in

Regjistrimi i popullsisë. Berisha: “Mjeranë, ata që kritikojnë ligjin”

Kryeministri Sali Berisha e cilësoi regjistrimin e popullsisë dhe pasurive të qytetarëve shqiptarë “një akt madhor dhe të rëndësishëm për të njohur të vërteta më thelbësore të individit, shoqërisë, kombit dhe vendit në momentin kohor në të cilin ai realizohet”. Dhe quajti mjerane klithmat e “disa individëve të cilët shfrytëzojnë karriget e larta shtetërore ata i përdhosin ato karrike, kushtetutën dhe postin dhe janë më të mjerë se çakenjtë e tyre”

Tiranë 20 korrik 2011 – Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave Berisha tha se regjistrimi i popullsisë që do të nisë në vjeshtë ka një rëndësi të veçantë dhe më të madh se shumë regjistrime të tjera të bëra më parë. “Për herë të parë në historinë e këtij vendi, qytetarët shqiptarë regjistrohen si qytetarë të një Shqipërie tjetër, të një Shqipërie më të ardhura të mesme të larta dhe që nuk është më streha varfërore dhe e mjerimit të Europës, si është identifikuar pothuaj në shekuj”, u shpreh kryeministri. Kreu i Ekzekutivit nënvizoi se “do të regjistrohet Shqipëria, e cila në turra-vrapin e saj, gjatë kësaj dekade ka shënuar arritje shumë të mëdha”.

Gjynah, që të dhënat e fundit të Eurostat-it thonë se Shqipëria vazhdon të mbetet vendi i fundit në Europë për PBB për frymë.  

Sipas tij, regjistrimi bëhet në një realitet të ri dhe nuk ka lidhje me politikën. Arsyeja pse u shty censusi ka qenë fushata zgjedhore, zgjedhjet lokale dhe jo mëdyshje mbi përmbajtjen e ligjit.

Berisha u ndal edhe në qëndrimet e shprehura kundër këtij regjistrimi, duke theksuar se “ky proces nuk ka asnjë lidhje me klithmat mjerane të disa individëve, të cilët shfrytëzojnë karriket e larta shtetërore ata i përdhosin ato karrike, kushtetutën dhe postin dhe janë më të mjerë se çakenjtë e tyre”, u shpreh ai. Ta ketë fjalën për presidentin e Shqipërisë Bamir Topi, për zëvendëskryetarin e KLD, Kreshnik Spahiu, për intelektualë si Pëllumb Xhufi, për Aleancën Kuq e Zi?

“Shqiptarët do regjistrohen si qytetarë të lirë, të tregojnë pronat, pasuritë, besimin dhe përkatësinë pa asnjë detyrim dhe me vullnet të lirë. Ai që i konsideron këto si çështje private, është i lirë të mos shënojë asnjërën prej tyre. Unë do t’i shënoj për vete se jam krenar për identitetin tim, besimin tim fetar”, deklaroi Berisha.

Sipas tij, të dhënat e regjistrimit dhe gjëndja civile janë dy gjëra krejt të ndryshme.”Regjistrimi është një e dhënë e caktuar e vjeshtës së vitit 2011, i cili pasqyron një tregues demografik të vjeshtës së vitit 20011, nuk pasqyrohet as në gjendje civile, por përdoret nga qeveria në politikat e zhvillimit, për shpërndarjen e të ardhurave kombëtare, e cila bazohet në disa tregues, njëri prej të cilëve është popullata. E përdor për strategji zhvillimi, për një seri qëllimesh të politikbërjes, por nuk ka asnjë lidhje me gjendjen civile”, sqaroi kryeministri.

Berisha ka sulmuar edhe mediat, duke thënë se po merren me çështje anësore dhe me pseudo personazhe. Berisha ka kërkuar nga mediat që të pasqyrojnë rritjen ekonomike të Shqipërisë, pasi sipas tij, qytetarët shqiptarë kanë të ardhura të mesme dhe të larta.

Serbia arreston Goran Hadzic, kriminelin e fundit të luftës

Ç’dëmshpërblime parashikohen për vonesat e avionit