in

Qeveria u bën thirrje edhe emigrantëve të aplikojnë për Këshillin Mbikëqyrës të BSh-së

Kryeministri “fton shqiptarët e shqiptaret që punojnë sot në sistemin financiar ndërkombëtar” të ofrojnë kontributin e tyre profesional për BSh-në duke kandiduar për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, “për një përzgjedhje mes sa më shumë kandidaturash, për të vendosur meritat si parakusht të përzgjedhjes dhe për të thelluar depolitizimin e Këshillit”

Tiranë, 15 shtator 2015 – Ndërkohë që lajmi i ditës është zbutja e masës së sigurisë për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullanin, kryeministri Rama, përmes një postimi në Facebook, në emër të Qeverisë, lajmëron çeljen e garës – e hapur edhe shqiptarët që jetojnë jashtë – për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit mbikëqyrës të BSh-së. Kryeministri paralajmëron se, edhe pse qeveria po vë në dispozicion një adresë mail apostafat për nisjen e “letrave të shprehjes së interesit”, këtë e bën jo për të ndikuar zgjedhjen e anëtarëve, gjë që i takon Kuvendit të Shqipërisë, por për të siguruar “mundësi përzgjedhjeje sa më të gjerë”. Si afat i fundit i vlefshëm për  shprehjen e kandidaturës përmes mail-it përcaktohet data 30 shtator.

Ja komunikata e plotë e botuar nga kryeministri:

KONTRIBUT PROFESIONAL PER BANKEN E SHQIPERISE

Qeveria e Aleancës për Shqipërinë Europiane fton shqiptarët e shqiptaret që punojnë sot në sistemin financiar ndërkombëtar dhe që janë të disponueshëm të shqyrtohen si kandidatura të mundshme për t’u bërë pjesë e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, të postojnë letrën e tyre të interesit në adresën e çelur enkas keshillimbikqyresBSH[at]kryeministria.al.

Ky proces është tërësisht i bazuar në vullnetin e mirë të qeverisë për të dhënë kontributin e saj që Banka e Shqipërisë të dalë më e pavarur dhe më e sigurtë nga situata e krijuar. Prandaj edhe pse ligji nuk përcakton apo rregullon ndonjë proces a procedurë shprehjeje interesi për mënyrën se si përzgjidhen kandidatët e Këshillit Mbikqyrës nga propozuesit e tyre përpara se të votohen në Kuvend, ne e çelim këtë proces:
a) Për të pasur një mundësi sa më të gjerë përzgjedhjeje
b) Për t’i dhënë hapësirë të merret në konsideratë kujtdo që ka mundësi të japë një kontribut si edhe dëshirë që ta bëjë këtë
c) Për ta ngritur Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë në një stad të ri përgjegjësie e përgjegjshmërie profesionale
d) Për të vendosur meritën si parakusht të përzgjedhjes dhe thelluar depolitizimin e Këshillit Mbikqyrës

Çdo i interesuar mund ta përcaktojë vetë nëse dëshiron ose jo që shprehja e tij e interesit të bëhet publike. Mbledhja e letrave të shprehjes së interesit në adresën keshillimbikqyresBSH[at]kryeministria.al do të vijojë deri në datën 30 shtator.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Tëitter)

Gjykata e Apelit: Fullani arrest shtëpie, Golemi mbetet në burg

Milano. I dehur vendos të flejë në makinë. E gjejnë të vdekur