in

Rastësitë fatlume të Klodian Dedës

Shqipëria zyrtarisht nuk merr pjesë, por është e pranishme në Biennale d’Arte di Venezia nëpërmjet projektit anësor Krossing, me artistët Venera Kastrati, Robert Aliaj Dragot, Artan Shabani, Eliza Hoxha.
Dhe Klodian Deda. Ai është ndoshta më i riu ndër shqiptarët e Venecias, dhe bën pjesë në brezin më të ri të artistëve konceptualë shqiptarë, të formuar plotësisht jashtë Shqipërisë

klodian_deda.gifKlodian Deda është një nga emrat e shqiptarëve që janë duke ekspozuar në Biennalen e sivjetshme të Venecias. Ai është ndoshta më i riu ndër shqiptarët e Venecias, dhe bën pjesë në brezin më të ri të artistëve konceptualë shqiptarë, të formuar plotësisht jashtë Shqipërisë. I lindur në Pukë në 1981, Deda ka zgjedhur Italinë për të marrë atë që Shqipëria nuk arrin t’i ofrojë as brezit të tij aktualisht, prurjen e artit bashkëkohor dhe daljen nga klasicizmi akademik që ende vazhdon të mbizotërojë në ambientet artistike në Shqipëri. Por rrugëtimi i tij në botën e artit ka filluar me mësimet e skulpturës në Shqipëri, kurse pikturës i është konvertuar gjatë viteve të fundit ndërsa është duke studiuar në Akademinë prestigjioze të Brerës. Por ekspozitave artisti i ri shqiptar shfaqet me një tjetër përmasë, përtej pikturës e përtej skulpturës klasike, nëpërmjet artit konceptual bashkëkohor që përcjell mesazhe të spikatura plot me simbolizëm e me ironi në ndërthurje e materialeve dhe objekteve ekzistuese që tronditin në kombinime të gjetura, e të pamendueshme sendesh që përndryshe nuk do të gjendeshin bashkë. Janë të shumta ekspozitat e rëndësishme ku ai ka marrë pjesë, ndërsa aktualisht emri i tij radhitet ndër pjesëmarrësit e biennales së Venecias, një eveniment artistik madhor ky që kushdo ndër artistët e nivelit të tij do të synonte.

Di të jetë i larmishëm e i paparashikueshëm artisti shqiptar. Spikasin ndër punët e tij instalacione që ngjasojnë të frymëzuara nga një pop-art i vonë me sfumatura politike, si një vepër ku disa bluza shfaqen të nderura me kokë poshtë në disa korniza. Apo një portë e tejdukshme, me skelet prej hekuri të formuar nga kolazhe trekëndëshash ngjyrë blu të errët, duke prodhuar një derë që nuk kryen plotësisht funksionet përmbyllëse të një dere, por që i ngjason konceptit të derës dhe trondit me çudinë e saj blu, trekëndore, dhe boshësisë së skeletit që duhet të përmbante sipërfaqen izoluese. Akoma më ndryshe janë disa nga veprat e tij që kanë në qendër karriget, karrige, me ngjyra, si të nxjerra nga dhoma e ndenjjes së një shtëpie modeste, e të ngjyrosura me ngjyrat bazë sipas kuptimit që vetë autori ka dashur tu veshë elementeve përbërëse të punëve të tij. Kanë qenë pikërisht karriget protagoniste të një ekspozite të zhvilluar në Shqipëri, në kështjellën e Lëkursit në Sarandë. Karriget janë parë të kacavirren në portën e kështjellës së Lëkursit. Ndërsa në një tjetër vepër të titulluar Family, karriget shtëpiake janë të mbivendosura mbi sedilet e një makine, me një kombinim të paimagjinueshëm të këtyre dy objekteve të të njëjtit funksioni. Po aq sugjestionuese është edhe një skulpturë leckash, që si një stivë e çrregullt rrobash ngrihet e zhvillohet nga dyshemeja në formë pikëpyetjeje.

Ashtu si edhe gjithë shqiptarët e tjerë, punët e të cilëve janë aktualisht të ekspozuara në Venecia, edhe për Dedën arti është një veprimtari individuale, e sponsorizuar me vështirësitë dhe mundësitë e veta për hir të artit dhe asgjë përtej kësaj. Por realisht këta artistë edhe pse me iniciativën e tyre, dhe me mjetet e veta, janë paraqitur në Biennalen e Venecias, që është një prej takimeve më të rëndësishme e më prestigjioze të kësaj natyre në nivel botëror, duke shpënë atje emrin e Shqipërisë, e madje duke u konsideruar si përfaqësues të Shqipërisë. Ndërsa Shqipëria në këtë rast, i bie të jetë një përfituese free-rider prestigji dhe emri, pa pasur investuar absolutisht asgjë. Ndihet zhgënjim dhe pothuaj shpotitje ndaj Shqipërisë së nderuar qyl, ndërsa artistët flasin për marrëdhëniet e tyre me vendin prej nga vijnë dhe të cilin duan apo nuk duan ata përfundojnë të përfaqësojnë nëpër takime të tilla ndërkombëtare.

INTERVISTA

Shqiptari i Italisë: Si ndodhi që u transferove pikërisht në Itali? E pastaj, pse Milanon?

Klodian Deda: Ndodhi krejt rastësisht. Një ditë po flisja me një shokun tim që studion këtu në Bicoca. Dhe po i tregoja disa nga vizatimet e miat. Ai pasi i pa të gjitha hapi sytë nga habia, dhe më tha: Ti duhet të frekuentosh një akademi… nuk duhet të rrish kështu e ta lësh veten pas dore. Kështu nisi gjithçka, dhe unë fillova ta merrja seriozisht atë që më tha ai. Pas takimit tonë, bëra një kërkim në internet ku informacione të ndryshme për akademitë e arteve. Atëherë vendosa të vija në Milano, konkretisht në Akademinë e Brerës të cilën të them të drejtën në atë kohë nuk e njihja. Pra ndodhi kështu, qe më shumë një rastësi fatlume. Kjo ndodhi katër vite më parë dhe prej asaj kohe, vazhdoj të studioj e të jetoj në Milano, duke frekuentuar akademinë e Brerës. Natyrisht nuk ishte një rastësi e lehtë, dhe e lumtur, si e rënë nga qielli, mu desh të përballesha me vështirësi të ndryshme për të hyrë në akademi. Për shembull, mjafton të përmend faktin se duke qenë që nuk kam bërë një lice artistik, vetëkuptohet që nuk isha shumë i përgatitur në pikturë. Megjithatë kjo nuk më pengoi të bëja një kërkesë për të hyrë në akademinë e Brerës. Por për shkak të papërgatitjes sime që thashë më parë, për fat të keq nuk arrita ta kaloja provimin e pikturës. Por ndodhi për fatin tim të mirë, që aty rastisi një profesor, i cili ishte aty kur unë mora rezultatin negative, dhe më pa shumë të dëshpëruar. Ai më ftoi të ndiqja një kurs pikture me klasën e tij, për një vit. Dhe natyrisht unë nuk mund të refuzoja, sepse nuk kisha tjetër zgjedhje. Për pasojë, veprova siç më tha ai. Kalova rreth gjashtë muaj në klasën e pikturës dhe vitin tjetër pastaj më pranuan në akademi pa vështirësi këtë herë.

rroba.gifDhe pastaj erdhën njëra pas tjetrës ekspozitat në aktivitete të rëndësishme në Shqipëri, e më së fundi edhe pjesëmarrja në biennalen e Venecias së sivjetshme…

Po, edhe për këto duhet të them se janë gjëra që kanë rrjedhur disi në vazhdën e rastësive fatlume. Thuhet shpesh herë se për disa gjëra duhet të ndodhesh në vendin e duhur në kohën e duhur. Dhe kam përshtypjen se kështu më ndodhi mua. Para dy vjetësh isha në Tiranë. Shkova të takoja një shokun tim në lokalin e tij. Ishte vonë dhe bari ishte bosh, ndërsa shoku im po pinte kafe me dy persona të tjerë. E përshëndeta, dhe u ula në një tavolinë pak larg tij. Ishte një mbrëmje e qetë, rutinë në kur nuk pret të ndodhë asgjë e veçantë. Por nuk kaluan as dy minuta dhe dëgjova shokun tim të më thërriste, “hajde këtu në tavolinë me ne – më tha – njëri nga këta dy personat dëshiron të flasë me ty. Unë pa ndonjë interes të veçantë iu përgjigja, ok, nuk ma merrte mendja se ç’mund të ishte. Atëherë: përshëndetje, unë jam Andi më tha njëri prej tyre. Njoha kështu Andi Tepelenën, drejtorin e Artkontaktit, që është shndërruar viteve të fundit n një pikë të rëndësishme referimi për artistët bashkëkohorë shqiptarë. Në fakt më pas mora vesh s ishte duke organizuar një nje festival të artit bashkëkohor në Sarandë këtë verë. Kuptohet që shfrytëzova rastin t’i flisja për punët e mia që kisha përfunduar dhe ato me të cilat po merresha në atë moment. Në kohë rekord më ftoi të merrja pjesë në festivalin që ishte duke organizuar në Sarandë, dhe unë mendova një projekt për ta paraqitur atje. Bëhej fjalë për një instalacion. Ishte një instalacion me karrige të ngjitura në portën e kalasë së Lëkursit. Edhe pse ishte ekspozita ime e parë e këtij lloj, projekti pati aq sukses sa sot m’u besua edhe paraqitja e një projekti e për pasojë pjesëmarrja në edicionin e sivjetshëm të Biennales së Venecias.

Instalacionet, janë një fazë e zbuluar së fundmi në punët e tua? Cili është formimi yt i mëparshëm?

Kam një formim më shumë akademik si gjithë artistët shqiptarë në përgjithësi që janë formuar në shkollat shqiptare. Të gjithë kalojnë përmes parimeve që synojnë të diçka për të plotësuar normat akademike. Por mua, e gjitha kjo pas një faro kohe mund të them se më rrinte ngushtë. Dhe për pasojë unë fillova të projektohesha jashtë saj, fillova në këtë mënyrë të kërkoja më shumë. Nuk dëshiroja të ndalesha në skulpturën klasike, pra atë të masës, të shesheve, me estetikë të thjeshtë e të drejtpërdrejtë që gjymton anën konceptuale të një pune. Unë kërkoja, dhe natyrisht vazhdoj t’i përmbahem këtij parimi, diçka më shumë, jashtë skulpturës, diçka filozofike, polemike, mbi temat sociale veçanërisht. Kjo sepse jemi në një moment kur kjo botë ka nevojë për të tilla ngacmime ndoshta më shumë se kurrë më parë në të kaluarën e kësaj pjese të botës ku ne jetojmë.

Por, si fillove të merreshe me instalacione duke u nisur nga eksperienca akademike? Nuk është diçka automatike natyrisht. Cila ishte pak a shumë shtysa?

Po në atë sistem shkollor format e artit bashkëkohor dhe eksperimental nuk ishin të rrokshme lehtësisht e automatikisht. Mund të them se instalacioni lindi në mua duke zbuluar e njohur artistët bashkëkohorë. Ekziston një mekanizëm në metabolizmin artistik të individëve që merren me art, sipas të cilit, artisti mbledh, mbledh, e mbledh, dhe në një kohë të caktuar, atëherë kur vjen momenti për një projekt ai krijon një bagazh te tijin të vetëmjaftueshëm, prej nga burojnë idetë dhe ngacmimet. Kështu ndodh që vepra e radhës lind natyrshëm, e pothuaj vetvetiu.

Në ditët e sotme, në Shqipëri një artisti që dëshiron të inkuadrohet në artin bashkëkohor, sipas teje i jepen mundësitë për të ndjekur këtë lloj arti?

Absolutisht jo, nuk ka se si të ndodhë. Dhe jam i sigurt se një gjë e tillë nuk do të ndodhë deri sa të largohen profesorët e sotëm, ne moshë të cilët mund të thuhet pa frikë se kanë bllokuar akademinë shqiptare.

Do të thuash se ndihet ende e kaluara, fryma e izolimit të regjimit komunist? Ende pas 20 vjetësh?

Për fat të keq po. Jo vetëm në hapësirat artistike ku atmosfera është mbytëse, por në çdo ambient institucional e politik.

ho fame.gifNuk është kjo diçka e çuditshme ende pas 20 vjetësh?

Në të vërtetë do të parapëlqeja të mos flisja shumë mbi këtë temë. Problemi ekziston dhe duhet qenë kritikë ndaj tij, nuk e mohoj, Por ndoshta jemi aq shumë të lodhur, i kemi shterur energjitë për tu marrë me këtë problem. Siç thotë Kadare, koha do të flasë për popullin shqiptar. Edhe në këtë prizëm unë do të thosha, le t’ia lëmë kohës.

Si ke hyrë në botën e artit?

Që i vogël perceptoja një lloj interesi. Për shembull ulesha përballë televizorit për të ndjekur edicionin e lajmeve të orës tete. Në të vërtetë nuk ishte një zgjedhje e imja, siç mund të vetëkuptohet, isha më shumë i detyruar sepse atë e ndiqte babai im. Ndërsa unë me kureshtje e ndiqja për të tjera arsye. Pjesa më interesante e atyre lajmeve, të cilën mezi prisja të vinte, ishte në fund kur fliste për ndonjë ekspozitë që ishe hapur në Tiranë. Më entuziazmonin ato ekspozita pa masë. Ndjeja diçka brenda edhe sot e kësaj dite të papërkufizueshme lehtë.

Si lindin punët e tua?

Zakonisht kam një projekt. Bazohem përgjithësisht mbi të. Por kjo nuk do të thotë se shpesh nuk më nxisin gjëra që më dalin përballë pa pritur.

Nga vijnë përgjithësisht shtysat? Për shembull tek vepra e karrigeve në portën e kalasë si ndodhi?

Tema në atë punë, ishte Nomadizmi si koncept. Por idenë e karrigeve për të bërë një punë e kisha kohë më parë. Duke u bazuar mbi temën vendosa karriget në rresht. Sepse të vendosura në atë mënyrë ato simbolizojnë karvanët e njerëzve që janë gjithmonë në lëvizje. Këtu krijohet kontrasti ndërmjet dy elementeve. Kalaja dhe toka janë ato të dyja që simbolizojnë ngritjen dhe zbritjen e këtyre njerëzve nga malet ne fusha, nga fushat në male. Vete kalaja nga ana e saj është simbol i një bashkimi, mbledhjeje, strehe. Po ashtu edhe ngjyrat bartin simbolikën e vet. Kanë diçka që duan të transmetojnë. E kuqja simbolizon tokën. Bluja ujin dhe qiellin, jeshilja frytin.

Si u realizua pjesëmarrja jote në Biennalen e Venecias? Ka dhënë ndihmesën e vet edhe shteti shqiptar?

Më erdhi një kërkesë nga Andi Tepelena, drejtori i Artkontaktit. Ndërsa për ndihmesën e shtetit shqiptar, si gjithmonë nuk mund të mos më vijë për të qeshur. Si në ekspozitën e Sarandës, për të cilën fola më parë ashtu dhe në Venecia kam qenë vetë unë që e kam sponsorizuar punën time. E bëj sepse dua të jem pjesë e botës së artit, të prodhoj diçka që lind nga unë. Tek e fundit nuk është diçka e tmerrshme e parë artistikisht. Për shembull Jackson Pollock shiste një pikturë të tijën për të blerë 20 birra. E rëndësishme është të prodhosh diçka dhe me ato mundësi që ke.

guardando indietro.gifSi shpjegohet që shteti shqiptar ka një indiferencë të tillë?

Është faji i kulturës që mbizotëron në institucionet shqiptare. Në qoftë se në biennalen e Venecias do të përfaqësoheshim me Miss Shqipërinë shtetarët do të ishin të gatshëm të paguanin edhe shifra marramendëse për një gjë të tillë. Por siç thashë më parë nuk do të doja të flisja mbi këtë temë.

Me se je paraqitur në Biennalen e Venecias?

Në Biennalen e Venecias u prezantova me një instalacion të krijuar në vend. Është një instalacion që formon 2 kube të futur njëri brenda tjetrit. E gjithë vepra prezantohet para publikut në ajër, 3-përmasore. Pra publiku mund ta shijojë punën duke i rënë rreth e rrotull. Janë 52 korniza ku secila simbolizon një rrugë-terren, një pikësynim për t’u arritur. Jo të gjitha janë të një përfundimi në perspektivë. Pra janë disa më të gjata dhe disa më të shkurtra. Titullohet “Duke shikuar mbrapa”. E kam konceptuar si një lloj metafore. Sit ë thuash, rrugët tona janë si korridoret e hoteleve. Janë të gjatë dhe kërkon të shkosh në fund për të marrë ashensorin. Të duket sikur nuk përfundon ai korridor. Kthehesh mbrapa për të parë pjesën e rrugës që ke përshkuar për të kuptuar se dhe sa rrugë të ka mbetur.

Kështu mendoj janë dhe pikësynimet tona, nganjëherë duhet të shohim mbrapa për të kuptuar cfarë na pret përpara.

Cilët artistë të shërbejnë kryesisht si pika referimi?

Felix Gonzales Torres thotë: unë jam këtu për të lënë një shenjë. Dhe një gjë te tillë ai e bëri dhe pse vdiq i ri. Më pëlqen Maurizio Cattelan dhe Jeff Koons. Mënyra se si prezantojnë punët e tyre. Bëjnë gjithmonë diçka që të diskutohet.

Çfarë mendon për artin bashkëkohor në Shqipëri?

Arti bashkëkohor që lind në Shqipëri vazhdon të jetë i varfër. Shqipëria në rang ndërkombëtar prezantohet gjithmonë me artistët që jetojnë e punojnë jashtë saj.

Duke dashur të bësh një bilanc, çfarë të ka ofruar Italia?

Në këto tre vitet e akademisë më ka afruar aq shumë sa e gjithë pjesa tjetër e jetës sime. Ndoshta sepse gjeta diçka që më parë e shijoja vetëm në sipërfaqe.

Marjola Rukaj

Shqiptari i Italisë i muajit shtator 2009

 

Bardha, portret i njërës prej nesh

Emigrantët dhe radhët e ferrit për kartat e identitetit