in

Shqipëria në acar e borë

Reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta, kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin i mjeteve sidomos në zonat veriore dhe juglindore të vendit. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, bën të ditur se në qarkun e Dibrës, aksi Ura e Cerenecit-Stëblevë, deri në Klenjë është hapur plotësisht por qarkullimi kryhet me zinxhirë.

Në qarkun e Korçës, qarkullimi i mjeteve kryhet në disa prej akseve rrugore me zinxhirë.Në aksin Pogradec – Qafë Thanë, po punohet nga punëtorët e mirëmbajtjes për të mbajtur rrugën të kalueshme.

Në rrethin e Librazhdit problem paraqitet aksi Librazhd – Steblevë, ku rruga është e kalueshme me zinxhirë.

Edhe në rrethin e Kukësit dhe ne te gjithe rajonin e Pukes, në akset rrugore është i domosdoshëm përdorimi i zinxhirëve nga automjetet. Eshtë punuar gjatë natës për mbajtjen nën kontroll të situatës dhe për momentin qarkullimi kryhet me zinxhir kryesisht në qafat e maleve.

Situata më e hollësishme në disa zona të vendit:

Kukës

Reshjet e dendura të dëborës të ditëve të fundit dhe rënia e temperaturave ka bërë që kontrolli i të gjitha mjediseve të tunelit të Kalimashit të rritet ndjeshëm me synimin e eliminimit të shqetësimeve teknike brenda mjediseve të tij.

Për këtë, vëzhgimi i mjediseve të brendshme mbahet nën vëzhgim pa ndërprerje gjatë 24 orëve. Kjo edhe për faktin se, në këtë periudhë fluksi i lëvizjes së mjeteve vjen në rritje, pasi nis kthimi i emigrantëve për festat e fundvitit.

“Kontrolli dhe mbajtja nën vëzhgim e mjediseve të tunelit është një fenomen i zakonshëm, që synon eleminimin në kohë të ndonjë shqetësimi teknik që mund të paraqitet”, pohon njëri prej specialistëve të kontrollit teknik të mjediseve të brendshme të tunelit.

Tropojë

Reshjet e ditëve të fundit kanë bërë të mundur rritjen e nivelit të ujrave të liqenit të Fierzës duke përmirësuar ndjeshëm situatën në këtë liqen që shërben si rregullator  edhe për dy liqëenet e mëdhenj të kaskadës së Drinit, të Komanit dhe të Vaut të Dejës.

“Prurjet  e  ujit  vazhdojnë të jenë të larta  dhe gjatë ditës së sotme janë  rreth  530 metër kub ujë në sekondë, ndërsa niveli  i ujrave  ka arritur  në 273,20 metra mbi nivelin e detit”, pohojnë burime të sallës së komandës  së hidrocentralit të Fierzës. 

Rritja e nivelit të ujrave mundëson prodhim më të madh të energjisë  gjatë dimrit, kur rritet kërkesa  nga konsumatori.  Hidrocentrali i Fierzës  ka një kapascitet ujëmbajtës  prej afro  3,2 miliardë metër kub ujë në pikën e tij maksimale, ndërsa  1,2 miliard metër kub ujë në pikën e  ashtuquajtur të vdekjes  në lartësinë e 242 metrave mbi nivelin e detit.

Lezhë

Reshjet e dendura të ditëve të fundit e kanë zgjeruar hartën e përmbytjeve thuajse në të gjithë sipërfaqen e zonave të Prefekturës së Lezhës. Mijra hektare tokë në komunat Shënkollë, Balldre, Kolsh e Zejmen, veçanërisht zona të tilla si Barbullojë, Spitën, Rrilë etj, në rrethin e Lezhës ndodhen prej ditësh nën pushtetin e ujit.

Edhe zona fushore e Kurbinit, Fushë-Kuqe, Gorre, Gurëz deri ne Fushë-Mamurras e Adratik, situata e shkaktuar nga reshjet e shumta paraqitet e rënduar. Sipërfaqe të tëra të mbjella në zonat tashmë të ripërmbytura të Lezhës e Kurbinit me jonxhë, grurë, hasëlla, etj, po shkojnë drejt dëmtimit të plotë. Përsëri hidrovorët ose gjenden jashtë gatishmërisë për të njëjtin shkak (mungesa e energjisë elektrike) ose hidrovoret e stacionet e pompave nuk janë në gjendje pune në kapacitetet e parashikuara.

Njësitë vendore e drejtuesit e tyre në raste të veçanta kanë reaguar me vonesë. “Asnjë mjet të përshtatshëm në raste përmbytjeje qoftë edhe ndonjë tip bjellorusi që shërben për pastrim kanalesh, nuk kanë dërguar drejtuesit e komunës”, pohojnë banorë të Shënkollit.

Një tjetër shqetësim në këto ditë të rënduara nga reshjet paraqitet brigjeve të Drinit. I tejmbushur nga ujërat e shumtë, ka pasur edhe bllokime të rrjedhës normale për në Adriatik për shkak të hedhjes pa kriter të sasive të mëdha në lumë të mbeturinave të ndryshme. Si rrjedhojë e bllokimeve të derdhjeve normale janë çarë degëzime të brigjeve të Drinit dhe uji i këtij lumi ka shpërthyer nëpër sipërfaqet fushore.

Librazhd

Moti i keq shoqëruar me erëra të forta dhe shira të dendura gjatë ditëve të fundit ka shkatërruar disa linja të shpërndarjes së energjisë leketrike në fshatrat malorë të rrethit të Librazhdit, Gramshit si edhe Elbasanit. Burime nga zyra e shtabit të emergjencave civile bëjnë të ditur se “banorët e komunave Orenjë e Cermenikë në Librazhd, janë paraqitur mëngjesin e sotëm pranë zyrave të komunës, pasi janë pa energji elektrike prej më shumë se një jave”.

Mësohet se situata është rënduar shumë gjatë ditëve të fundit dhe se brigada e riparimit të avarive në terren ka nisur punën për riparimin e linjave, por kjo nuk mund të kryhet brenda një dite, por duhen më shumë se pesë ditë që këto avari të riparohen, sidomos në zonat e thella malore.

Mësohet se aktualisht si pasojë e reshjeve të dëborës dhe shirave është i kalueshëm me vështirësi aksi malor Librazhd Qendër – Qarrishtë, ndërsa aksi Lunik–Stëblevë i kalueshëm vetëm me zinxhirë.

Vlorë

Ngricat dhe akulli i krijuar si pasojë e rënies së temperaturave dhe erës së ftohtë, kanë shkaktur vështirësi në qarkullimin e automjeteve përgjatë rrugës që përshkon Qafën e Llogorasë, pjesë e aksit kombëtar Vlorë-Sarandë. Aktualisht po ndërhyhet në gjithë segmentin që përshkon këtë qafë, duke hedhur kripë, çka është shoqëruar me përmirësimin e kushteve të qarkullimit. Burimet të policisë bënë të ditur se, automjetet mund të qarkullojnë normalisht, por drejtuesit e tyre janë këshilluar të përdorin zinxhirët.

Pak ditë më parë, në këtë qafë, me lartësi 1.050 metra mbi nivelin e detit, ranë reshje dëbore që bllokuan qarkullimin e automjeteve për disa orë. Kjo ishte dëbora e parë prej muajit shkurt të këtij viti, kur për disa ditë me radhë qarkullimi në rrugën që përshkon Qafën e Llogorasë u vështirësua në një segment prej rreth 10 km, si pasojë e reshjeve të shumta të dëborës dhe e ngricave të krijuara nga temperaturat e ulëta dhe era e ftohtë.

Kosovë

Një ditë me shkëlqim dielli dhe me dëborë regjistrohet sot në Prishtinë, por Kosova në këtë javë do ketë reshje të reja dhe të ftohtë, me temperatura nga 0 deri në -10 gradë celcius.

Me mbrëmjen e sotme priten reshjet e dëbores, e cila që nga java e kaluar ka arritur deri mbi gjysëm metri dhe ka vështirësuar trafikun në rajone të ndryshme, ndërsa në autostradën e mirëmbajtur drejt Shqipërisë qarkullimi zhvillohet normalisht.     

Sipas parashikimeve, muaji janar do të jetë më i ftohtë, me ulje temperaturash deri në -20 gradë celcius.

Bari Sekuestrohen 80 kg marijuhanë dhe arrestohet një 25-vjeçar

Rivjen Berlusconi, largohet Monti