in

Regjistrimi në SSN, shumë i shtrenjtë për të moshuarit në Lombardi

Disa ASL po u kërkojnë të huajve të ardhur me bashkim familjar me bijtë një kontribut sipas të ardhurave e jo 387 € siç parashikon Krahina pas një sentence të gjykatës së Milanos. Denoncon këtë gjë Anolf Cisl, Naga, Asgi e Avvocati per Niente

Milano, 15 korrik 2016 – Deri në 1.500 euro për të pasur mjekun e familjes të cilit të mund t’i drejtohen kur sëmuren.

Është kjo llogaria e paraqitur nga disa ASL të Lombardisë gjyshëve e gjysheve të huaj që kanë mbërritur me bashkim familjar e duan të regjistrohen në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar, SSN. Një shumë e kripur dhe e padrejtë, sepse kundër jo vetëm sentencës së një gjykate, por edhe dispozitave që, pas kësaj sentence, u dhanë në të gjithë Krahinn e Lombardisë.

Teksti unik për imigracionin parashikon që të moshuarit mbi 65 vjeç që vijnë në Itali me bashkim familjar duhet të lidhin një sigurim privat mbi shëndetin ose të regjistrohen vullnetarisht në SSN duke derdhur një kontribut të përcaktuar me një dekret qeverie. Por të dyja rrugët kanë një problem.

Për kompanitë siguruese një i moshuar është një klient padyshim “me rrezik”, sepse problemeve të moshës që tashmë ka shumë shpejt mund t’u shtohen edhe shumë të tjera. Kështu që sigurimi privat është tejet i shtrenjtë dhe shpesh i paarritshëm për xhepat e imigrantëve.

Ndërkohë, megjithëse normat mbi bashkimet familjare janë të 2008-tës, qeveria nuk ka nxjerrë asnjëherë dekretin për të përcaktuar sa duhet të jenë shumat për regjistrimin vullnetar në SSN të të moshuarve mbi 65 vjeç. Kështu krahinat kanë filluar të veprojnë në mënyra të ndryshme. Disa kanë marrë vendim duke përcaktuar një çmim të vetin, të tjera nuk kanë ndërmarrë asnjë nismë në këtë aspekt.

Lombardia, që ishte mes krahinave që bënë një vesh shurdh, u vu në lëvizje në fillim të vitit 2013, me urdhër të gjykatës së Milanos. Pasi humbi një gjyq antidiskriminim të hapur nga Anolf Cisl, Naga, Asgi e Avvocati per niente, u detyrua të pranonte regjistrimin vullnetar në SSN kundrejt një kontributi vullnetar forfetar prej 387,34 eurosh.

Pas nxjerrjes së qarkores së Krahinës që shpjegonte risinë, rasti dukej i mbyllur, por me sa duket, prej disa muajve, ASL e Lombardisë vendosën të ndërrojnë rregullat, për më tepër, sipas qejfit.

“Qytetarët e huaj na thonë se disa sportele përcaktojnë kontributin në bazë të të ardhurave. Ka nga ata të cilëve u janë kërkuar edhe 1.500 euro. Është një vendim krejtësisht arbitrar, e vetmja pikë referimi për ASL-et duhet të jetë qarkorja e Krahinës që përcakton kontributin forfetar” thotë për Stranieriinitalia.it Maurizio Bove, president i Anolf e përgjegjës për imigtacionin i Cisl Milano.

Anolf Cisl, Naga, Asgi dhe Avvocati per niente i kanë shkruar Krahinës së Lombardisë, me të cilën denoncojnë që kërkesa e disa ASL-eve është “e paligjshme” dhe i bëjnë thirrje Krahinës të respektojnë sentencën e gjykatës dhe qarkoren që ajo vetë ka nxjerrë.

EP

 

Masakër në Nicë të Francës. 84 të vdekur, mbi 100 të plagosur

Ministro Brexit: “Nessuna garanzia per futuri migranti europei”