Kryeministri Edi Rama ka folur mbrëmë në një lidhje për televizionin britanik Sky News për përfshirjen e vendit tonë në debatin që po zhvillohet në Britaninë e Madhe mbi referendumin nëse duhet të qëndrojë apo jo në Bashkimin Evropian.
Intervista e plotë Kryeministrit Edi Rama për Sky News Tonight me Adam Boulton:
Ju pëlqeu propozimi i Michael Gove për një Aleancë Ballkano-Britanike?
Unë e dëgjova për herë të parë nga dikush në zyrën time dhe në fillim kujtova se ishte shaka, por pastaj kur i hodha një sy tekstit, duke njohur dhe respektuar inteligjencën e z. Gove, u habita. Mu duk e çuditshme që z. Gove po bënte thirrje për këtë lloj konfederate dhe për një model që ne shqiptarëve nuk na pëlqen ta kemi si model të marrëdhënieve me BE-në. Ne duam të jemi pjesë e BE-së, e jo të vuajmë jashtë BE-së kushtet që na imponon kjo lloj situate, ky lloj pozicioni që kemi aktualisht.
Çfarë ju pëlqen tek BE-ja?
Para së gjithash më duhet të them, me gjithë përulësinë time, nga larg duket shumë e çuditshme që vendi i Winston Churchill-it, një nga shoqëritë më të mëdha në Europë dhe në botë, shoqëria britanike, po diskuton nëse duhet të dalë apo të qëndrojë në BE dhe po harron thelbin e debatit, që BE-ja u konceptua dhe ndërtua si një projekt i paqes, sigurisë dhe zhvillimit. Deri tani ajo i ka përmbushur këto tri gjëra për vendet që janë pjesë e saj dhe nëse ka gjëra që nuk po funksionojnë, ato kanë të bëjnë me faktin se projekti është ende i pa përfunduar, nuk ka ende një bashkim vërtet funksional. Në gjykimin tim, kjo nuk do të thotë se projekti i europian është i gabuar dhe nuk ka të bëjë aspak me faktin se BE-ja është një problem.
Shikoni çfarë i ndodhi vendit tuaj fqinj, Greqisë. Nëse Shqipëria do i bashkohet BE-së, duhet të angazhoheni që një ditë do jeni dhe pjesë e Euros dhe pastaj mund të shtypeni, apo jo?
Po u thoni këtë britanikëve?! Po thoni që Greqinë e shkatërroi BE-ja?! Në fakt, e vërteta nuk është kaq e thjeshtë. BE-ja është një forcë shtytëse për reforma. Shiko Ballkanin, shiko vendin tim, shiko Serbinë. Nëse Greqia vuajti atë që vuajti, kjo nuk ndodhi sepse “BE-ja po shkatërronte ekonomitë dhe po shtypte popujt”, por sepse reformat nuk ishin përfunduar ende dhe në procesin e reformave kishte shumë pengesa, shumë luhatje dhe shumë të pavërteta që ata i thanë vetes, me të cilat më pas iu desh të përballeshin.
Po diskutojmë gjëra që po fliten në këtë debat dhe që nuk janë opinioni im. Një tjetër gjë për të cilën flitet është se nëse ne qëndrojmë në BE, shqiptarët do të vijnë lumë në Angli.
Pra, një ditë do keni miliarda e miliarda shqiptarë që do fluturojnë në qiejt anglezë dhe do t’ju pushtojnë si në ato filmat fantastiko-shkencorë. Jo, jo! Shqiptarët, serbët dhe të tjerë në rajon kanë prej vitesh një regjim pa viza dhe mund të lëvizin lirshëm kudo në Europë, përveç Mbretërisë së Bashkuar. Kështu që, pyesni gjermanët, pyesni francezët, pyesni danezët, pyesni kë të doni nga vendet e tjera më të pasura, nëse i kanë parë qiejt e tyre të nxirë nga shqiponjat shqiptare që shkojnë aty dhe sulmojnë popujt. Kjo është absurde! Është totalisht absurde! Unë nuk arrij ta imagjinoj sesi një shoqëri kaq e mrekullueshme siç është ajo britanike, mund të përfshihet në këto lloj debatesh.
See more: UK Skies Won’t Be ‘Blackened By Albanian Eagles’
Lexo edhe: Gafa e një britaniku pa humor si Michael Gove