in

Rugby shqiptar në Rio 2016? Mbështetni “kombëtaren” e shqiptarëve në Itali

Festivali Brazilian i Bolonjës mbështet skuadrën shqiptare të Regbit duke promovuar një fushatë për mbledhje fondesh. Për të mundësuar ëndrrën e madhe të regbistëve: të përfaqësojnë Shqipërinë në Olimpiadat e Rio De Zhaneiros 2016

Festivali brazilian, që mbahet në Bolonjë prej dhjetë vjetësh, në edicionin e këtij viti ka adoptuar Kombëtaren shqiptare të regbit. Një binjakëzim i veçantë i mundësuar nga vullneti i mirë i Giuseppe Chimissos dhe i gazetës Bota Shqiptare që vunë në kontakt promovuesit e kombëtares shqiptare të regbit me organizatorët e festivalit. “Preteksti” është ëndrra e deklaruar e kombëtares së sapolindur të topit oval të Shqipërisë për të marrë pjesë në Olimpiadat e Rio De Zhaneiros 2016, kur regbi ne versionin e tij me shtatë lojtarë do të debutojë në olimpiada.

Ajo e Kombëtares shqiptare të Regbit është histori e veçantë. Në Shqipëri topi oval është thuajse diçka e panjohur. Nuk ka klube sportive madje as federatë regbi. Por në Itali e mbarë Europën kampionatet janë plot me lojtarë shqiptarë që praktikojnë këtë sport, edhe në nivelet më të larta. Nga këtu lindi edhe ideja e ngritjes së një skuadre përfaqësuese kombëtare, që u konkretizua në dhè të huaj, pikërisht në Pordenone, ku komuniteti shqiptar është i shumtë në numër. Skuadra, e përbërë nga lojtarët më të mirë shqiptarë që jetojnë në Itali, ka bërë ndeshjen e saj të parë më 12 qershor 2010 duke u përballur me skuadrën historike triveneto të Dogi dhe më 11 qershorin e ardhshëm do të marrë pjesë në edicionin e parë të Kupës së Alpeve Adria & Ballkanit, që do të zhvillohet në Pordenone.

Aventura e skuadrës vazhdon por mbetet e paatdhe, e bujtur në tokë të huaj, duke pritur që themelimi i saj të formalizohet me ngritjen e Federatës Shqiptare të Regbit dhe me njohjen e saj nga International Board, enti më i lartë i regbit botëror. Duke pritur veçanërisht që edhe qeveria shqiptare të marrë për zemër këtë realitet të ri.

Ndërkaq, ky projekt mbështetet nga Krahina Friuli Venezia Giulia, veçanërisht nga drejtori i drejtorisë së Sporteve, Elio De Anna (ishlojtar i kombëtares italiane të regbit) dhe nga Provinca e Pordenones me drejtorinë e imigracionit të drejtuar nga Eligio Grizzo, që të dy të bindur për vlerën shoqërore të kësaj iniciative.

Por edhe ndihmat bujare të administratave friulane nuk mjaftojnë për të ushqyer ëndrrën olimpike. Nevojiten burime të tjera për të ngritur Federatën, për të organizuar mbledhjet e lojtarëve, për të paguar shpenzimet e udhëtimeve, fanellat, dhe për të nisur ndeshjet zyrtare, të vlefshme për ranking botëror Irb. Ndaj edhe ka lindur një garë solidariteti që sheh të rreshtuar në radhë të parë Festivalin Brazilian të Bolonjës krah administratave publike të Friuli Venezia Giulia-s. Dy komunitete të huaja, me komunitete të mëdha në Itali, që i japin një dorë njëra tjetrës për të arritur një objektiv të lartë.

Për të mbështetur Kombëtaren shqiptare të Regbit dhe ëndrrën e saj për të arritur në Rio De Zhaneiro është promovuar një fushatë për mbledhje fondesh, e lindur në kuadrin e Festivalit por që do të vazhdojë edhe më tej.

Dhuruesit mund të derdhin kontributin e tyre me anë të një urdhër-xhirimi bankar në emër të:

  • Pordenone Ovale ASD
  • Kodi IBAN:  IT 20 K 08356 12503 000000033929
  • Pranë: BCC PORDENONESE, Agenzia 3, via Mazzini, 47/d – Pordenone (PN).

Emrat e personave dhe ndërmarrjeve që do të japin kontributin e tyre për Kombëtaren shqiptare të Regbit do t’i botojmë në faqet e Botës Shqiptare dhe te shqiptariiitalise.com, nëse nisin kuponin e urdhër-xhirimit me faks në 051.5076482. Për çdo information mbi kontributin mund të telefonohet në  349.7786592, 347.8427680).

Kontribuuesit e parë janë dy sipërmarrje private shqiptare: Impresa edile Arben Myrtaj (100,00 euro) dhe Ditta PIERRE S.r.l. e Pirro Qendros e Redian Hetemit (200,00 euro), si edhe anëtarët e shoqatës Skanderbeg të Bolonjës që kanë mbledhur për kombëtaren 500,00 euro.

Janë të shumtë artizanët dhe sipërmarrësit italianë dhe shqiptarë që po mbështesin iniciativën në favor të kësaj kombëtareje. Qëllimi që duhet arritur është entuziazmues: të çojmë regbin në Shqipëri, ta bëjmë sport kombëtar, por ajo çka është ëndrra më e madhe të sigurojmë pjesëmarrjen e Kombëtares Shqiptare në Olimpiadat braziliane 2016.

Lexo edhe: Shqiptarët dhe Rugby
Rugby: Kombëtarja e Shqipërisë

Futboll: Skënderbeu kampion pas 78 vjetësh. Korça në festë

Kontrollori imigrantit: “Shpresojmë që të vijë Hitleri …”