in

Roma dhe Birra Korça

Në Romë, shkrimtarët e sotëm nuk shtyhen drejt periferive apo vendeve të tjera të saj që janë të braktisura që të shohin se Roma është bërë një qytet multietnik. Duket se këtë detyrë e ka marrë një grusht shkrimtarësh emigrantë, që zgjodhën italishten si gjuhë letrare.

Çdokush e ka dëgjuar, vizituar apo parë në televizor Qytetin e Përjetshëm, Romën. Ka parë monumentet shekullore të saj që ende sot të mrekullojnë me magjinë e tyre, me bukuritë e tyre, me artin e tyre të krijimit nga mendje dhe duar të emrave më të mëdhenj të historisë sonë të qytetërimit. Po aq e magjishme është Roma edhe në letërsi dhe art, që nga emrat e famshëm të lashtësisë deri tek emrat e sotëm me vepra të shquara të kinematografisë, pikturës, poezisë e prozës. Mjaft të përmendësh dy prej artistëve më në zë të shekullit të kaluar, Pazolini dhe Moravia, që pasqyruan kontradiktat dhe konfliktet e saj me një realizëm të pastër, pa filtra ideologjish apo dashurish shtirjesh ndaj qytetit të tyre.

E mora spunton nga këto rreshta për të bërë një paralelizëm në dukje tepër absurd dhe i pakuptimshëm me Korçën, faktikisht duhej të ishte kryeqyteti për t’i përqasur në çdo aspekt ato, në këto netë të Festës së Birrës. Ishte hera e parë që merrja pjesë në të, herët e tjera ose kam qënë jashtë shtetit me punë e pushime, ose nuk shkoja, një lloj menefregizmi ndaj pompoziteteve dhe ritmeve të shfrenuara të jetës mes birrës dhe muzikës, edhe pse bashkë me disa miq të kulturës në Bashki dhe tregtarë kemi qënë edhe ideatorë të festave të tilla, për të shoqëruar edhe të afërmit që kanë ardhur nga Greqia, për të kaluar disa javë në Shqipëri. Pikërisht birrë dhe muzikë, mendja më shkonte tek bakanet e Bakut që festa të tilla i bënin me verë, por pa kurrëfarë poezie apo le ta quajmë letërsi.

Shumëkush mund të mendojë se ç’do të duhet poezia kur është përfaqësuese një nga format e artit, muzika? Unë mendoj se duhet dhe do të marr atë idenë e mburrjes me çdo kusht për qytetin e serenatave, të artit, të festave etj, etj…pa harruar edhe poezinë. Po pse poezinë? Sepse poezitë për të janë të shumta dhe dashuria për të është “e madhe”. E pra një moment në katër netë mund të jetë poezia me temë Korçës sime, këtë ide e kam shumë seriozisht dhe jo ironi, edhe vizitorët apo turistët ndihen të tillë edhe pse mund të gjenden vetëm për pak ditë, dhe vargjet mund të buçasin nga mikrofonat e skenës. Le të mendohet dhe një çmim për poezinë më të mirë dhe kurorëzimi të bëhet aty pikërisht në ditët e festës. Atëherë do të thosha se trinomi do të kishte më lezet. Ky do të ishte një konkurs i përvitshëm me pjesëmarrje të lirë në ditën e poezisë për Korçën nga të gjitha trevat dhe diasporat, ose të dërguara më parë për vlerësim pranë një komisioni pranë Bashkisë së qytetit dhe pastaj të gjitha poezitë mund të mblidhen në një antologji. Ndoshta për elozh secili mund të bëjë lajka për qytetin që viziton apo ku jeton, por harrojmë realisht se problemet e mëdha të qytetit nuk zgjidhen me lajka apo me fjalën e mirë.

Nuk diskutohet se pararoja e poezive do të jenë si zakonisht poezitë e të ardhurve – a ka artistë të tillë që e bëjnë këtë gjë? – për më tepër të atyre që jetojnë në Korçë dhe që të futen në konsideratat e korçarëve, duhet doemos t’i thurrin lavde qytetit, se ndryshe do të mbeten poetë të ardhur, në klanet apo aferat e kulturës së qytetit. Ja një moment tjetër i paralelizmit. Në Romë në fakt shkrimtarët e sotëm nuk shtyhen drejt periferive apo vendeve të tjera të saj që janë të braktisura që të shohin se Roma është bërë një qytet multietnik. Duket se këtë detyrë e ka marrë një grusht shkrimtarësh emigrantë, që zgjodhën italishten si gjuhë letrare.

Sipas një shkrimtari algjerian duke lexuar Pazolinin thotë se personazhet e tij sot janë zëvendësuar nga emigrantët. Mjaft të ngjitesh në një tren apo autobus për ta parë, veçanërisht natën. Sa poezi, apo ta përmbledhim me një fjalë si më sipër letërsi po shkruhet sot në formë proteste për jetën e qytetit në këto 20 vjet? Them se janë të pakta, ose inekzistente, pasi letërsia është kapur fort pas së shkuarës dhe jo pas së tashmes që jetojmë. Po të duash të bësh paralelizma të tjerë brenda nesh, pa krahasimë me botën, duket se po qajmë më shumë hallet e së shkuarës sesa të sotmet. Pjekuria ka mbetur diku larg, pasi në plan të parë janë qarjet dhe qaramanët për kohën e shkuar. Ku janë “qaramanët” e kohës së sotme, kur kronika e zezë po mbyt ekranet, vetëm në korrik 51 të vdekur nga aksidentet, shto këtu edhe vrasjet për motive të ndryshme, të cilat besoj se do t’i qajmë në letërsinë e pas ndonjë shekulli, kur të na vijnë mentë, se tani kanë ikur me pushime të gjata vere apo janë kthyer pas në kohë, në një udhëtim fantastiko-grotesk, si ai i ndonjë shkrimtari shqiptar që në romanet e veta shkruan skupe apo pallavra për të joshur shtëpitë e huaja botuese dhe që të jenë të pëlqyeshëm tek lexuesi perëndimor.

Të hipësh në urban natën mund të jetë një zakon i dobishëm që mund t’u sugjerohet shkrimtarëve romanë që të vëzhgojnë nga afër problemet e mprehta sociale të një kryeqyteti me gati 5 milionë banorë, ndërsa tek ne sugjerimi do të jetë të gjejnë forcën dhe kurajon për t’u impenjuar në shoqëri, të shkruajnë vepra dinjitoze letrare ku të zënë vend problemet dhe hallet e pafund të brezave në Shqipëri.
Arjan Th. Kallço

Një ekspozitë rrëfen rolin e arbëreshëve në Bashkimin e Italisë

“Bota shqiptare” kërkon një gazetar