetin dhe Diplomacinë greke, të cilët bënë një ndërhyrje që është diametralisht e kundërt me principet e qytetërimit europian të një shteti të mirëfilltë ligjor dhe të një diplomacie serioze. Problemi i ambienteve të Pallatit të Kulturës në Përmet është një problem i mirëfilltë ligjor. Ka vite që është krijuar një mosmarrëveshje pronësie: Kisha ortodokse pretendon se Pallati i Kulturës dhe trualli ku qëndron ky objekt janë prona të kishës.

Sikundër kemi anën tjetër, atë të shtetit shqiptar, i cili pretendon se kjo pronë është publike, sepse mbi këtë truall shteti ka ndërtuar një pallat kulture, i cili u shërben interesave të të gjithë qytetarëve të Përmetit. Konflikti i krijuar, meqenëse ka karakter juridik, e vetmja rrugëzgjidhje e tij është që palët e interesuara t’i drejtohen gjykatës.

Pallati i Kulturës në Përmet është pronë publike nën administrimin e Bashkisë së Përmetit. Kjo Bashki ka fituar betejën juridike me kishën, dhe Gjykata ka dhënë një vendim gjyqësor të formës së prerë me anën e të cilit i kërkohet kishës të lirojë të gjitha ambientet e Pallatit të Kulturës. Kisha i ka pasur të gjitha instrumentet juridike të paraqiste pretendimet dhe ankesat e veta në gjyq. I ka paraqitur ato në të gjitha shkallët e gjykimit. Gjykatat e Shkallës së Parë dhe të Apelit i kanë konsideruar antiligjore të gjitha pretendimet e kishës. Në këto kushte, vendimi gjyqësor sipas koncepteve të një shteti juridik ka tashmë fuqinë e ligjit dhe zbatohet pa ekuivok.

Veprimet e zyrës përmbarimore dhe të policisë për të ekzekutuar këtë vendim gjyqësor janë të drejta dhe në përputhje të plotë me ligjin. Kundërshtimi që kanë bërë priftërinjtë ortodoksë kundër veprimeve të ligjshme të përmbaruesit gjyqësor ditën që është ekzekutuar ky vendim gjyqësor, është vepër penale. Janë me dhjetëra e dhjetëra raste në Shqipëri që veprime të tilla, si ky i kryer nga priftërinjtë ortodoksë në Përmet, janë dënuar penalisht për pengim në ekzekutimin e vendimit gjyqësor. Pra, pengimi i ekzekutimit të një vendimi gjyqësor është vepër penale e parashikuar në nenin 320 të Kodit Penal dhe dënohet deri në dy vjet burg.

Nëse priftërinjtë kanë bindjen se e drejta është me ta, rruga e vetme që zgjidhet në një vend të qytetëruar ku funksionon shteti ligjor, është kundërshtimi në gjykatë i veprimeve përmbarimore. Rruga e “rezistencës” prej priftërinjve quhet dhunë kundër organit që ka për detyrë ligjore të zbatojë vendimet gjyqësore, për rrjedhojë, të penalizon. Në këto kushte, priftërinjtë duhen denoncuar për kryerjen e krimit të pengimit në ekzekutimin e një vendimi gjyqësor.

Ndërsa akti tjetër i priftërinjve, të cilët përmes krimit të vetëgjyqësisë kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë Bashkiake dhe janë futur në Pallatin e Kulturës duke e zaptuar atë me forcë, është një akt tjetër i pashembullt. Madje deklaratat e priftërinjve se do ta mbrojnë ambientin e kishës me kokën e tyre, në një kohë që kjo pronë nuk është e tyre, sepse që të jetë e tyre, duhet akti i pronësisë. Pronësinë ligjore mbi këtë pronë e ka shteti shqiptar, domethënë Bashkia. Fitimi i pronësisë prej Bashkisë është bërë mbi bazën e një akti të mirëfilltë ligjor.

Edhe sikur historikisht kjo pronë të ishte e kishës, sikurse pretendojnë priftërinjtë, përsëri ligji mbi kthimin dhe kompensimin e pronave që ka dalë në vitin 1993 e ka nënvizuar qartë dhe prerë se nuk u kthehen pronarëve të vjetër ato prona që janë tjetërsuar dhe i shërbejnë një interesi publik. Pallati i Kulturës është pronë publike. Kisha pronare në këtë rast kompensohet me një pronë tjetër. Pra edhe në gjenezë priftërinjtë nuk kanë të drejtë.

Në këto kushte, të veprosh si bandit, sikurse veprojnë priftërinjtë ortodoksë në Përmet, duke shkelur me të dyja këmbët ligjet e shtetit dhe duke kryer tri krime të rënda, atë të pengimit të ekzekutimit të vendimit, të dhunës kundër punonjësve të Policisë dhe krimin e vetëgjyqësisë, është jo vetëm një veprim kriminal, por edhe antifetar dhe i dyshimtë në pikëpamjen morale e kombëtare. Pikë së pari që besimi fetar dhe institucionet e tij nuk janë antishtet. Shenjtërinë e shtetit ligjor e kanë pranuar dhe e respektojnë me rigorozitet të gjithë besimtarët, e jo më krerët e besimit të tyre.

Dhuna e priftërinjve ortodoksë përmes pengimit të ekzekutimit të një vendimi gjyqësor, që është ligj dhe nuk mund të shkelet për asnjë arsye, dhuna e tyre kundër punonjësve të Policisë si dhe dhuna e përdorur për të rimarrë jo me rrugë ligjore, por me vetëgjyqësi diçka që me dokumente i takon shtetit shqiptar, domethënë Bashkisë së qytetit, tregon se nuk kemi të bëjmë me besimtarë dhe me priftërinj ortodoksë, por kemi të bëjmë me një bandë kriminale, e cila duhet të ndëshkohet rëndë.

Ndërhyrjet e segmenteve të papërgjegjshme të shtetit grek në këtë rast me deklarata joserioze, marrja në mbrojtje prej tyre e krimeve të tilla që kryejnë disa priftërinj ortodoksë në Përmet, të cilët e bëjnë këtë gjë thjesht dhe vetëm për interesa “të dukuri më katolikë se Papa”, për t’u bërë “të pëlqyer” prej qarqeve shoviniste greke dhe për të përfituar si shpërblim disa euro të pista, janë akte të dënueshme për të gjithë botën e qytetëruar.

Nëse një akt i tillë do të kishte ndodhur në Greqi, pseudopriftërinj të tillë do të ishin përplasur pa hezitim prapa hekurave të burgut. Veprimi i kundërt i autoriteteve greke të bën të reflektosh thellë se kemi të bëjmë me një shovinizëm që i ka rrënjët jo në qarqet e caktuara greke, por brenda vetë këtij shteti. Dhe akte të tilla nuk duhen toleruar prej shtetit shqiptar dhe Diplomacisë sonë.

Gazeta Panorama

Diventare italiani a 18 anni. Meno ostacoli e una lettera per le seconde generazioni

Karaburun. Sekuestrohet rreth një tonelatë drogë që do të sillej në Itali