in

Qendra e Kulturës Shqiptare mbështet fushatën “Italia jam edhe unë”

Qendra e Kulturës Shqiptare (Centro di Cultura Albanese) mbështet fushatën kombëtare “Italia jam edhe unë”. Të shtunën më 10 dhjetor në orën 11.00, pranë selisë së ACLI-t të Lombardisë (via Luini 5, Milano) do të mbahet konferenca me të cilën do të shpallet zyrtarisht përfshirja aktive e C.C.A. në fushatë.

Romë, 7 dhjetor 2011 – Të shtunën, më 10 dhjetor, në orën 11, në selinë e ACLI-t të Lombardisë (via Luini 5, Milano), Qendra e Kulturës Shqiptare (Centro di Cultura Albanese) do të shpallë zyrtarisht përfshirjen e saj aktive në fushatën kombëtare “Italia jam edhe unë”, që ka për qëllim mbledhjen e firmave për dy propozime ligjore me nismë popullore: një për reformimin e ligjit të shtetësisë dhe tjetri për njohjen e të drejtës së votës emigrantëve.

Përfshirja do të shpallet gjatë një konference të organizuar posaçërisht, që do të moderohet nga Silvio Ziliotto, i Aclit të Milanos, dhe ku do të marrin pjesë përgjegjësi për politikat e imigracionit të Aclit në nivel kombëtar, Antonio Russo, përfaqësuesja e Qendrës së Kulturës Shqiptare për Lombardinë dhe njëkohësisht koordinatore e shoqatës Illyricum, Vasenka Rangu Leka, presidenti krahinor i Aclit të Lombardisë, Gianbattista Armelloni, dhe përfaqësues shoqatash të tjera lokale.

Qendra e Kulturës Shqiptare, në bashkëpunim me Aclin dhe komitetet promovuese të territoreve do të përpiqet të angazhojë aktivisht në mbështetje të

fushatës jo vetëm komunitetin e madh shqiptar të pranishëm në Itali, por edhe rrjetin e gjerë të organizatave dhe shoqatave italiane e të huaja me të cilat ajo bashkëpunon prej vitesh, për realizimin e iniciativave të promovimit kulturor e social.

“Nuk është rastësi që ne po e mbështesim me të gjitha forcat tona këtë fushatë, – thotë për shqiptariiitalise.com, Vasenka Rangu Leka, përgjegjëse për imigracionin e Qendrës së Kulturës Shqiptare për Lombardinë dhe koordinatore e shoqatës Illyricum. – Dua të kujtoj se sot në Itali jetojnë dhe punojnë mbi 500 mijë shqiptarë, nga të cilët mëse 1/3 në krahinat e veri-perëndimit, ku shtrihet kryesisht edhe veprimtaria e organizatës sonë”. 

Qendra e Kulturës Shqiptare është themeluar nga një grup intelektualësh, artistësh dhe operatorësh të kulturës dhe të sektorit të tretë. Ajo synon përhapjen në Itali të njohurive mbi historinë e kulturën shqiptare, favorizimin e integrimit të komunitetit shqiptar, si edhe promovimin e zhvillimit të marrëdhënieve kulturore, shoqërore dhe institucionale mes dy vendeve.

Ajo lind nga bashkimi i risurseve dhe i përvojës shumëvjeçare të disa partnerëve dhe është aktualisht e pranishme me seli të vetat në Piemonte dhe Lombardi, – ku përfaqësohet pikërisht nga shoqata Illyricum, – por edhe në qytete të tjera të Italisë, ku vepron gjithnjë në bashkëpunim me komunitetin lokal. Qendra e zhvillon veprimtarinë e saj në bashkëpunim e me mbështetjen e organizatave të ndryshme, publike e private, në Itali e Shqipëri, duke ndërthurur punën e dhjetëra vullnetarëve me përfshirjen aktive të përfaqësuesve të spikatur të fushës akademike, kulturore e letrare shqiptare.

Fatkeqësi në punë. Bie nga dhjetë metra e vdes 45-vjeçari Gjoka

Ambasadori italian Gaiani i paraqet letrat kredenciale presidentit Topi