in

Referendum kundër importit të plehrave. 60 mijë firma në KQZ

Janë dorëzuar më 13 mars firmat e mbledhura nga Aleanca kundër importit të plehrave për mbajtjen e referendumit për shfuqizimin e ligjit të miratuar pak muaj më parë që lejon importimin e mbetjeve në Shqipëri

Tiranë, 14 mars 2012 – Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) ka dorëzuar të martën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve 60 mijë firmat e mbledhura për mbajtjen e referendumit popullor kundër importit të mbetjeve në Shqipëri (mjaftonin 50 mijë firma).

Sipas AKIP, ligji që lejon importin e mbetjeve dëmton Shqipërinë, pasi vendi ynë nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të trajtuar mbetjet nga importi. Aleanca thekson gjithashtu se lejimi i importit të plehrave bie ndesh me Strategjinë Kombëtare të një Zhvillimi të Qëndrueshëm si dhe me Konventën e Aarusit.

AKIP kërkon praktikisht që të hiqen me referendum nenet dhe 22/3 dhe 49 të ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve i cili u miratua fundvitin e kaluar. Këto dy nene lejojnë importimin e mbetjeve urbane nga vende të tjera në shërbim të industrive ricikluese, duke rrezikuar jetën e shoqërisë dhe mjedisin shqiptar.

Ligji shkaktoi debat në shoqërinë civile që gjatë diskutimit të tij. I miratuar nga parlamenti ai nuk u firmos fillimisht nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, sipas të cilit “duke parashikuar dhe lejuar importin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë jo vetëm nuk mundëson parandalimin ose pakësimin e ndikimeve negative nga krijimi i mbetjeve, por ai shton edhe përdorimin e burimeve të mbetjeve”.

Por në nëntor 2011 Kuvendi i Shqipërisë hodhi poshtë dekretin e presidentit dhe la në fuqi pa e ndryshuar ligjin mbi menaxhimin e mbetjeve.

Lexo edhe:

Maroni: “Ne legistët, racistë sepse na leverdis”

Mbërrin në Rinas nëntetari i plagosur në Afganistan Aleksandër Peçi