Ndërsa përplasja mes finianëve dhe pjesës tjetër të PdL-s po bëhet gjithnjë e më e ashpër, Berlusconi mendon për një koalicion të mundshëm me forcën e qendrës të Casinit.
Lega, Calderoli: Jo marrëveshjes me UDC-në, nuk tradhtojmë zgjedhësit
UDC: As mendojmë të të hyjmë në qeveri me Legën
12 korrik 2010 – Lega i mbyll rrugën mundësisë së hyrjes në ekzekutiv UDC-së së Casinit. Për Bossin: “Me Casinin nuk ka dialog. Gjithnjë ka folur kundër Legës, në Veri e në Jug, ne jemi armiqtë e tij të vërtetë”.
Hipoteza e futjes në qeveri të forcës së qendrës së Casinit – për t’iu kundërvënë një shkëputjeje të mundshme të finianëve – vazhdon të diskutohet në brendësi të mazhorancës, por legistët nuk pranojnë një zgjidhje të tillë. Ministri për Thjeshtimin Normativ, legisti Calderoli sqaron: “rasti është i mbyllur, madje as që është hapur ndonjëherë”. Ndërsa ministrit La Russa që nuk mbyll krejtësisht dyert një bashkëpunim të mundshëm me Casinin Calderoli i përgjigjet: “ La Russa është ëndërrimtar, për ne problemi nuk ekziston. E kanë vendosur vetë qytetarët që kanë votuar për Pdl-n, dhe Legën, jo për UdC-në e Casinit. Zgjedhësit nuk i tradhtojmë”:
Por debati i brendshëm mbetet i hapur. Sot kryetari i Senatit, Schifani, në një intervistë dhënë Corriere della Sera thekson që “UdC dhe PdL vazhdojnë të kenë të njëjtat vlera” ndërsa për dinamikat e brendshme të PdL-s dhe mbi marrëdhëniet Berlusconi-Fini “Ose arrihet sa më parë një paqe strategjike, duke iu kthyer motiveve që na mbajnë të bashkuar, ose do të shkohet drejt një çarjeje traumatike”.
Nga vetë UdC bëjnë të ditur se “asnjë nuk ka ndërmend të hyjë në qeveri”. E sqaron në një intervistë dhënë sot shtypit, sekretari Lorenzo Cesa “Është e qartë, Lega ka të drejtën e vetos në këtë qeveri dhe sapo sheh se kjo pozitë i rrezikohet, alarmohet”. Vetë Casini është i idesë së “një qeverie të mbështetur mbi bashkëpunim mes forcave të ndryshme politike për reformat”, madje sipas tij, “këtë mund ta pranojë edhe PD por jo Lega e IdV e Di Pietros”.
“Qeveria nuk mund të fshehë më ndarjet e brendshme” komentojnë nga PD-ja, “Berlusconi vetë po mendon për mbështetje nga jashtë mazhorancës që doli nga zgjedhjet”, “Spektakël i turpshëm – deklaron Penati, kreu i sekretarisë politike të Bersanit – ndërsa me manovrën i kërkohet vendit një sakrificë e rëndë, e përbërë nga shkurtime në fondet për entet lokale dhe shërbimet ndaj qytetarëve”.