Në kuadrin e dekriminalizimit të politikës, KQZ ka shpallur të pavlefshme dhe ka ndërprerë mandatet e kryebashkiakut të Kavajës Elvis Rroshi dhe dy deputetëve Dashamir Tahirit dhe Shkëlqim Selamit
Tiranë, 29 dhjetor 2016 – KQZ vendosi sot shpalljen të pavlefshëm dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit deputetëve Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri dhe kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, në zbatim të ligjit të dekriminalizimit.
Në përfundim të shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë, që kërkonte ndërprerjen e mandateve për të zgjedhurit e mësipërm, se ishin në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit, KQZ u shpreh se të trija rastet e shqyrtuara janë të parashikuara në ligjin ‘për dekriminalizimin’.
Ndërsa për Selamin dhe Roshin vendimmarrja për heqjen e mandatit ishte unanime, për Tahirin, tre anëtarët e KQZ-së të propozuar nga PD, votuan kundër heqjes së mandatit të tij.
Më 27 dhjetor, KQZ nisi për herë të parë zbatimin e ligjit te dekriminalizimit, pas kërkesës se prokurorisë për ndërprerjen e mandatit të dy deputetëve dhe një kryebashkiaku, që ishin në kushtet e ndalimit te ushtrimit të funksioneve publike, se figuronin të dënuar nga gjykata jashtë vendit. Shkelqim Selami deputet i grupit te LSI-se, Dashamir Tahiri i zgjedhur nen siglen e PDIU-se dhe aktualisht pjese e grupit parlamentar te PD-se, dhe kryetari i bashkisë Kavajë, Elvis Roshi, të dhënat e tyre kriminale nuk i kanë vetdeklaruar në formular, në zbatim të ligjit te dekriminalizimit.
Por, ne mbledhjen e pare KQZ nuk arriti te marre nje vendim përfundimtar për heqjen e mandateve të tyre, pasi kërkoi informacion shtesë nga prokuroria. Sipas prokurorisë, deputeti Dashamir Tahiri, në vitin 1995 raportohej nga policia italiane për krimin e falsifikimit te parave; ndërsa në vitin 2009 ishte dënuar nga gjykatat italiane me 9 muaj burgim për patentë makine të falsifikuar.
Për deputetin Shkëlqim Selami, policia italiane kishte kërkuar arrest me burg si i dyshuar për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, që trafikonte qenie njerëzore. Masa ndaj tij u dha në vitin 1994 dhe u ekzekutua në vitin 2006.
Ndërsa kryebashkiaku i Kavajës Elvis Roshi akuzohej se ishte dënuar në Itali për përdhunim në grup, në vitin 1995. Po ashtu, ai nuk ka deklaruar përdorimin e disa emrave në Zvicër, ku ka hyrë në mënyrë të paligjshme, ndersa eshte ndaluar nga policia e Zyrihut për trafik droge dhe pas disa muajsh është dëbuar.
Para hyrjes në fuqi të ligjit, deputeti socialist Arben Ndoka, i dënuar për trafik qeniesh njerëzore, dha dorëheqjen. Rroshi, Selami dhe Tahiri janë zyrtarët më të lartë deri tani që kanë rënë në rrjetën e ligjit për dekriminalizimin e politikës.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara, e cila ka bërë presion të vazhdueshëm përgjatë tri viteve të fundit për dekriminalizimin, e përshëndeti vendimin e KQZ në një deklaratë për shtyp. “Vendimi i sotëm është një fitore për popullin shqiptar dhe një paralajmërim për kriminelët që po mendojnë a të jenë kandidatë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Zyrtarët e zgjedhur apo të emëruar që plotësojnë deklarata false duhet të ndëshkohen me gjithë forcën e ligjit. Personat me dosje penale nuk mund të kenë vend në përfaqësimin e shqiptarëve”, thuhet në deklaratë.