in

Rama emigrantëve në ShBA: “Me ju Shqipëria mund të bëjë atë që secili prej jush ka bërë individualisht”

Në takimin me shoqatën APEN, organizim profesionistësh dhe sipërmarrësish shqiptarë në Nju Jork, kryeministri fton të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të bashkojnë fuqitë e dijet në një rrugëtim të përbashkët. “Një nga fuqitë e mëdha të pashfrytëzuara të gjithë këtyre viteve është fuqia e shqiptarëve jashtë atdheut. Ju duhet të keni mundësi të kontribuoni për Shqipërinë, jo vetëm kaq sa kontribuoni sot duke i dhënë dinjitet emrit të Shqipërisë, me studimet tuaja, me kontributin tuaj aty ku punoni, me investimet tuaja, me biznesin që bëni këtu, por edhe duke i dhënë Shqipërisë sadopak nga dija juaj”

“Bashkë të realizojmë ndryshimin që i shtyu njerëzit të votonin duke na ngarkuar ne barrën e madhe, që ta bëjmë atë të mundur. Të ndërtojmë strategji, të mos mposhtemi nga vështirësitë”. Kështu u është drejtuar kryeministri Edi Rama emigrantëve në takimin më 27 shtator me shoqatën APEN, një organizim profesionistësh e sipërmarrësish shqiptarë në Nju Jork, duke kërkuar më shumë angazhim të shqiptarëve që kanë lënë gjurmë në shtetet ku kanë vajtur dhe ku kanë ngritur karrierat e tyre profesionale.

Sipas kryeministrit, “një nga fuqitë e mëdha e unë besoj të pashfrytëzuara të gjithë këtyre viteve është fuqia e shqiptarëve jashtë atdheut, fuqia e shqiptarëve që në mijëra rrugë të ndryshme kanë shkuar në të njëjtën drejtim, duke u bazuar tek talenti, tek vullneti i tyre”. Ndaj duke iu drejtuar të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit Rama u ka kërkuar të bashkojnë fuqitë e dijet në një rrugëtim të përbashkët: “Për të bashkuar rrugën e secilit prej jush me rrugën e vendit tonë. Duke synuar që ju të keni mundësi të kontribuoni për Shqipërinë, jo vetëm kaq sa kontribuoni sot duke i dhënë dinjitet emrit të Shqipërisë, me studimet tuaja, me kontributin tuaj aty ku punoni, me investimet tuaja, me biznesin që bëni këtu, por edhe duke i dhënë Shqipërisë sadopak nga dija juaj”.

I befasuar nga dëshira e jashtëzakonshme e drejtuesve të shoqatave shqiptare në ShBA për të kontribuar në Shqipëri drejtpërdrejt duke ardhur, duke dhënë leksione, duke bërë operacione, duke ndihmuar për legjislacionin Kryeministri Rama është shprehur se këtë gjë mund ta bëjnë edhe të tjerë pasi një pikëpyetje shumë e madhe për qeverinë e re është fakti që investimet e shqiptarëve të Amerikës janë simbolike në Shqipëri.

“Ne do të bëjmë çmos që pas 4 vitesh disa shembuj cilësorë të jenë ndërtuar, për të treguar se jo vetëm është e mundur, por është e dëshirueshme, që të ketë sa më shumë investime nga shqiptarët e Amerikës dhe Shqipëria të jetë vendi ku çdo shqiptar qoftë i Amerikës, qoftë i kujtdo vendi të mund të bëjë biznes dhe të mund të bëjë sukses. Dhe të mund ta bashkojë edhe Shqipërinë në hartën e suksesit të saj.”

“Shqipëria mund të bëjë atë që secili prej jush ka bërë individualisht”, ka nënvizuar ndër të tjera Kryeministri Rama në këtë takim. “T’i japim dinjitet vetes, familjes dhe vendit” ka theksuar Edi Rama duke shprehur vendosmërinë se Shqipëria mund ta bëjë këtë. Dhe që Shqipëria ta bëjë këtë të gjithë anëtarët e familjes sonë të përbashkët duhet të bëjnë diçka. Të gjithë së bashku duhet të ndërtojmë një strategji të përbashkët për të çuar përpara ëndrrën e një vendi që të jetë krenaria jonë jo vetëm për Fan Nolin apo për Faik Konicën. Jo vetëm për çka mund të referojmë në të shkuarën, por edhe për çka ne vetë bëmë në të tashmen që e ardhmja të jetë më e mirë,” ka përfunduar Kryeministri.

 

Greqi. Arrestohet udhëheqësi i Agimit të Artë, Nikos Michaloliakos

Rama në OKB: “Sfida ime të sjell ndryshimin, të ndërtoj rilindjen”