Që nga shtatori i vitit të kaluar, kur shenjat e para të mbylljes së kufijve të Europës qendrore dhe jugore u shfaqën, një debat thellësisht teorik është zhvilluar në Shqipëri: T’i hapim ajo jo dyert për refugjatët? Në thelb, pyetja është e pavend.
Nga Gjergj Erebara, BIRN
Shqipëria nuk është vënë fare në provën nëse duhet apo si duhet të sillet në rast se një numër refugjatësh lufte dhe migrantësh vijnë në Shqipëri, megjithatë, në mënyrë shumë të çuditshme, kjo pyetje është rrahur mbarë e prapë në një numër të madh lajmesh dhe emisionesh televizive debati.
Që nga shtatori i vitit të kaluar, kur fillimisht Hungaria, e më pas, vende të tjera të Europës, deklaruan rikthimin e kontrolleve kufitare të hequra njëzet vjet më parë, Shqipëria është zënë në një stuhi të zhvilluar në rrafshin teorik. A mund të vijnë? A mund të kthehet Shqipëria në rrugë tranzit? A rrezikojmë një dallgë të re trafikantësh me skafe përmes Adriatikut? A duhet t’i hapim kufijtë? A duhet t’i mbyllim ata?
Që të gjitha, duke qenë pyetje teorike, mund të marrin përgjigje nga më të ndryshmet, gjithashtu teorike.
Në thelb, Shqipëria nuk është një alternativë për refugjatët as si vend qëndrimi dhe as si korridor për kalimin në Europën Qendrore. Mjafton të shohësh hartën për të kuptuar se rrugëtimi më i shkurtër dhe me më pak pengesa nga Selaniku për në Vienë kalon përmes Bullgarisë e Serbisë ose Maqedonisë e Serbisë. Në këto korridore, refugjatët u ngarkuan nëpër trena nga qindra vetë njëherësh, nga një kufi në tjetrin, nga Greqia në Serbi e nga Serbia në Hungari. Pothuajse të gjithë ata që kaluan, paguan biletën e trenit, e cila është relativisht e lirë. Mjaftojnë pak euro për të kaluar nga kufiri me Greqinë në kufirin me Serbinë përmes të gjithë Maqedonisë.
Nga Shqipëria, refugjati hipotetik do të duhet të vuajë ca më shumë nga sa po vuan aktualisht. Përgjatë Adriatikut ka shumë më tepër kufij për të kaluar dhe asnjë linjë hekurudhore. Refugjatit hipotetik do t’i duhet të kalojë nga jugu i Shqipërisë për në kufi me Malin e Zi, dhe më pas nga Mali i Zi, në Bosnjë ose Kroaci e më tutje, sërish në Kroaci ose në Bosnjë para se të gjendet në një mur tjetër të ngritur përgjatë kufirit mes Sllovenisë e Kroacisë.
Me të drejtë, drejtuesi i policisë kufitare shqiptare Genc Merepeza rikujtoi faktin e thjeshtë se “Shqipëria nuk ka një portë dalëse” dhe rrjedhimisht, nuk mund të jetë rrugë tranziti.
Adriatiku nuk përbën një portë dalëse dhe aludimet se skafet mund të rikthehen në Kanalin e Otrantos janë të pavend. Skafet me refugjatë u panë për herë të fundit në vitin 2004, kur qeveria e kohës, nën presionin e Italisë dhe Bashkimit Europian, i dha fund këtij kriminaliteti. Sot, dymbëdhjetë vjet më pas gjendja ka ndryshuar. Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, ka marrëveshje riatdhesimi me vendet e BE-së, (gjë që e bën jopraktike për një refugjat që të paguajë mijëra euro te skafisti vetëm për ta parë veten sërish në Vlorë mëngjesin e ditës tjetër). Shqipëria disponon gjithsesi mundësitë për të patrulluar brezin bregdetar, disponon katër anije të shpejta patrullimi dhe pesë helikopterë modernë me kosto 25 milionë euro copa. Mbi të gjitha, politika shqiptare është shumë më e varur nga BE-ja sot nga sa qe në vitin 2004 dhe ka gjasa që do ta ketë shumë më të vështirë se atëherë të tolerojë trafikantët, siç bënte deri në vitin 2004.
Megjithatë, megjithëse teorik, debati po zhvillohet. Është mirë që askush të mos nxitojë të deklarojë politikë të “dyerve të mbyllura” dhe kuptohet, është gjithashtu naive të pretendosh se duhet të mikpresësh refugjatët, nëse ata do të vijnë. Për njerëzillëk, meqenëse diskutimi është teorik, mund të thuash #refugeeswelcome.