in

Rivjen Berlusconi, largohet Monti

Ndodh pikërisht ajo, të cilës shumëkush i trembej. Tregjet financiare reagojnë negativisht ndaj kandidimit të Berlusconit dhe dorëheqjes së kryeministrit Monti. Rritet diferenciali mes bonove italiane të thesarit dhe atyre gjermane, me shenjë minus bursat e mbarë kontinentit, më keq nga të gjitha ajo e Milanos

Romë, 10 dhjetor 2012 – Gjatë fundjavës së fundit, politika italiane është shkundur nga lajmet e njëpasnjëshme që kanë pasur se rezultat final rënien e qeverisë Monti. Jo menjëherë, por sapo të miratohen ligjet e bilancit, kryeministri ka deklaruar se do të shkojë të kreu i shtetit Napolitano për t’i dorëzuar mandatin në mënyrë të pakthyeshme.

Gjithçka nisi me kthimin në politikë të Silvio Berlusconit. Kishte thënë se tërhiqej në tetor, u dënua në nëntor dhe iu rikthye politikës sërish (e duket se këtë herë nuk ndërron më mendim) javën e shkuar. Duke çuditur e çoroditur edhe vetë anëtarë të PDL-es që përgatiteshin të zgjidhnin liderin e tyre për zgjedhjet e ardhshme politike me anë të primarieve, si qendra e majtë.

Një nga ministrat e Montit thotë me shumë diplomaci që sipas tij në arenën ndërkombëtare mund të mos shihet si diçka pozitive kthimi i Berluskonit në politikë e bëhet hataja. PDL abstenon në Senat e Dhomën e Deputetëve dhe sekretari i Popullit të Lirive deklaron që qeveria e Montit po e lë vendin më keq nga ç’e gjeti. Presidenti bisedon me të gjitha forcat politike, me presidentët e dhomave të parlamentit e së fundi edhe me Montin. Të premten në darkë, pas dy orëve bisedime, ky i fundit vendos: do të japë dorëheqjen sapo të miratohen ligjet e bilancit, brenda pak ditëve.

Kthimi në politikë i Berlusconit dhe mbyllja në këtë mënyrë e eksperiencës së Montit ka trazuar atmosferën në vend e ka shqetësuar jo pak Europën, ku dyshohet mbi vazhdimësinë e Italisë në rrugën e ndërmarrë nga qeveria e profesorëve. Dhe prova e parë ishte pikërisht ecuria e tregjeve financiare. Asaj që i trembeshin të gjithë ndodhi. Diferenciali mes titujve të thesarit italian dhe atyre gjermanë u rrit ndjeshëm. Nga 323 që u mbyll të premten, sot kapërceu edhe shifrën 360 për t’u ndalur në 353 në mbylljen e tregjeve financiare.

Bursat europiane sot patën të gjitha shenjën negative, e më keq nga të gjitha shkoi Milano që gjatë mesditës humbte edhe më shumë se 3 pikë përqindjeje për t’u mbyllur në fund me -2,2%.

Ky ishte reagimi i parë i të papriturave të javës së shkuar, që nuk premtojnë asgjë të mirë për të ardhmen e afërt.

Keti Biçoku

Ja si flet plot sarkazëm Luciana Littizzetto në  programin ‘Che tempo che fa’ për rizbritjen në fushë të Berlusconit:

 

Shqipëria në acar e borë

BE: Pa reforma, s’ka status kandidat për Shqipërinë