in

Renzo Bossi student në Tiranë (pa shkelur asnjëherë) pa mbaruar të mesmen në Itali

Renzo Bossi kërkoi për disa muaj rresht deklarimin e vlefshmërisë së diplomës në ambassadën , duke vënë edhe një avokate të ndiqte çështjen. Hoqi dorë të nesërmen e hapjes së hetimeve për Belsiton
Elemente të reja nga letra informuese e Ambasadës italiane në Tiranë nisur hetuesve të Milanos.

Romë, 9 maj 2012 – Deri pak kohë më parë, Renzo Bossi, i njohur me nofkën Trofta (që e shqipëruar më saktë do të ishte ‘trupeshku’), ka kërkuar në Ambasadën italiane në Shqipëri t’i lëshonte deklaratën e vlefshmërisë në Itali të diplomës së marrë më 29 shtator 2010 në Shqipëri. E çfarë diplome, siç tallet Repubblica: “i biri i kreut të legës, që provimin e shtetit të shkollës së mesme e mori pasi e dha tre herë, në një vit të vetëm dhe me një mesatare që ia ka zili edhe çmim Nobel, mbaroi shkollën e lartë për ekonomi, Administrim Biznesi, në universitetin e Tiranës, qytet në të cilin nuk ka shkelur asnjëherë siç rezulton nga verifikimet e deritanishme të organeve të drejtësisë shqiptare”.

Më  29 shtator 2010, 14 muaj pas mbarimit të shkollës së mesme Bossi ka futur në xhep edhe diplomën e të lartës, të nënshkruar nga Skënder Kërçuku, diplomë që është përpjekur t’i bëjë njohjen e vlerës ligjore edhe për Italinë. Duke i paraqitur kërkesë disa herë ambasadës italiane në Tiranë për “deklaratën e vlefshëmrisë”, por deri më 4 prill 2012, të nesërmen e dhënies së lajmit të hetimeve të hapura nga prokuroritë e Milanos, Napolit dhe Reggio Calabrias ndaj Legës dhe ish llogaritarit të saj Francesco Belsito.

Këtë histori përmban një letër informuese e dërguar nga Ambasada italiane në Tiranë prokurorëve Alfredo Robledo, Roberto Pellicano e Paolo Filippini, titullarë të hetimit që ka në qendër përdorimin e fondeve të Legës. Sipas, të përditshmes Repubblica, janë dy faqe me një sërë dokumentesh të tjera të bashkangjitura, dhe me shprehjen e gatishmërisë për të dhënë informacione të tjera jo vetëm mbi diplomën Bossit por edhe mbi atë të Piergaetano Moscagiuros, ish kreu i eskortës së Rosy Mauros, legistja nënkryetare e Senatit. Dy diploma që sipas hetuesve italianë mund të jenë blerë me fondet publike të partisë.

Kërkesat e njëpasnjëshme për deklaratën e vlefshmërisë

Në letrën informuese thuhet se në fund të korrikut 2011 një shqiptar kishte paraqitur në ambasadën italiane në Tiranë një diplomë shkolle të lartë të lëshuar Renzo Bossit me kërkesën përkatëse të “deklaratës së vlefshmërisë”. Kjo gjë kishte lënë gojëhapur edhe vetë funksionarëve të ambasadës, pasi nga verifikime të thjeshta në internet dukej e pamundur që djali i ‘Senaturit’ të mund të kishte marrë shkollën e lartë në një vit. Kështu që përpjekja e parë për të marrë vulën e vlefshmërisë u kishte dalë huq dhe kërkesa ishte kthyer mbrapsht.

Por në tetor të vitit 2011, një avokate shqiptare – mediat japin vetëm mbiemrin e saj, Dragoj, – paraqitet për të njëjtën kërkesë, e pajisur me një sërë dokumentesh, mes të cilave edhe një prokurë me firmën e Renzo Bossit dhe një certifikatë pranimi në provimin e maturës së 18 majit 2007 (por fatkeqësisht, atë vit Bossi Jr nuk arriti të marrë provimin).

Pas pesë muajve, më 19 mars, e njëjta avokate përtërin kërkesën duke dorëzuar edhe një fotokopje të pasaportës së Bossit.

Tërheqja e kërkesës

Më 4 prill, të nesërmen hapjes së hetimeve të organeve italiane të drejtësisë, avokatja bën prapakthehu: tërheq dokumentacionin e dorëzuar, së bashku me kërkesën për njohjen e vlerës legale të diplomës. Por ndërkaq praktika e diplomës shqiptare të Renzo Bossit kishte marrë rrugëtimin e saj burokratik: profesor Kërçuku i konfirmon ambasadës faktin që Renzo Bossi kishte mbaruar studimet e larta. Megjithatë, dëshmia e vlefshmërisë së copës së letrës që Renzo Bossi mori në Shqipëri nuk u lëshua asnjëherë nga Ambasada italiane në Tiranë.

Për diplomën e Pier Moscagiuros, praktika e njohjes së vlefshmërisë as që nisi ndonjëherë, për arsyen e thjeshtë që fakulteti i Shkencave politike “i ndjekur” prej tij nuk njihet nga ministria e Arsimit e Shqipërisë.

Qëndrimi i Universitetit Kristal

Së fundi, Universiteti Kristal nuk ndërron qëndrim: pohon që ka regjistruar Renzo Bossin dhe Pirgaetano Moscagiuron përkatësisht në vitet akademike 2007-2008 dhe 2008-2009. Edhe pse në vitin 2007 Bossi Jr. ende nuk kish mbaruar shkollën e mesme, iu deshën edhe dy vjet të tjerë për të futur në xhep diplomën e maturës.

 

28 filma në 60 vjetorin e lindjes për kompozitorin Haig Zacharian

ACLI informon shqiptarët mbi pensionet në Shqipëri