Shoqata dorëzoi në Kuvend peticionin kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza fetare dhe etnike
Romë, 23 qershor 2011 – Aleanca Kuq e Zi dorëzoi ditën e mërkurë, më 22 qershor, në Kuvend peticionin lidhur me ndryshimin e dy prej neneve të ligjit për regjistrimin e popullsisë dhe të banesave, pikërisht ata që kanë të bëjnë me përmbajtjen në pyetësor të përkatësisë etnike dhe fetare. “Kushtetuta e Shqipërisë përcakton qartë që në preambulë se shteti shqiptar synon një shtet të së drejtës të mbështetur në frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare dhe në nenin 10 të saj parashikohet se në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare dhe se shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes. Qytetarët në Republikën e Shqipërisë kanë të drejtë të shprehin lirisht, pa u ndalur e as detyruar, përkatësinë e tyre fetare, etnike dhe kulturore. Por, kjo liri e tyre nuk përbën një detyrim për institucionet shtetërore për inventarizimin e tyre”, deklaroi Endri Shabani, përfaqësuesi i kësaj organizate.
Aleanca Kuq e Zi ka arritur të mbledhë 20 mijë firma, aq sa duhen për të propozuar ligje. Në fakt Kushtetuta e Shqipërisë, në Kreun IV që ka të bëjë me procesin ligjvënës, në nenin 81 parashikon: “Të drejtën për të propozuar ligje e ka Këshilli i Ministrave, çdo deputet, si dhe 20 mijë zgjedhës”. Kjo organizatë propozoi gjithashtu një shtesë në tekstin e ligjit për regjistrimin e popullsisë dhe banesave që sipas saj duhet të jetë : “Me qëllim ruajtjen e laicitetit të shtetit shqiptar, si edhe të frymës së tolerancës dhe të bashkëjetesës, të dhënat e regjistrimit të popullsisë sipas këtij ligji nuk do të përfshijnë përkatësinë etnike dhe fetare”.
Në relacionin e Aleancës Kuq e Zi, e cila po vazhdon fushatën e saj brenda dhe jashtë Shqipërisë, lexohet gjithashtu se regjistrimi i përkatësisë etnike dhe fesë në bazë të vetëdeklarimit, do të mund të krijojë probleme me besueshmërinë dhe saktësinë e të dhënave. Endri Shabani sqaroi se Aleanca kërkon që “Në çdo rast, kur ka mospërputhje mes të dhënave të kryera sipas regjistrimit, me të dhënat e pasqyruara në aktet e gjendjes civile, këto të fundit kanë përparësi. Pra mes vetëdeklarimit dhe regjistrit të gjendjes civile, ka përparësi regjistri i gjendjes civile”.
E pikërisht vetëdeklarimi i përkatësisë etnike dhe fetare, konsiderohet si i paverifikueshëm dhe i pavërtetueshëm. Sipas Aleancës Kombëtare kjo bën që regjistrimi i popullsisë, në program në tetor të këtij viti, të përmbajë elementë të pasaktë.