in

Aksidenti i Himarës. Përmirësohet gjendja shëndetësore e të plagosurave

Si në spitalin Ushtarak të Tiranës ashtu edhe në atë rajonal të Vlorës, vërehet përmirësim i gjendjes shëndetësore të vajzave të plagosura në aksidentin e rëndë të të hënës. Dy prej vajzave në gjendje më të rëndë mbahen akoma me frymëmarrje artificiale.   

Tiranë, 23 maj 2012 – Gjendja shëndetësore e studenteve që po trajtohen në spitalin rajonal të Vlorës sot ka një përmirësim të ndjeshëm. Sipas drejtorit të këtij institucioni, Shkëlqim Selami, “parametrat shëndetësore të 10 vajzave të plagosura kanë shënuar një përmirësim të ndjeshëm gjatë 24 orëve të fundit”.

Sipas mjekut kirurg Fredi Muço, në këtë moment po zhvillohet një konsultë e grupit me mjekë të specializuar, për katër vajzat që janë duke u trajtuar në repartin e Rianimacionit, ndonëse gjendja e tyre paraprakisht paraqitet shumë më e mirë se ajo e një ditë më parë. Gjithsesi, për të dalë në një konkluzion përfundimtar, sipas mjekut kirurg Fredi Muço, do të bëhet një tjetër skaner rezonancë, si dhe disa analiza të tjera për vajzat e aksidentuara.

Ndërkohë, gjendja shëndetësore e vajzave të tjera, që po trajtohen në spitalin e qytetit, paraqitet e mirë dhe nuk përjashtohet mundësia që dy prej tyre të lenë sot spitalin, për t’u trajtuar në shtëpi.

Në Spitalin Rajonal të Vlorës aktualisht po trajtohen 10 nga vajzat që mbetën të plagosura në aksidentin tragjik të Himarës. Për trajtimin dhe kurimin e tyre u krijua një grup mjekësh, të specialiteteve të ndryshme, të cilët po ndjekin situatën e tyre shëndetësore prej 48 orësh.

Paraqitet përgjithësisht e mirë edhe gjendja shëndetësore e studenteve të plagosura që marrin shërbimin shëndetësor në Spitalin Ushtarak. Sipas drejtorit të Spitalit Bedri Mihaj, sa i takon dy rasteve më të rënda, mëngjesin e sotëm të plagosurat kanë parametra të stabilizuar mjekësorë, por ato akoma mbahen me frymëmarrje artificiale.  Dy vajzat që paraqiten më rëndë janë Florije Peci, që ka dëmtime në kokë, trup dhe palcën e kurrizit, shembje të gjoksit dhe barkut dhe Eriselda Gubere, e cila ka dëmtime të shpretkës, hemorragji të brendshme, dëmtime të veshkës unike, si dhe të disa vertebrave të zonës së kurrizit.

Dje u bë operacioni i Fetije Pecit në shtyllën kurrizore, i cili, sipas mjekëve, rezultoi i suksesshëm. Ndërkohë rastet e rënda po ndiqen në vazhdimësi nga ekipet e mjekëve.

Për të gjitha të plagosurat janë angazhuar dhe ekipe të neurologjisë dhe psikologë për t’i  trajtuar për traumën psikologjike që kanë pësuar.

Lexo edhe:
Bie autobusi me studentë në Himarë. 13 të vdekur, mbi 20 të plagosur
Vlorë. Vajzat e aksidentuara mes ëndrrës dhe realitetit

 

Prokuroria e Elbasanit nis hetimet mbi aksidentin e Himarës

Greqi. Agimi i Artë në krye të mësymjes kundër imigrantëve