in

Rekordet e Sali Berishës

Ish kryeministri u jep miqve lajmin e shumëpritur: me 153 minuta not në det të hapur, sot ka thyer sërish rekordin e tij personal të vendosur një vit më parë

Ish kryeministri Sali Berisha, prej disa vjetësh, lajmëron miqtë e tij rreth aktivitetit të tij sportiv në det. E nga viti në vit shton minutat e notit duke thyer vit pas viti rekordet e veta. Të paktën kështu thotë.

Lajmërimi i këtij viti arriti më në fund. Në profilin e tij facebook, Berisha, 70 vjeç pas disa javësh, shkruan se sot ka notuar “ne det te hapur 153 min”, madje e ka merak të saktësojë: “pa llogaritur rezerven, pra notova me shume se kurre me pare”. Duket se ish kryeministri ka analizuar edhe arsyet e rekordeve të tij: “Gjithnje mendoja se rekordet e mia joniane ishin te lidhura edhe me magjine e ujrave te Jonit. Por sot une provova se ato ishin krejtesisht te lidhura me pasionin tim per ujin, notin dhe magjine e ketij pasioni” vazhdon në Facebook. E për të qenë i sigurt se ky i sotmi do të ishte rekord i ri, tregon se ka konsultuar edhe librin e tij të notit. Nuk është shaka. “Gjate notit sot kam shfletuar faqe per faqe librin tim te notit qe nga vitet e femijerise se hershme kur laheshim ne lumenj qe mbusheshin me ujerat e bores qe shkrinte dhe ndonjehere ne Valbone ne kaltersine e saj te akullt, ne liqenj akullnajash ne Alpe, me pas ne rezervuare, liqenjte dhe detrat e vendit, deri tek rekordi i ri personal i sotem. Persosmeria nuk ekziston por une falenderoj Zotin dhe ndjehem krenar dhe i privilegjuar me raportin tim me ujin!”. Fjalët e tij! Madje e shoqëron shënimin me disa fotografi(në cilësinë e provës?).

Edhe pse nuk është e kuptueshme ç’do të thotë ky lloj rekordi e pse duhet botuar, duhet thënë se të paktën këtë radhë publikimi bëhet në një hapësirë virtuale private. Dy vjet më parë, kur Berisha ishte kryeministër i vendit e jo kaq aktiv sa sot në Facebook, lajmi me rekordin e tij të radhës, u botua në faqet zyrtare të Këshillit të ministrave. Po, po, pas lajmeve të “pjesëmarrjes së Kryeministrit në pritjen e organizuar nga Mbretëresha Elisabeth II për personalitetet pjesëmarrëse në ceremoninë e hapjes se Lojërave Olimpike Londër 2012” dhe të “takimit të Kryeministrit me homologun britanik David Cameron, në Pallatin Mbretëror”.
Atëherë në faqet internet të Këshillit të Ministrave shkruhej se Berisha ish shprehur “zëri i detit JON me tha se ky rekord i ri personal është një ogur i bardhë për fitoren e merituar të zgjedhjeve të 2013”. “Profecia” e detit Jon nuk u realizua. Kushedi ç’do t’i ketë parashikuar këtë herë. 

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Roberto Saviano: “Më shumë të drejta për imigrantët. Ata mund të shpëtojnë Italinë”

Para një ngjarjeje historike