Mbledhja e sotme e qeverisë vendos mes të tjerash pezullimin për një vit të projekteve bërthamore. Për ambientalistët “një mashtrim që italianët të mos shkojnë në votime me frikën e bërthamores”
Romë, 23 mars 2011 – Qeveria Berluskoni në mbledhjen e saj të sotme ka vendosur pezullimin për një vit të agjendës së saj për rikthimin tek energjia bërthamore. Pezullimi është i vlefshëm për një vit, por nga burime të ndryshme duket se qeveria mendon ta zgjasë këtë periudhë në dy vjet. Dekret ligji i miratuar sot parashikon “pezullimin për një periudhë 12 mujore të procedurave për lokalizimin dhe realizimin e impianteve bërthamore në territorin italian”
“Moratoriumi i miratuar në Këshillin e Ministrave dhe hyn në fuqi që sot. – thotë një komunikatë – Ndaj ministria për Zhvillimin ekonomik dhe ajo e Ambientit nuk do të nisë procedurat për përcaktimin e vendeve dhe ndërtimin e centraleve”, Por në komunikatë saktësohet se “mbeten të konfirmuara depozita kombëtare për grumbullimin e skorieve dhe roli i Agjencisë për sigurinë bërthamore, si organi kompetent për studimin dhe programimin e politikave për Sigurinë Bërthamore.
Po sot këshilli i ministrave ka vendosur datën për mbajtjen e referendumit për t’i thënë “po” ose “jo” energjisë bërthamore: të diel 12 dhe të hënë 13 qershor 2011.
Fjala mashtrim është ajo që përmendet më shpesh në komentet e shoqatave ambientaliste ndaj vendimit të sotëm. “Qeveria dëshiron vetëm të shmangë që italianët të shkojnë të votojnë me makthin e kthimit të centraleve atomike në vend. Ndalimi për një vit apo për dy, për të vendosur mbi strategjinë nënkupton shtyrjen e çdo zgjedhjeje të mundshme jo thjesht pas zgjedhjeve lokale por përtej zgjedhjeve politike të vitit 2013” thotë presidenti i Legambiente Vittorio Cogliati Dezza. Për Greenpeace është fjala “për gjethe fiku me të cilën qeveria kërkon të turbullojë ujërat për t’u lënë italianëve të kuptojnë se referendumi i qershorit nuk është i nevojshëm”.
Pas aksidenteve në centralin e Japonisë, kundërshtarët e atomit që vlerësohen në 58 për qind e italianëve sipas sondazheve, janë rritur ndjeshëm në gadishull. Prodhimi i energjisë bërthamore për qëllime civili u ndërpre në Itali në vitin 1987 pas një referendumi të organizuar pas katastrofës së Çernobilit.