in

Pse u harrua Samiti i Diasporës?

U mbush plot një vit nga Samiti i parë, një i dytë nuk u organizua më dhe diaspora thuajse mungon fare në fjalorin e përditshëm të politikës shqiptare. Deri më sot, përveçse ndonjë fjalie të stërpërsëritur për të drejtën e votës së emigrantëve shqiptarë në vendet ku jetojnë, nuk është parë që të ketë ndonjë çapitje as nga ministria e Diasporës
Nga Petrit Kuçana, The albanian

 

Petrit KuçanaMbetet dilemë e madhe se cila pikëpyetje mund të ngrihet e para për Samitin e Diasporës.

Pse nuk u bë këtë vit, apo çfarë u bë gjatë këtij viti? Në mbamendjen e shumë delegatëve (samitxhinj), mund të rrokullisen pamjet e bukura të Tiranës së një viti më parë, kur deklarohej për Samitin e parë Diasporës nën kujdesin e drejtpërdrejtë të kryeministrit, një samit historik etj etj. Ishin ata “çantakuqtë” (çanta ishte dhuratë e samitit) që i shikoje ato ditë tek mbushnin rrugët dhe bulevardet e Tiranës, që prisnin se çfarë do të ndodhte, pasi askush nuk kishte dëgjuar për ndonjë strategji apo projekt të kryeministrit për diasporën, i cili deklaroi sinqerisht se ka qenë ide e gruas së tij.

Krejt natyrshëm publiciteti dhe kozmetika që shoqëroi ato ditë erdhën duke u zvenitur deri në harrim, dhe mbase gjithkush përpiqej të mbante mend ndonjë gjë që u tha apo u bë, që në fund të fundit të mos ndiheshin si sallëmbushës të kryeministrit, i cili, u kujdes që të përhapej lajmi se rreth njëmijë delegatë nga dyzet shtete kishin begenisur të vinin në samit.

Dashamirësit e kryeministrit dhe shumë nga ata që vërtet dëshironin të besonin se diçka do të bëhej, se do të kishte një produkt nga ai Samit, nuk donin të besonin shumë e shumë paralajmërime që u dhanë mbi dështimin e tij pa nisur akoma.

Foto Rando DevoleE megjithatë u bë plot një vit që Samiti jo vetëm që nuk u organizua më, por për samitin u kujdesën që të mos kishte ndonjë mbamendje, ku diaspora thuajse mungon fare në fjalorin e përditshëm të politikës shqiptare, përveçse ndonjë rasti kur nuk mund të gjendej PR që të shpëtonte Ramën pas katër vitesh në pushtet, siç ishte krijimi i Ministrisë së Diasporës. Deri më sot përveçse ndonjë fjalie të stërpërsëritur për të drejtën e votës së emigrantëve shqiptarë në vendet ku jetojnë, nuk është parë që të ketë ndonjë çapitje as nga ministria e Diasporës. Madje Majko më shumë mbahet mend për qëndrimin e tij për pensionet, sesa për ndonjë “gjë” për diasporën, përveç një propozimi që duket si copy-paste e premtimeve për të drejtën e votës së mërgimtarëve.

Duket se edhe Ministria e Diasporës është futur në hullinë e Samitit, kur përveçse ngjyrimeve folklorike nuk duket të ketë ndonjë shkëndijë se vërtetë se diçka po lëviz dhe kaq normale është ta shohim Ministrin e Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko në ndonjë aktivitet partiak, saqë shumëkush prej mërgimtarëve i papërditësuar me lajmet nga mëmëdheu, mund të mos e besojë akoma që zoti Majko është ministër i Diasporës.

Nuk është shumë e rëndësishme nëse kryeministri u frikësua se nuk do të kishte më mbushës sallash për një samit të dytë, e aq më pak nëse ai “lau duart” me diasporën me Samitin e parë, atë historikun, ku s’u mor vesh asgjë dhe s’u bë asgjë.

U desh një vit për t’u vërtetuar ato që u parathanë, se ai samit kishte dështuar përpara se të fillonte. Edhe sot e kësaj dite vazhdon të mungojë një komunikim, së paku komunikim normal mes shtetit dhe mërgimtarëve, për të mos përmendur sipërmarrësit shqiptarë nëpër botë, apo të diplomuarit jashtë që u përplaset turinjve çdo derë e mundshme e institucioneve shqiptare.

Vazhdon të mbetet një marrëdhënie e ngrirë, si simbiozë e të prehurit në paqe të Samitit të Diasporës. Një gjë është e sigurtë: mërgimtarët nuk harrojnë, kurrqysh, asesi nuk mund të gëlltitin as ndonjë “lajm” Made in Ministria e Diasporës, që qeveritarëve po u “bie lëkura copë” për emigrantët, që shohin çdo ditë që edhe vetë diplomacia nuk mund të zhvishet nga zhguna e leshtë e mediokritetit. E nëse vërtet do të realizohet e drejta e votës për mërgimtarët e Shqipërisë amë në zgjedhjet e ardhshme (të vetmit në rajon dhe më gjerë të përjashtuar nga kjo e drejtë), do të kujtohen për shumë e shumë gjëra dhe natyrshëm nuk mund të harrohet as Samiti…

Lexo edhe:
Midis fjalëve dhe veprave
Samiti si skenë
Diaspora dhe përpjekjet për njohje
Relativiteti i “Samitit” dhe i “Diasporës”
Samiti sapo filloi
Shanset e Samitit të Diasporës

 

 

Alessandro Leogrande dhe mosmbytja e një tragjedie

Luftë kundër terrorizmit: dëbohen dy shqiptarë rezidentë në Puglia