in

Pse RAI duhet të flasë shqip

“Rai duhet të flasë shqip” është titulli i një shkrimi të shkurtër në një nga blogjet e repubblica.it. Në të vërtetë është fjala për një propozim të bërë nga Komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e radiotelevizionit shtetëror mes sugjerimeve të miratuara më 11 prill për modifikimin e Skemës së dekretit të qeverisë me të cilin i përtërihet RAI-t koncesioni i shërbimit publik radioteleviziv për dhjetë vjetët e ardhshëm.  

Sugjerimi i transmetimit edhe në gjuhën shqipe bëhet në kuadrin e ligjit 482 të vitit 1999 që tutelon gjuhët e pakicave në Itali. Praktikisht parlamentarët sugjerojnë – e nuk është e thënë që qeveria t’i marrë parasysh propozimet e Komisionit – që RAI të prodhojë e të transmetojë emisione televizive dhe radiofonike në gjuhën shqipe në zonat e arbëreshëve.

Më saktësisht, kërkohet që nenit 3, paragrafi 1, germa g të “Skemës së dekretit me të cilin i ripërtërihet besimi në koncesion i shërbimit publik televiziv, radiofonik dhe multimedial ndërmarrjes RAI” që parashikon “prodhimin e shpërndarjen e transmisioneve radiofonike dhe televizive, si dhe të produkteve audiovizive në gjuhën gjermane e ladine për provincën autonome të Bolzanos, në gjuhën ladine për provincën autonome të Trentos … dhe në gjuhën sllovene për krahinën autonome të Friuli Venezia Giulia-s”:

t’i shtohetdhe në gjuhën shqipe dhe në gjuhët e tjera ë mbrojtura me ligjin 482 të 15 dhjetorit 1999 në zonat e përkatësisë, sipas mënyrave të përcaktuara nga kontrata kombëtare e shërbimit“:

Edhe pse risia, nëse qeveria do ta merrte parasysh këtë sugjerim, do të ishte interesante për të gjithë shqipfolësit në Itali, me sa shihet nga ç’shkruhet në aktet e Parlamentit, nuk është aspak fjala që RAI duhet detyruar të flasë shqip për shkak të numrit të lartë të shqiptarëve të ardhur këtu nga 1990 e këtej, siç lë të kuptohet shkrimi në blogun e Repubblica.it. Nga ana tjetër, nëse do të ishin 600 mijë shqiptarët e sotëm të Italisë (mes atyre me lejeqëndrim e atyre me pasaportë italiane tashmë) që do të detyronin parlamentarët të këshillonin qeverinë që të fusin edhe shqipen mes gjuhëve në të cilat duhet të trasmetojë RAI, nuk kuptohet pse e njëjta gjë të mos këshillohej për gjuhën rumune apo arabe: komuniteti i rumunëve në Itali janë sa dyfishi i atij të shqiptarëve, numri i marokenëve në Itali është pak a shumë i njëjtë me atë të shqiptarëve.

 

Fiori d’arancio tra suoni di violino e pianoforte

Rreth 770 italianë kanë zgjedhur vitin e shkuar të punojnë në Shqipëri