in

Roland Muça, shqiptari i guximshëm që ndeshet me grabitësin

Karabinierët  i kërkojnë ministrisë së brendshme t’i lëshojë lejeqëndrimin për motive të jashtëzakonshme drejtësie, 32-vjeçarit Roland Muça

Romë, 14 shtator 2015 – Ndërsa sheh një person të maskuar e me pushkë në dorë, ndeshet me të, e çarmatos dhe e detyron t’ia mbathë. Gjithçka është filmuar nga telekamerat e pikëshitjes.

Ka ndodhur më 7 mars në Villa Briano të provincës së Casertës dhe heroi është 32 vjeçari shqiptar Roland Muça që ka parandaluar kështu vjedhjen e një supermerkate.

E bëjnë të ditur karabinierët kur japin lajmin e arrestimit të pesë personave, të gjithë italianë, të akuzuar për grabitje në rrethana rënduese dhe mbajtje armësh pa leje. Sipas prokurorisë së Napolit, dy prej të arrestuarve janë përgjegjës për katër grabitje qendra tregtare në provincën e Casertas. Mes dyqaneve të vëna në shënjestër, edhe ai ku Muça ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për dështimin e vjedhjes.

Nga forcat e rendit mësohet se Roland Muça jeton në Itali vetëm prej pak muajsh dhe nuk ka dokumente qëndrimi. Nga imazhet video të karabinierëve shihet qartë një grabitës, me fytyrë të mbuluar e armë në dorë ndërsa është gati të hyjë në supermerkatë. Por nuk ia ka pritur mendja kurrë që i duhet t’i ruhet një të riu shqiptar: pa e menduar dy herë, ky e ndjek, e hedh në tokë, përleshet me të, e çarmatos dhe detyron që t’ia mbathë bashkë me tjetrin që e priste në makinë. Edhe Muça, duke mos pasur lejeqëndrim i është trembur ndonjë mase dëbimi, ndaj është larguar e nuk ka qëndruar të merrte përgëzimet e merituara të të pranishmëve e të të zotëve të merkatës.

Por gatishmëria e guximi i pazakontë i treguar nga Muça nuk ka lënë indiferentë karabinierët që tani i kërkojnë ministrisë së brendshme t’i lëshojë lejeqëndrimin për motive të jashtëzakonshme drejtësie.

“Djali ka treguar një guxim të rrallë, pakkush do të ndërhynte po të ishte në vend të tij – komenton kapiteni Michele Centola, komandant i karabinierëve të Casal di Principe. – Gjesti i shqiptarit të kujton atë të të shkretit Anatolij Korol”.

“Grabitësi i çarmatosur nga i riu shqiptar – vazhdon karabinieri – në një grabitje më parë nuk kishte hezituar të shtinte në ajër. Mund të kishte shkuar si mos më keq. Kemi kërkuar menjëherë leje qëndrimi për motive të jashtëzakonshme për të”.

 

 

Propozimi i Komisionit Evropian, “Shqipëria mes vendeve të sigurta”

Një park në qendër të Torinos merr emrin e Nënë Terezës