in

Qafë-Bari, 22 maj 1984. Zhiti: “Ja masakrat e policëve mbi të burgosurit politikë”

Ka ndodhur fiks 29 vjet më parë. Aty ku Visar Zhiti po vuante dënimin si i burgosur politik, në Qafë-Bari. Në historikun e burgjeve politike, pas revoltës së Spaçit në vitin 1973, kjo e Qafë-Barit do të ishte tronditja e dytë më e madhe me karakter të fuqishëm antikomunist. Si e tillë, nuk mund të kalonte pa viktima: Dy të burgosur politikë u pushkatuan, ndërsa 10 të tjerë u dënuan me 172 vite burg gjithsej. Kjo tragjedi është pasqyruar me detaje në librin “Ferri i çarë” të Visar Zhitit,  që i kësaj masakre ka qenë edhe vetë protagonist e dëshmitar…

Nga “Ferri i çarë”, libri i Visar Zhitit në kujtim të 29-vjetorit të masakrës

Dorëzooohuni! Feçor Shehu thërret ashtu? E kanë dërguar prapë? Jo, jo, atë e kanë pushkatuar me kohë, ky tjetri tani është Zylyftar Ramizi, ai tjetri është Agron Tafa, i njoh, por njëlloj janë, gjakpirës. Dooorzoohuuunii, të dënuar… Ç’të dorëzoheshim, ashtu ishim, të dorëzuar. Ta ndërprisnim kryengritjen. Përfaqësia e kryesisë drejtuese të vijë deri te Porta e Madhe për të paraqitur shkaqet e kërkesat… dhe lidhjet me armiqtë e jashtëm. Do të presim një orë e tridhjetë minuta. Kuptuat, të dënuuaaaar? Mbas dy orësh do të hyjmë në kamp pa marrë parasysh asgjë. Nëse do të ketë kundërshtime dhe rezistencë, do t’ju shtypim me dhunë, pa mëshirë, me të gjitha mjetet që disponon shteti. Partia me shokun Enver në krye është më e fortë se kurrë, ka shpartalluar e shpartallon dhe do të shpartallojë çdo armik, çdo koalicion të tyre dhe… nga çdo betejë ka dalë më e fortë. K-u-p-t-u-a-a-a-t….? Mendohuni mirë. Qëllimi juaj, strategjia dhe taktika kanë për të thyer kokën. Hinka e fortafolësit nga këtej ngjante me një shqyerje të jashtëzakonshme goje, britmë sqollash. Ndërsa po zbriste nga tarraca tufa e tyre, ultimatumi i shtetit vazhdonte të bënte jehonë në gropën e burgut. Na u duk sikur pamë rrokullimat e aaaa-ve, ooooo-ve, shponin iiiii-të, gjyle të përflakura ranë midis nesh. Fauna e shtetit kaloi në anë të përbindëshit-helikopter, i cili bënte sikur flinte. Po tani? Askush nuk pyeti, por shihej te balli i të gjithëve, te rrudhat.
– S’ka rrugë tjetër. Të sulmojmë dhe të vritemi. Kush të shpëtojë, le të marrë arratinë…

– Unë them të flasim me ministrin a zëvendësin e tij, a me sozinë, t’i parashtrojmë idetë tona, kërkesat. T’i themi se trajtimi në burg është nga më mizorët, jo për t’u riedukuar, por për t’u bërë më keq. Ju nuk neutralizoni kështu kundërshtarin, por e bëni armik dhe e ashpërsoni atë.

Më tej mbi grupin e atyre që u rebeluan të parët, që u dhanë dërrmën policëve me gjithë oficerin e rojës, kishte rënë një gjendje acari, edhe donin sulmin, edhe përfytyronin ç’i priste, por se ç’bisedonin mes tyre, të paktën të mos binte ndëshkimi mbi të tjerët, të dilnin me një vendim tjetër, thoshin. Ç’do të bënin, ç’aksion, kur të hynin ata, ujqit, sigurisht kope e madhe. Dhëmbë dhe kthetra ata, po edhe ne. Të mos lëmë të përzihen të tjerë. Ta mbajmë vetë përgjegjësinë mbi shpatulla. Bisedat po ankthëroheshin dhe po bëheshin më të rënda, si të ecurit mbi borë me të vdekur në krahë. Pashë pllanga bore. Po binte kështu? Jo, ishin letrat e hedhura kudo, mbi oborr, shkallëve, dhomave. Filloi grisja e gjithçkaje që mund të na dëmtonte. E dorëshkrimeve? Po dorëzoheshim kështu? Ndihej një pritje e trembur, përzier me shqetësimet, kur s’bëhet dot asgjë. Vetëm dielli – ku është, pse s’duket? – jepte vezullime si presa e gijotinës. S’u mor vesh në u bë ndonjë përfaqësi jona. Thanë se u bënë tok pesë veta, jo, gjashtë, për te Porta e Madhe. Ja, ja, shikoi…

*   *   *

Burgu i Qafë-Barit

Kudo, kudo përreth, shpateve, hijeve, mbi shkëmbinj, buzë arave të vogla, anash hurdhave, mbi gurë, tarracave të shtrembra – njerëz. Qenë mbledhur fshatarë, burra dhe gra, nxënës shkollash, ja, ja, mbi kupolat e kudogjendshme të bunkerëve. Po vinin dhe të tjerë, në grupe, vetëm, folklorikë, kërkonin vend sa më të përshtatshëm që të shihnin sa më mirë përkëtej. Spe…kta…torë?! Do t’i kenë thirrur. I kanë ftuar, “të vini patjetër, ndryshe ju pritet dita e punës”, të shohin armikun, ja, real, një dorë bën shenjë të ngrihen nga ai bunkeri dhe të ulen më tej, pastaj dora nderet për këtej. Sigurisht, paska organizim. Edhe nga ana tjetër njerëz. Ku u gjetën kaq shumë? T’i kenë ftuar edhe nga fshatrat e tjera a janë kooperativë e bashkuar? Si një amfiteatër i madh, i përçudnuar… ja lozhat, vendet e mira nën pemë, shkallët, e para, e dyta, e pesta… dhe ne në arenë. Të shohë populli shtypjen e një kryengritjeje. Janë përzgjedhur të ftuarit, kooperativistë të dalluar, komunistë, barinj, anëtarë të këshillit, klubistë, rapsodë, infermierë, mësues, nxënës të klasave të larta, të porsamartuar, zboristë, stazhierë për anëtarë partie, të marrë etj., etj. Qetësi. Qetësia u gris befas me kërkëllima të forta metalike. Shule armësh? Porta e madhe po hapej, zinxhirët e saj, çelësat dhanë kërcënimet e para. Në tarracën e vogël të komandës, në anën e së cilës mbërrinin helikat e pezullta të helikopterit, u shfaq një grup ushtarakësh. Njëri me fortafolës mbi turinj urdhëroi: “Ne po hyjmë, në qoftë se dikush nga të dënuarit do të ngrejë dorë mbi ne, do të na provokojë, do të bëjë lëvizjen më të vogël të dyshimtë, do të qëllojmë me armë nga kudo për kudo, në turmë… Morët vesh? Asnjë lëvizje… Jeni të rrethuar… Dorëzohuni!”  Eeeejjjj, të dënuuum, të gjithë poshtë, në oborrin e apelit. Asnji i burgosun n’dhoma, kush kapet se s’don me ardhë, e piu e zeza! Se ne… s’na bani dot kurnjigja. Kemi n’dorë dhe gurin, dhe arrën. Kena Partinë… një gabzher kapteri bërtiste kështu, urdhër nr. 1 i komandës, shpejt, shpejt, në rresht. Jeni të rrethuar, kryengritja në fakt u shtyp. Kaq duhej. Tani fillon ndëshkimi. Të gjithë lëvrinim të trishtuar, me shqetësim të dyfishtë dhe u bashkëngjiteshim rreshtave të funeraltë në oborrin e thatë si një fletë e stërmadhe me shkronja gurësh dhe rëre të gjallë. Të urtë. Me fytyra të nxira, sepse kishte nga ne që s’qenë larë dot, që kur kishin dalë nga galeria. Uji qe ndërprerë. Por janë dhe nxirje të tjera, nga përleshja me policët. U dha urdhri nr. 2: të gjithë përtokë, uluni! Ne sikur u përgjysmuam kështu, u bëmë ulokë, toka mund të na përpinte më lehtë. Kokët tona ngjanin me plisa të mëdhenj dheu. Tokë e çarë, e bërë fërtele, e lëruar me qe të harbuara, mitike, jo me plugje, por me shpata, me hekur predhash. Edhe atyre sikur iu shkurtua frika nga shkurtimi ynë i menjëhershëm. Pasi mbaroi zhurmërima e leckosur e rrobave që bien, u ulën dhe të fundit. Ushtarakët përsipër po na dukeshin më të mëdhenj, më kërcënues, kabá. Policë e kapterë u shpërndanë midis nesh, egërshanë si kafshë, ecnin pa kujdes, shkelnin herë dorën te njëri, herë i binin me majë çizmeje një gjuri. Oh, bëri një zë, provokim, thirri polici, vazhdim i kryengritjes, çohu, merreni! Po erdhën kazanët e mëdhenj të kuzhinës, mos kujto se do t’i sjellin me supë, më foli shoku pranë.  Ne s’pyesim nga kapitalizmi dhe revizionizmi së bashku, – po ulërinte një oficer tjetër, – do t’ju shtypim, ju, që keni lidhje me armiqtë e jashtëm, të drejtpërdrejta dhe shpirtërore. S’doni të riedukoheni? Dhuna e proletariatit do të bjerë pa mëshirë mbi ju, që tani! Filloni. Pezm. Shumë pezm. Flatra të vdekura lakuriqësh nate. Flatra tiranozaurësh. Edhe frymëmarrja e tjetrit dëgjohej, por dhe zërat, një britmë e hollë fëmije, ah, sa bukur, erdhi andej përtej, ku qenë grumbulluar njerëz, nëpër shkallët e ah-mfi t-eh-ah-tr-ih-t. Njëri nga nënoficerët nxori disa fletë dhe ia dha shefit të policisë. Po, tha, fillojmë. Fillojmë dhe hodhi vështrimin e pistë mbi të burgosurit e gjunjëzuar, gurë varresh, mes të cilëve kudo lartësoheshin policët, tabela qiparisash të zinj si në lojërat ushtarake. Gjithçka iu duk në rregull, top fare, rregulloi kapelën, shkëlqeu djegshëm ylli i saj dhe me zë pretencëdhënës lexoi një emër. Sokol… cili, të dy… shkrofëtiu korbi. Çohu, ti, edhe ti… u çapëlyen disa gabzherrë njëherësh, kuturushëm, sy të çakërdisur vigjilonin nga të gjitha drejtimet mbi ne, çohuuuu-uh! Pa u ngritur mirë i pari, 7-8 policë iu vërsulën duke i zhvatur lecka e lëkurë bashkë, e tërhoqën osh deri pas murit të mensës, ku ne s’shihnim se ç’bëhej. Sokoli tjetër… Emër tjetër, u thirr: Tom Ndo… tjetër, Bushgjoka… dhe policë të tjerë, prapë të tjerë hidheshin, Haxhi… Vllasi, Kostandin… zvarritnin njeriun, i vinin prangat keq e keq dhe që andej, nga pas murit, vinin zhurma goditjesh, ulërima dhe mbytja e tyre. Emra të tjerë u thirrën gjëmshëm… Vuthi… Martin… Lazër… Tabaku… Pisha… përsëritej rituali barbar… dhe, sikur të gaboje, të lëvizje paksa nga mpirja dhe ankthi, policët vërsuleshin mbi ty për të të zvarritur, duke mos pritur në je ose jo ai që u thirr. Njëlloj janë, armiq! Vazhdonte ngritja, gjithë habi dhe tromaksje. Ç’u bëjnë pas murit, mos i asgjësojnë? Dëgjon ti krismë arme? Të shurdhëta po.Si i zgjedhin emrat, mbi ç’bazë? Si organizatorë të rebelimit… ata që kundërshtuan të parët. Kur dikush mbyturazi mundohej të sqaronte diçka, të shfajësohej, zvarritja e tij shoqërohej dhe me goditje të atypëratyshme, shkelma e shkopinj gome e pas murit binte heshtja e rëndë, më e rëndë se muri, misterioze. Në revoltën e Spaçit, të arrestuarit i kalonin mes një gardhi të gjatë policësh – të kam thënë, ule zërin, polici, mos lëviz, po thirrën emrin tim, kujdes te thesi – dhe policë nga të dy anët qëllonin me shkelma e shkopinj gome, këmbët nuk i zinin tokë të arrestuarit dhe, nëse mbërrije gjallë në fund të shtegut me policë, të binte të fikët. Aty të linin deng, mes gjakut, në dysheme, te shkallët, pusho të lutem, s’dëgjoj dot, duhet ta dish, ta dëshmosh ndonjëherë, mjaft, po luaj mendsh. Dhe pastaj me zorrën e ujit nga banjat e përgjithshme i lagnin. Si ata të zjarrfikëses, që shuajnë zjarre. Për t’i ringjallur, që t’i dënonin me pushkatim pastaj. Oh! Emri im, ah, sikur të mos kisha emër, ku ma gjetën, e kisha harruar! Secili priste të thirrej, të shkonte pas murit të tmerrshëm. Urrente emrin e vet, dëgjonte rrahjet e zemrës së tjetrit, aq fort, mos qofshin rrahjet e fundit. Ja, policët që rrahin, u ndërruan, u lodhën, sollën të tjerë, të freskët. Pse ulërin muri ndonjëherë? Ngrimë mbi truallin e ftohtë. Unë mos e kam fytyrën prej çimentoje? Si e kam emrin, të betohem s’po e gjej dot, të shefit të policisë e di, të operativit. Mos lëviz. Më shkeli dorën polici, m’u ngulën gozhdët në mish, gjak, mos lëviz. Pse s’po mbaron? Sa gjyq i gjatë. Do të ngrihemi dot ndonjëherë, ulokë do të mbetemi, do të zvarritemi, a do të ecim me këmbët tona, do të kemi emër, apo lëvozhga të ngjitura në ballë, lëkura të rrjepura? Komandanti dha urdhër të ngrihej mjeku, të gjithë mjekët, mos i prekni, u tha policëve. Shpejt pas murit, i urdhëroi. Mbase ka të vdekur. Kë do të pushkatojnë pastaj, të vdekurit? Na duan të gjallë. Pas murit. U shkulën me forcë dhe kryetari i burgosur i riedukimit, Zhabolli… mure ulëritëse, të përgjakura, dhe inxhinieri i ndërtimit, Fratari, Dinia, ah, pse… policët qëllonin ku të mundnin, mure të çmendura, mure qelish, të komandës, të Komitetit Qendror të Partisë, Muri i Berlinit, Muri i Madh Kinez, m-uri, ka-m-uri për një ulërimë… dhe për bukë… bukë e përgjakur, prapë po kërkojnë, kë, Sokolin, e morën një herë, është tjetër Sokol ky, po e morën dhe tjetrin, ky është the-me-luesi… një mur ku të mbështetesh ka apo jo? – shemben dhe na zënë nën vete. Veç bunkerë të rrumbullakët, kupola, gojë të betonta që thërrasin emrat tanë, vjellin zjarr të ftohtë akull. Çfarë, po brohorasin spektatorët e amfiteatrit, kooperativistët e maleve? Turp. Nga hyrjet e bunkerëve po dalin tigrat, panterat, sekretarët e partisë.
…Policët dyndeshin mes nesh, tigrat, shqyenin krahë të burgosurish, u çanin barkun me kthetra, vazhdë zorrësh, tjetri shkelte mbi rropullitë e tjetrit, ktheheshin policët për të marrë ç’kishte mbetur nga zhvatja, krahun tjetër, ca brinjë, krisën kafkat, bunkerët, po qiell s’paska, qenka kupolë betoni, po ulet, u afrua, na u zu fryma, mure të tjera pas mureve, ranë, u shembën. Gërmadha mbi ne. Po japim shpirt. Shpëtuam…

I gjallë në arkivol

Duhet të jem ca gjallë… dhe ca i vdekur. Ndoshta kështu janë të gjithë. Po ku jam kështu? Asgjë s’lëviz, s’ka gumëzhima, zhurma rrotash, puls, duhet të na kenë shkarkuar nga makina ku na hodhën njëri mbi tjetrin të lidhur. Qenkam vetëm, prapë më paskan futur në arkivol të gjallë? Ç’duan tani nga unë, do të më çojnë në gjyq, përsëri në grupin armiqësor të ushtarakëve, po a u pushkatuam një herë? Jo, jo, Zhabolli, ty të lamë gjallë, shih sa je dobësuar, zhapë të bëmë, as krahun s’e ngre dot, por të bëmë kryetar të zyrës së riedukimit në Qafë-Bar. Po pse jam me kaskë dhe me pranga si ata që do të pushkatohen? Do të ta heqim kaskën dhe do të fillojmë torturën kineze, një pikëz uji mbi kokë do të bjerë vazhdimisht, në të njëjtin vend, por ajo e bën vrimë kafkën, e çan fare. Do të flesh mbi një bambu, ajo rritet 7 cm në ditë dhe e shpon trupin tënd. Ka ca dhembje! Ti kujton se kemi marrë nga Kina vetëm makineri fabrikash, po veglat e torturave, po marifetet, llojet e torturave? Kemi marrë dhe një specialist kinez që ka specializuar dhe një djalë tonin, ata bëjnë dokumente të vjetra, si të vërteta fare, dhe ne i lëmë dosjet në rregull, jo tuajat, jo, kush çan kokë për to, firmosni ose jo ju, s’ka fare rëndësi, them për historinë, e bëjmë si të duam, në rregull fare, ngjarjet kanë ndodhur ashtu siç duam ne, ja dokumenti, e bën kinezi ynë më mirë se të vërtetin. Po ku jam? Brenda në arkivol. Dëgjo, t’i do të firmosësh listën me 36 emra, të grupit që udhëhoqi revoltën politike të Qafë-Barit. Unë s’e di që revolta ishte politike dhe s’di të ketë pasur ndonjë organizim a grup. Dalip, e kupton ç’po thua? E dimë ne që ishte ashtu. Asgjë nuk na kushton t’i vëmë kapakun arkivolit, 5-6 gozhdë. Të pëlqen të varrosesh i gjallë? Pra, firmos këtë letër, ja dhe tjetra, vendimi që do të lirohesh. Zgjidh mes dy letrave… S’janë kocka që thyhen. Ia thyem brinjët atij skraparliut, por edhe Xhike Baxhinos… vetëm një këmbë, Drago Vujosheviçit… malazezit, të zi fare e bëmë. Hë, hë, po Sandër Sokoli? Ai vdiq rrugës, në makinë, atij i qenë thyer të gjitha kockat, kudo, kudo, qe bërë fërtele. (Vdiq dhe Partia.) Po miku im Dine Fratari? E hoqëm, e flakëm në një tjetër burg, shumë e kanë rrahur edhe atë, dhe Lekë Mirakajn, dhe… po ti firmos, të thamë, kam porosi nga ministri. Nuk të pres shumë, mund ta kthejmë dhe ndryshe. Ç’bëhet kështu, hetuesí është kjo  brenda në arkivol? Është ai, arkivoli i kampit, që na e bëtë peshqesh, s’duhet më për të vdekurit, por për të gjallët… Vijnë zëra nga brenda vetes. Nuk do të firmosësh? Vërini kapakun arkivolit. Mos u duhet arkivoli për të tjerë të gjallë. Ku i ka shenjat? Mos jam nën dhé?

Dënimi i revoltës

Ra çanga, hekur mbi kokë. Na mblodhën në mensë prapë. Ai myzeqari aty, ku e kishim lënë, i palëvizur, kështu dukej. Mos duan të përsëritim rebelimin? Prapë erdhi ai oficeri nga Jugu, zëvendës-komisari a ç’dreqin ishte, që iu rrokullis kapela me yll e iu ngatërrua nëpër këmbë si mace, si ideologjia e vet, thuaj. Policët me shenja plagësh. Gjysma kokësh të lidhura me fasha, copa krahësh të thyer. Komunikim. Zëri i komisarit donte të ngjante i fortë, i patundur dhe vetë po rrinte drejt si ato tabelat e qitjeve. Batare armësh. Diktatura e proletariatit e shtypi revoltën e armiqve… dhe… gjyqi i popullit… heshti. Uli sytë mbi letër, pa syze… Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi shqyrtoi dosjen në ngarkim të të pandehurve… na u mor fryma, emra, emra… vendosi këto dënime: Sokol Sokoli, me vdekje, pushkatim; Tom Ndoja, me vdekje, pushkatim… Sokol Progri, me 25 vjet burg, Vllasi Koçi, me 25 vjet burg, Martin Leka me 16 vjet burg, Haxhi Baxhonovski, me 21 vjet burg, Bajram Vuthi, me 15 vjet burg, Ndue Pisha me 25 vjet burg, Lush Bushgjoka, me 12 vjet burg, Kostandin Gjordeni, me 10 vjet burg, Lazër Shkëmbi, me 12 vjet burg dhe Hysen Tabaku me 11 vjet burg. Për të gjithë vuajtja e dënimit fillonte më 22 maj… po e të pushkatuarve? E Sandër Sokoli… me kokën që i varej supeve, e hodhën mbi të tjerët në makinë, kufomë, kockathyer dhe të lidhur… firmat e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, Pukë, më 3.06…

Akuza e prokurorisë

Në dosjen e revoltës së Qafë-Barit: “Qëllimi i kryerjes së kësaj vepre ka qenë që me anë të hapjes së veprimeve, shpërthimit të galerive, të realizonin arratisjen në mënyrë më të organizuar. Veprat penale të kryera nga të pandehurit paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore kundër rendit shoqëror socialist dhe shtetit të diktaturës së proletariatit…”. “Të dënuarit e kampit të Qafës së Barit, Sokol Zef Sokoli, Sokol Zef Progri, Tom Kol Ndoja, Lush Prel Bushgjoka, Haxhi Shefqet Baxhinovski, Vllasi Llambi Koçi, Kostandin Sotir Gjordeni, Bajram Islam Vuthi, Martin Sokol Leka, Lazër Zef Shkëmbi, Hysen Halil Tabaku dhe Ndue Martin Pisha, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprën penale të terrorit kundër përfaqësuesit të shtetit, parashikuar nga neni 50/1 e 13 Kodit Penal… I pandehuri Haxhi Baxhinovski shpjegon veprimet që ka kryer: Kur instruktori politik më pa thikën që mbaja në dorë, me tha ta dorëzoja atë, por unë nuk pranova dhe me të në dorë e sulmova duke e qëlluar në bark. Nuk e di nëse e thera apo jo. …Vetëm kur dëgjuan krismat e plumbave të pushkëve, të pandehurit ndien frikën dhe forcën e madhe të diktaturës së proletariatit dhe filluan të tërhiqen…

Pushkatimi

…Të dy të rinj… Moshatar me ta jam… Nuk flas dot… S’më lënë lotët… I morën nga qelia, natën, të lidhur… Dhe s’dihet ku i çuan, ku i vranë… Procesverbali është nënshkruar nga gjashtë veta… Përbërja e komisionit të caktuar për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë… me 60 karikatorë kallashnikovi… nën drejtimin e shefit të policisë së rrethit…. Skeda më dridhej në dorë:
Sokol Sokoli, i biri i Zefit, datëlindja 1952, nga fshati Gërni i rrethit Tropojë, i dënuar me vendim Nr. 3 datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (Pushkatim), mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën Nr.888, datë 7.6.1984 nuk i fali jetën. Tom Ndoja, i biri i Kolës, i datëlindjes 1952, lindur e banues në Kllogjen të rrethit Shkodër, dënuar me vendim Nr. 3 datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (Pushkatim), mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën Nr. 888, datë 7.6.1984 nuk i fali jetën… Mbi dokument janë shënuar me dorë rënkimet e fundit të të dy të dënuarve, pas mesnatës së 9 qershorit, para skuadrës së pushkatimit. Po kush i ka shkruar, pushkatarët? Ja: Para ekzekutimit të dënuarit Sokol Sokoli iu komunikua se nuk i falej jeta dhe në fjalën e fundit ai tha: “Mos më vrisni mbrapa. Gropën e hap vet. Presidiumi i Kuvendit Popullor mirë ka ba. Nuk i kemi ba gja kujt”. I dënuari Tomë Ndoja në fjalën e fundit tha: “Të rrojë drejtësia!”. Në fund firmat… 30 rreshta, një faqe gjithsej…

Masakra e Syve

…Shkresa që urdhëronte ekzekutimin e Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, nënshkruar nga ministri Hekuran Isai, 8 qershor 1984, në anë kishte një shënim… e pabesueshme… të drejtorit të Drejtorisë së Zbatim-Vendimeve Penale: “Me porosi të shokut ministër, dy të dënuarve që do të pushkatohen, sytë e tyre t’u jepen Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore”. Çfarë?! E lexova prapë. Tmerr! Vura duart mbi ballë si për të mbrojtur sytë nga një shkulje mizore. Ekzekutimi është bërë më 9 qershor, ora 24:00… pa togë pushkatimi, e kanë kryer dy persona… Cilët janë? Po ja, nga ata, të gjithë… Dhe pastaj u kanë nxjerrë sytë… si? Me bajonetë? Horror! Dhe ia kanë çuar ministrit sytë? Ku? Ia kanë lënë mbi tryezë? Po ai a ka trokitur në zyrën e Enverit për t’ia treguar? Shikonte diktatori? Vërtet ia dhanë Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore? Kriminale, thuaj. Ministritë e vdekjes!… Apo kanë dashur retinën a ndonjë nerv, që t’ia vendosnin syve të ngrirë të diktatorit? Si, me ç’mjet? Po ku mundin këta! Apo e kanë provuar njëherë. Dhe zgjodhën sy të guximshëm, nga të maleve… Po në ata sy të vdekur ka qenë revolta, pushkatimi… mos kanë dashur t’i shohin, t’i kalonin në ndonjë mikrofilm a t’i zhduknin fare…? Po më dhembnin sytë… E ç’nuk kanë bërë këta, kanë prerë këmbë e krahë nëpër tortura, me sharrë, kanë shkulur thonj, dhëmbë, të brendshmet, rropullitë i kanë derdhur, kanë mbuluar njerëz të gjallë me kokën përjashta mbi tokë, fol, i kanë ulërirë, u kanë prerë gjuhën për të mos folur kurrë. Dhe u paskan shkulur sytë të vrarëve. Jo, ua kanë shkulur para pushkatimit. Ej! U duheshin sy të gjallë… Mos! Po këta e paskan zhbërë njeriun fare!

Visar Zhiti

Emigrantët e kthyer në kërkim të punësimit

Ylli i The voice of Italy quhet Elhaida Dani