in

Rilindja sipas Edi Ramës

I kënaqur nga rezultati zgjedhor i deritanishëm, por me përmbajtje në dhënien e shifrave konkrete, kreu i opozitës mendon se “Shqipëria duhet të dalë e pastruar nga njollat e së shkuarës dhe të dalë si një vend dhe popull evropian, që me votën e tyre treguan përkatësinë e tyre shpirtërore ndaj këtij atdheu”. Edi Rama, ai që pritet të jetë në krye të qeverisë pas përfundimit të procesit zgjedhor në Shqipëri tregon për Deutsche Welle angazhimet e para për gjallërimin ekonomik e rivendosjen e rendit

49 vjeçari Edi Rama, një ish basketbollist në ekipin kombëtar të para viteve ’90, i diplomuar në artet pamore dhe i spikatur si publicist, e nisi karrierën politike në vitin 1998. Ndërpreu emigrimin në Francë për t’u bërë ministër i kulturës në qeverinë e majtë të ish kryeministrit Fatos Nano. Për tre mandate rresht, nga 2000 deri 2011 ai ishte kryetar i bashkisë së Tiranës, një post që jo vetëm i forcoi pozitat në hierarkinë e socialistëve, por pa shumë përpjekje në kohët më të turbullta të partisë së tij ai arriti karrigen e kryetarit pas zgjedhjeve të vitit 2005.

Zgjedhje mes dy botësh të ndryshme

Rama i vlerëson votimet e 23 qershorit jo thjesht si një garë e rradhës mes një partie dhe një tjetre, siç duhet në fakt të ndodhë në kushtet e një normaliteti demokratik. Këto janë zgjedhje mes dy botësh të ndryshme në kuptimin më të plotë të fjalës, thotë ai për Deutsche Welle-n. “Mes botës rrënuese të Saliut dhe të partisë së tij familjare dhe botës së rilindur të skuadrës sonë kombëtare, të programit tonë për Rilindjen, të vullnetit tonë që së bashku t’i japim Shqipërisë një rrugë të re e cila do ta ndajë Shqipërinë dhe shqiptarët nga papunësia që rritet përditë, nga taksa e sheshtë që po i merr frymën të gjithë atyre që jetojnë ndershmërisht me biznes, nga braktisja e fshatit të lënë në mëshirë të fatit; nga shërbimet sipas xhepit ku është e pamundur të gjesh një derë hapur dhe çdo derë në këtë shtet hapet vetëm me para”.

Po cilat janë angazhimet e para për “rilindjen e Shqipërisë” sipas kreut të PS?

Ai shpjegon për DW-në se një ndër punët e para është analiza e situatës reale në të cilën ndodhen financat, ekonomia, por edhe e tërë struktura e shtetit. “Pasi për vite me radhë ka pasur një përpjekje kriminale për të trukuar statistikat e shifrat në funksion të mashtrimit të qytetarëve përmes një makijazhi të situatës reale e cila në vlerësimin tonë është shumë më e rëndë nga sa paraqitet nga të dhënat zyrtare” – thotë Rama për DW.

Projekti i ri i tatimit dhe rivendosje e rendit brenda 300 ditëve

Mes detajeve konkrete për qeverisjen e ardhshme të koalicionit të majtë, ai rendit si parësore reformimin e politikës së tatim taksave, pa lënë pas dore premtimin për të kaluar në filtër të gjitha koncesionet e realizuara nga të djathtët në 8 vitet e qeverisjes së tyre.

“Do të veprojmë me shpejtësi me projektin e ri të taksimit duke kaluar tek taksimi i ndershëm, që do të ulë taksat për 95% të shqiptarëve dhe do të heqë taksën e biznesit të vogël. Falë taksës së ndershme, të punësuarit me të ardhura deri në 1 milionë e 500 mijë lekë do të përfitojnë çdo muaj rreth 40 mijë lekë të vjetra, ose një rrogë mujore shtesë në fund të vitit. Do të veprojmë me shpejtësi për paketën e lehtësimit të fermerëve, që me të drejtë sot kërkojnë ulje të kostos së prodhimit. Do të veprojmë me shpejtësi për paketën e zgjerimit të TVSh-së për ushqimet bazë të shportës, heqjen e taksës 10% të ilaçeve, e po kështu uljen e faturës së energjisë familjare. Do të fillojmë procesin e transparencës për koncesionet dhe privatizimet duke i kaluar ata që dyshohen për favorizime në dëm të popullit shqiptar në një proces transparence. Do të ndalojmë importin e plehrave brenda 100 ditëve të para. Dhe do të fillojmë punën për përfundimin e procesit të legalizimeve brenda mandatit të parë qeverisës, proces që do ta drejtoj personalisht. Dhe sigurisht do të rivendosim rendin dhe sigurinë brenda 300 ditëve të para, duke i hapur një luftë të pashembullt krimit të organizuar”.

Lexo të plotë në Deutsche Welle:Planet e Edi Ramës për “Rilindjen”

 

Rezultatet zgjedhore në faqet e para të gazetave shqiptare

Zgjedhjet 2013 – Shqipëria numëron