in

Publikohen emrat e mëse 700 të kërkuarve nga drejtësia. Tahiri: “Ndihmoni policinë”

Policia shqiptare publikon në sitin e saj emrat e 742 shqiptarëve të kërkuar nga drejtësia, prej të cilëve 47 janë të dënuar me burgim të përjetshëm. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për kapjen e personave në kërkim nga Policia dhe Drejtësia shqiptare

Tiranë, 19 nëntor 2013 – Policia e Shtetit ka publikuar më 17 nëntor të dhënat për personat më të rrezikshëm të shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë. Në një hapësirë të veçantë të faqes së internetit të Policisë së Shtetit, çdo qytetar i interesuar mund të gjejë informacion të plotë, përfshirë të dhënat personale, shpesh edhe foto, për të gjithë personat e shpallur në kërkim të dënuar nga gjykata me mbi 5 vjet heqje lirie.

Ndër personat, emrat e të cilëve publikohen në sitin e Policisë, 47 janë dënuar me burgim të përjetshëm dhe 101 me 25 vjet burgim. Në këtë listë të kërkuarish 23 janë femra.

Numri më i madh i të kërkuarve (396 vetë) është dënuar për veprat penale të vrasjes, apo të vrasjes së mbetur në tentativë.

Sipas mediave shqiptare, lista përmban edhe emra personash të vdekur ose të burgosur tashmë në Shqipëri apo jashtë, por policia premton se faqja do të përditësohet në vijimësi, edhe pse duke hequr nga lista personat, të cilët anulohen nga kërkimi, dhe duke shtuar persona të tjerë, të cilët do të shpallen në kërkim.  

“Kjo praktikë e re, synon së pari ndërtimin e urave të komunikimit me qytetarët që mund të ndihmojnë policinë për gjetjen e dhe kapjen e secilit prej personave të shpallur në kërkim”, nënvizon ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, duke shprehur bindjen se suksesi i Policisë së Shtetit në përmbushjen e misionit të saj është një sipërmarrje, që nuk bëhet dot pa ndihmën aktive të qytetarëve.

Publikimi i personave më të kërkuar, sipas tij, ndihmon në ndërtimin e atyre mekanizmave të imunitetit shoqëror për të parandaluar që këta njerëz të vazhdojnë jetën mes shoqërisë të pashqetësuar, duke shtuar rrezikun për sigurinë e jetës dhe pronës për secilin prej nesh. “Ministria e Punëve të Brendshme është e interesuar në mënyrë të drejtpërdrejtë për të stimuluar te qytetarët shpirtin e bashkëpunimit e në mënyrë të veçantë atë të reagimit të përbashkët ndaj së keqes së përbashkët. Ne synojmë të ndërtojmë sigurinë publike bashkë me qytetarët, duke çmontuar sigurinë e atyre që kanë shkelur ligjin, janë dënuar nga organet e drejtësisë e sot janë ende të lire”, shprehet më tej Tahiri. Ministri ka theksuar gjithashtu se do të ruhet plotësisht konfidencialiteti i qytetarëve që do të japin informacione të vlefshme për policinë.

Duket se publiku ka treguar interes ndaj kësaj nisme, të paktën po të konsiderohet numri i lartë i klikimeve në këtë faqe. Sipas policisë, edhe pse faqja është vënë online pasditen e një dite të diel, në 24 orët e para ka pasur më shumë se 1 milion e 600 mijë vizita. Duke kërkuar ndjesë për ngadalësimin e faqes së internetit, policia falënderon qytetarët për interesin e treguar dhe njëherazi i fton ata që të informojnë  për çdo informacion me vlerë në drejtim të vendndodhjes së këtyre personave.

Në 48 orë, policia sekuestron mbi një ton drogë me destinacion Italinë

BE: Nga Ballkani perëndimor 16% e azilkërkuesve