Po mblidhen dokumentacionet nga agjencia e udhëtimit “Llixha 2001”, nga Drejtoria Rajonale e Transportit Rrugor dhe Universiteti i Elbasanit
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit të dy ditëve më parë, në Himarë, ku humbën jetën 13 studentët e universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, ndërsa mbetën të plagosura shumë të tjera. Hetimet duan të nxjerrin në dritë nëse aksidenti ka ndodhur si pasojë e ndonjë defekti teknik, apo për faj të shoferit.
Sipas ATSh-së, ekspertë të Prokurorisë kanë nisur hetimet, të cilat si fillim janë përqendruar në agjencinë e udhëtimit “Llixha 2001”, duke marrë nga kjo e fundit të gjitha dokumentet teknike, ku edhe do të vërtetohet nëse agjencia ka plotësuar të gjitha rregullat e duhura të mjetit, sikurse është kolaudimi dhe kontrolli teknik i tij. Gjithashtu, në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor në Elbasan është tërhequr dosja, ku edhe ndodhet patenta e shoferit Pëllumb Çela, si edhe dokumentet teknike të automjetit.
Ndërkohë që edhe nga universiteti “Aleksandër Xhuvani” janë tërhequr të gjitha dokumentet, ku do të vërtetohet nëse ky institucion kishte lidhur më parë një kontratë me agjencinë “Llixha 2001”, për transportin e studentëve në ekspedita, si edhe ekskursione të ndryshme.
Ndërkaq, rektori i Universitetit të Elbasanit, Liman Varoshi, është shprehur se “kontrata mes kësaj agjencie dhe universitetit është e rregullt dhe ka më shumë se tre vjet që studentët udhëtojnë me mjetet e kësaj agjencie”.
Lexo edhe:
Dëshmitë e shoferëve: “Aksidenti në qafë të Vishës, fatkeqësi e jashtëzakonshme”
Bie autobusi me studentë në Himarë. 13 të vdekur, mbi 20 të plagosur
Vlorë. Vajzat e aksidentuara mes ëndrrës dhe realitetit