in

Riintegrimi i vështirë i emigrantëve të kthyer

Të kthyerit në Shqipëri ballafaqohen me një sërë problemesh, që lidhen me punësimin, pensionin, strehimin, pasi një pjesë e mirë kanë shitur shtëpitë, me arsimimin e fëmijëve, shumë prej të cilëve nuk dinë të shkruajnë e të lexojnë shqipen. Edhe për pensionin social që do të jepet nga 1 janari 2015, emigrantët e kthyer nuk përmbushin kriterin e pesë vjetëve të fundit rezidencë në Shqipëri.  Për mëse 20 vjet, të ardhurat nga emigracioni ishin e vazhdojnë të jenë amortizatorë të konsiderueshëm të problemeve social-ekonomike të vendit. Është e pafalshme që sot të lihen në fatin e tyre

Situata e vështirë që po kalon Evropa, si rezultat i krizës ekonomike, ka detyruar një numërtë madh emigrantësh të kthehen në Shqipëri. Aq më keq që kriza më e madhe ekonomike ka mberthyer dy shtetet fqinje, Greqinë dhe Italinë ku u përqendrua edhe fluksi më i lartë i emigracionit shqiptar.

Sipas një studimi të INSTAT-it, në vitet 2009-2013 janë kthyer mbi 134 mijë emigrantë, nga të cilët reth 33 mijë nga Italia dhe 90 mijë nga Greqia. Kthimi i tyre në Shqipëri vjen kryesisht si rezultat i papunësisë dhe pamundësisë për të krijuar të ardhura për jetesë.

Kriza ekonomike dhe papunësia e emigrantëve në Itali

Padyshim që kriza ekonomike shoqërohet me rritje të papunësisë e cila lidhet drejtpërdrejt me problemet e emigrantëve. Këtë e tregon fakti se, niveli i papunësisë në Itali është mjaft i lartë, rreth 12,5%, por për emigrantët shqiptarë është mbi 18,8%. Më i lartë është ky nivel për gratë, në një masë prej 19,7 përqind. Për të rinjtë  në moshë 15 deri 24 vjeç, niveli i papunësisë është tepër i lartë dhe kap shifrën prej 43%. Fakti që rritje ekonomike këta 3 muajt e fundit në Itali është në vlera negative, -2% dhe inflacioni rezulton në nivele tepër të ulëta në masën 0,1%, ose shumë në prag deflacioni, tregon se ende nuk mund të shpresojmë për një përmirësim të shpejtë.

Papunësia e emigrantëve në Greqi

Niveli i papunësisë në Greqi është edhe më i lartë se në Itali. Megjithë me një farë përmirësimi, niveli i papunësisë arrin në masën 26,6 %  (nga 27,9 që ishte para 6 muajsh), duke qenë më i larti në Europë. Jashtëzakonisht e lartë është papunësia për moshat e reja 16 deri 24 vjeç, që kap nivelin e 53%. Edhe në Greqi, rritja ekonomike është në vlera negative, akoma në recension, me një vlerë – 2%, ndërsa inflacioni është në prag deflacioni në masën 0,1%.

Problemet sociale të emigrantëve të kthyer

Nisur nga këto kushte një pjesë e emigrantëve, po konsumojnë ato pak kursime prej vitesh, duke shpresuar per te gjetur një vend pune, vetëm e vetëm, se kanë krijuar një bazë jetese dhe për t’u lejuar fëmijëve të tyre të vazhdojnë aty ku kanë nisur ciklin shkollor.

Por një pjesë e madhe e emigrantëve, gjejnë si rrugën e vetme kthimin në Shqipëri. Por edhe këtu ballafaqohen me një sërë problemesh, që lidhen me punësimin, strehimin, pasi një pjesë e mirë kanë shitur shtëpitë, me arsimimin e fëmijëve, pasi ata kanë studiuar në shkolla të shteteve ku kanë banuar dhe për më tepër ka shumë nga ata që nuk e njohin gjuhën shqipe. Pra në një farë mënyre fëmijët vuajnë “gabimet” e prindëve, të cilët nuk u kanë mësuar gjuhën shqipe.

Problem tepër i madh i emigrantëve të kthyer, është punësimi, dhe krijimi i mjeteve të jetesës. Në kushtet e një papunësie të madhe dhe në vendin tonë, 17,7%, e kanë të vështirë të gjejnë një vend pune. Padyshim ka dhe emigrantë, që duke shfrytëzuar, specializimin në vendet ku kanë jetuar, kanë filluar biznese të suksesshme, por numri i tyre, krahasuar me fluksin e madh të të kthyerve është tepër i vogël.

Pensionet

Një pjesë e tyre, në moshë pensioni apo afër kësaj moshe, kërkojnë të dalin në pension të parakohshëm. Por kjo kërkesë është e parealizueshme, mbasi për të përfituar pensionin e parakohshëm, nevojiten të paktën 35 vite, vjetërsi kontributive. Kërkojnë informacion, për të përfituar pensionin social në vitin 2015, por edhe për përfitimin e kësaj të ardhure do të kërkohet që të kenë qenë residentë në Shqipëri 5 vitet e fundit.

Në këtë mënyrë emigrantë në moshë pensioni, i nënshtrohen pensioneve të pjesshme, pasi janë shumë të paktë ata që kanë plotësuar 35 vite me vjetërsi kontributive, për të përfituar pension të plotë. Edhe në shtetet ku kanë jetuar dhe punuar, nuk përfitojnë pension, sepse nuk plotësojnë kushtet për një vjetërsi kontributive të kërkuar nga legjislacionet përkatëse të këtyre vendeve. Një pjesë e mirë, duke mos gjetur mjete jetese i nënshtrohen aplikimit për ndihmë ekonomike, duke u përballur me një varfëri ekstreme.

Por a e meritojnë emigrantët një trajtim të tillë?

Emigracioni shqiptar, ka luajtur një rol tejet të rëndësishëm në zhvillimet social-ekonomike të vendit tonë, duke qenë amortizatori kryesor i vështirësive dhe problemeve të familjeve dhe ekonomisë së vendit gjatë gjithë viteve të tranzicionit. Edhe sot e kësaj dite emigracioni vazhdon të japë kontribut të konsiderushëm në ekonominë e vendit. Me mijëra familje kanë mbijetuar vetëm në sajë të dërgesave nga familiarët e tyre emigrantë. Po kështu emigracioni ka pasur një ndikim të konsiderueshëm, për mosrritjen më të madhe të papunësisë. Mjafton të kujtojmë se në Itali janë të punësuar 260 mijë emigrantë shqiptarë dhe po aq dhe në Greqi. Ç’do të ndodhte nëse, hipotetikisht, e gjithë kjo masë punonjësish të ishte në Shqipëri? Pa asnjë diskutim që tregu i punës do ta kishte të pamundur të thithte të gjitha këto forca pune dhe kriza ekonomike do të ishte e pashmangshme.

Të ardhurat e dërguara nga emigrantët

Për rolin e madh të emigracionit mjafton të përmendim, se remitancat (dërgesat në para) nga emigrantët për vitin 2007, ishin 952 milionë euro, ndërsa në vitin 2013 ishin në masën 497 milionë euro. Dhe këto, janë vetëm remitanca të dërguara përmes kanaleve zyrtare, banka e agjenci të transferimit të parave. Por ne të gjithë jemi dëshmitarë se këto shuma janë vetëm një pjesë e parave të vërteta që kanë hyrë në ekonomimë shqiptare nga emigrantët që u sjellin familjeve personalisht shuma të vogla apo të konsiderueshme sa herë vijnë për pushimet e verës apo për festat e fundvitit.  
Pavarësisht uljes së remitancave, si rezultat i krizës ekonomike, por edhe e bashkimeve familjare në këto vende, edhe shuma e vitit të shkuar prej afro 500 milionë dhe po kaq e supozuar e sjellë dorazi, janë akoma një faktor i rëndësishëm në jetën social ekonomike të vendit,  të cilat amortizojnë mjaft problem sociale.

Në këto kushte u jemi borxhli emigrantëve, të cilët kanë punuar në vende pune tepër të vështira, shpesh duke rrezikuar shëndetin dhe jetën për të krijuar ato të ardhura.

A duhet t’ua kthejmë, qoftë në një masë të vogël kontributin e tyre?

Padyshim. Është e domosdoshme dhe do të ishte humane.

Është e pafalshme për gjithë shoqërinë tonë, që emigrantët t’i lëmë në fatin e tyre dhe të kujtohemi për këtë kategori, që nuk është e vogël, por 1/3 e vendit, vetëm për zgjedhje.

Mendoj se është e domosdoshme që në hartimin e legjislacionit, të merret parasysh se kemi një komunitet të rëndësishëm shtetasish shqiptarë në emigracion.

Është e pavlerë, vetëm të flasim për emigracionin dhe shpesh të qajmë hallet e tyre. Hallet ata i dinë më mirë se ne, pasi i kanë në kurriz. Problemi duhet shtruar ndryshe: ç’po bëjmë dhe ç’do të bëjmë për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Naim Balluku, zëvendëspresident i patronatit INAS Albania

 

Corriere della Sera: “Delegacioni shqiptar nuk ishte i pranishëm në takimin ASEM”

Në CIE jo më shumë se tre muaj. Tani është ligj