in

Regjistrimi i popullsisë: PDIU kundër PBDNj-së

PBDNj: “Amendamentet e PDIU-së në ligjin mbi censusin abrogojnë të drejtën thelbësore evetëdeklarimit”. PDIU: “Kërkojmë vetëm që vetëdeklarimi gjatë regjistrimit të verifikohet”

Tiranë, 11 gusht 2011 – Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, në një konferencë shtypi mbi regjistrimin e popullsisë, të mbajtur dje tha: “Konstatojmë me keqardhje se me amendimet e fundit në ligjin mbi censusin abrogohet e drejta thelbësore e vetëdeklarimit, penalizohet ajo dhe në të njëjtën kohë shkelet parimi i konfidencialitetit të të dhënave në census. Për rrjedhojë, një regjistrim i tillë nuk mund të jetë i standardeve evropiane, por një regjistrim hibrid ku qeveria nga njëra anë kërkon t’i hedhë hi në sy komunitetit ndërkombëtar e në fakt do kemi një regjistrim të ngjashëm me ato të zhvilluara në sistemin totalitar”.

I pyetur për reagimet e Aleancës Kuq e Zi mbi ngritjen e bustit të Aristotel Gumës në Himarë, Dule tha se “në këto momente të turbullta politike, njerëz batakçinj janë duke përfituar, në mënyrë që të fitojnë politikisht”. “Ne nuk ndjejmë detyrimin më të vogël aq më tepër ndaj zotërinjve të tipit Xhufi se si do nderojmë ata që mendojmë ne se duhen nderuar. Jemi në momente të tensionuara për shkak të ngërçit politik, në kohëra të turbullta që janë të favorshme për spekulantë të politikës që mendojmë se mund të peshkojnë kështu vota. Është hera e fundit që edhe komentojmë dhe hymë në debat me individë e grupime që kanë shumë veçori të përbashkëta me kategorinë e batakçinjve politikë. Shqipëria ka nevojë për zëra racionalë”, ka thënë Dule pas pyetjes për Aristotel Gumën.

Nuk vonoi reagimi i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Me një deklaratë PDIU theksoi se “Vetëm vetëdeklarimi mbi themele objektive, si afirmim i identitetit etnik në fushën e gjuhës, kulturës, etj., është e drejtë kushtetuese, dhe asgjë tjetër. Vetëdeklarim do të thotë që të deklarosh lirshëm atë që je objektivisht dhe jo të deklarosh çfarë të duash, përfshi këtu të pavërteta”.

“Amendamentet e PDIU-së” që praktikisht kërkojnë verifikimin e vetëdeklarimeve të qytetarëve “në thelb heqin mundësinë e abuzimit me regjistrimin e popullsisë”.

“Edhe në rast se Komisioni Qendror i Censusit do të vendosi në kundërshtim me vullnetin e shoqërisë shqiptare, që të përfshijë pyetje mbi kombësinë, statistikat që do të rezultojnë nuk do të preken nga abuzimet e mundshme. Kjo pasi amendamentet e PDIU-së detyrojnë INSTAT-in që jo vetëm të hetojë çdo deklaratë për kombësinë, por edhe t’i ballafaqojë ato me regjistrin për gjendjen civile”, theksohet në deklaratën e PDIU-së. Prandaj, sipas deklaratës, “amendamentet e PDIU-së, në thelb heqin mundësinë e abuzimit me regjistrimin e popullsisë”.

110 mijë euro për ish rojen e stadiumit të Barit të gushtit 1991

Pizza, Mafia e Mandolino