in

Reforma e Shtetësisë. Nesër në Senat Mario Giordano e Souad Sbai

Gazetari dhe ish deputetja (politikisht shumë pranë Salvinit) do të marrin pjesë në seancën dëgjimore në Komisionin për Çështjet Kushtetuese. Bashkë me ta edhe profesori i të drejtës publike Francesco Saverio Marini

Romë, 11 prill 2016 –  Edhe Mario Giordano, Souad Sbai e Francesco Saverio Marini do të ndihmojnë senatorët për t’u orientuar më mirë lidhur me reformën e shtetësisë për brezat e dytë.

Mario Giordano e Souad Sbai

Në Senat, Komisioni për Çështjet Kushtetuese është duke u marrë me kriteret e reja që duhet të përmbushin bijtë e imigrantëve për t’u bërë italianë. Pasi kanë mbyllur diskutomin e përgjithshëm mbi tekstin e miratuar në Dhomën e Deputetëve, para se të kalojnë në prezantimin e modifikimeve të mundshme të tekstit, senatorët kërkuan të dëgjojnë mendimin e disa ekspertëve dhe shoqatave. Më 30 mars u dëgjuan prefekti Di Caprio i Ministrisë së Brendshme, disa nga shoqatat nismëtare të fushatës “Italia jam edhe unë”, Rete G2, Unicef e Save the Children. Me përjashtim të prefektit, të tjerët u kanë kërkuar senatorëve të nxitojnë, të mos humbasin më kohë por të miratojnë reformën që ka problemet e saj për shkak të kompromisit që u desh të arrihet në gjirin e mazhorancës në Dhomën e Deputetëve.

Ka të gjitha gjasat që krejt tjetër do të jetë nesër qëndrimi i drejtorit të Tg4 Mario Giordano, së fundi autor i “Profugopoli. Quelli che si riempiono le tasche con il business degli immigrati”. Verën e shkuar, në një artikull në Libero, Giordano bënte ironi me emergjencën e reformës së shtetësisë: “E mos vazhdoni të thoni se politikanët nuk janë pranë problemeve të njerëzve […] Dihet nga të gjithë që në çdo familje, në darkë, të gjithë pyesin me ankth: do t’ua japin apo jo shtetësinë të huajve?”.

Souad Sbai, eksperte e fesë islamike dhe aktiviste për të drejtat e grave imigrante, u zgjodh deputete në radhët e Popullit të Lirive të Berlusconit (për pak muaj ndoqi Finin në Futuro e Libertà per l’Italia, por shpejt u kthye mbrapsht), ndërsa sot është në grupimin  romak të Legës “Noi con Salvini”.  

Gjatë legjislaturës së shkuar depozitoi në Dhomën e Deputetëve një propozim mbi reformën e shtetësisë. Parashikonte që bijtë e imigrantëve të lindur e të rritur në Itali të bëheshin italianë pas përfundimit të shkollës së detyrueshme dhe fuste testin e integrimit për të rriturit.

Ka shumë mundësi që të jetë më shumë teknike se e apasionuar ndërhyrja e profesorit avokat Francesco Saverio Marini, docent i të drejtës publike në universitetin  e Romës Tor Vergata. Për të është hera e dytë që jep mendim mbi reformën e shtetësisë; e dha edhe në Montecitorio gjatë hulumtimit njohës të kërkuar nga deputetët.

Elvio Pasca

 

Zhduken dy vajza. Në vend që të shkojnë në shkollë, marrin një autobus e ikin

Ç’nuk bёhet pёr tё fituar. Qoftё edhe Festivalin evropian tё kёngёs