in

Rama në Selanik: “Emigrantët të jenë edhe aksionerë politikë për Shqipërinë”

“Deri më sot emigrantët janë aksionerë të rëndësishëm ekonomikë, është e rëndësishme që të jenë edhe aksionerë politikë”. Kështu u shpreh kryetari i opozitës Kryetari i PS-së, Edi Rama, në Selanik gjatë një takim me shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë në Greqi, ku promovoi librin e tij “Kurban”. 

“Deri më sot organizimi i emigrantëve për votime ka qenë një dukuri sporadike. Kanë votuar vetëm grupe shumë të vogla njerëzish, krahasuar  me bashkësinë e madhe të emigracionit, veçanërisht në Greqi. Sot ky është një imperativ për ju dhe për ne, për bashkësinë këtu dhe për Shqipërinë. Dita e votimit përcakton jo thjesht se kush fiton atje, por sesi do të jetë Shqipëria me ju dhe çfarë Shqipërie do të keni ju. Dhe, sa Shqipëria do të jetë e aftë t’ju dëgjojë, t’ju hapë derën, t’ju mbështesë, t’ju ri-integrojë”, u shpreh kreu i PS-së.

Kreu socialist vlerësoi sakrificat dhe kontributin e pazëvendësueshëm të emigrantëve dhe kritikoi faktin që shteti shqiptar, nuk ka bërë asgjë në 20 vjet për këtë kategori aq të madhe dhe të rëndësishme, pavarësisht rolit që ata luajnë në ekonominë vendase duke u bërë, siç i quajti, “aksionerë të rëndësishëm ekonomike”.

“Unë besoj që Shqipëria në kushtet që është sot dhe mbas 20 vjetëve që kanë kaluar nuk mund ta bëjë dot kapërcimin madh pa mbështetjen tuaj. Jo mbështetjen ekonomike, por mbështetjen politike. Kjo që po them s’ka të bëjë me interesin partiak timin, kjo ka të bëjë me një të vërtetë absolute, sipas meje. Ju keni një potencial shumë të madh demokratik, brenda gjithë bashkësisë suaj, pa të cilin Shqipëria nuk e bën dot kapërcimin e madh që ne dëshirojmë”, është shprehur Rama.

“Kurbanin”, Rama e konsideroi një libër për jetën e tij, për jetën e qytetit të tij e të shqiptarëve”, libër ku sipas tij, gjithkush mund të gjejë përgjigje për pyetjet që i kanë mbetur pezull. Rama tha se libri flet për ndasitë që ka krijuar politika në Shqipëri, së cilës njerëzit i paguajnë një çmim të lartë e të paarsyeshëm. “Ju jetoni e punoni në një vend si Greqia, ku protestat e popullit shkaktojnë ndryshime politike”, tha kryetari i PS dhe sugjeroi se është koha që edhe në Shqipëri, politika të varet nga njerëzit dhe jo njerëzit nga politika. 

Kryetari i PS-së shoqërohej nga sekretari për emigracionin dhe rininë në PS, Erion Veliaj, deputeti i PS-së nga Elbasani, Taulant Balla, dhe kreu i bashkisë së Korcës, Niko Peleshi. Gjatë qëndrimit në Selanik, Rama ka zhvilluar edhe një takim me Kryetarin  e Bashkisë, Janis Butaris.

 

Saimir Strati, për herë të gjashtë në Guiness

M.Shkurti merr lejeqëndrim për motive familjare. Tani mund të kurohet falas në Itali