in

Roma për Toma

Injoranca e re: përdorimi i disa fjalëve vend e pavend në gjuhën shqipe
Nga Gino LUKA

Mjafton të lexojmë një artikull në gazetat e shumta në internet për të kuptuar që gjuha shqipe gjendet në një situatë të dhimbshme; ka shumë fajtorë, sidomos një kategori është veçanërisht fajtore: ajo e nëpunësve dhe e personave që shkruajnë në gazeta të ndryshme (e atyre që sillen si gazetarë e të vetëquajturit shkrimtarë). Ky faj rëndohet nga fakti se gazetarët profesionistë nuk marrin asnjë masë për të informuar publikun, përkundrazi heshtin, ndoshta në mënyrë jo të qëllimshme, duke lejuar keqpërdorimin e fjalëve. Qytetarët e painformuar pastaj nuk i filtrojnë informacionet e gabuara (me sa duket edhe mësuesit e gjuhës shqipe kanë qenë shumë pak kërkues karshi nxënësve gjysmanalfabetë) prandaj duhet ndërhyrë, p.sh. me gjoba të ndryshme për ata që përdorin fjalë gabim ose që shtrembërojnë kuptimin e fjalëve.

Fjalët përdoren për të përshkruar fakte apo fenomene; një fjalë e gabuar ose e pasaktë mund të përshkruajë një fakt ose të kundërtën e asaj që po ndodh. Përshkrimi i ngjarjes ose i një fakti, tendenca, pasojat e ngjarjes, kërkojnë fjalë të ndryshme. Mund të ketë 1 cm reshje shi ose 1 m; megjithatë, në rastin e dytë fjala që duhet përdorur nuk është reshje shiu, por përmbytje.

Përdorimi pavend ose gabim i fjalëve është një shkelje e rëndë, sepse krijon te lexuesi ose te dëgjuesi një gjykim në një masë më të vogël ose më të madhe, qetësie ose emergjence, qetësie ose alarmi. Përdorimi për një kohë të gjatë i fjalëve të gabuara më pas krijon varshmëri ose, edhe më keq, e kthen të vërtetën në diçka të rreme ose të drejtën në diçka të gabuar. Kur dikush e bën padashje, ndoshta mund të falet, por jo kur është një gazetar, profesioni i të cilit e detyron të jetë i kujdesshëm për të përshkruar fenomenet me fjalë që marrin parasysh thelbin e ngjarjes dhe duke ditur që ai ka fuqinë me anën e fjalës të ndikojë shumë njerëz.

Pikërisht për të shmangur përdorimin e pakujdesshëm të fjalëve, në redaksitë e gazetave apo të shtëpive botuese anglo-saksone, përveç manualeve që përshkruajnë se si duhet shkruar në mënyrë korrekte, ekziston profesioni i editorit ose kryeredaktorit, që është një profesionist i cili korrigjon punën e shkrimtarëve apo gazetarëve për të shmangur pasaktësitë, përsëritjet, mesazhet e paqarta, non sequitur (gabimet logjike) boshllëqet e ndryshme në tekst etj.

Në Shqipëri, profesioni i redaktorit ekziston vetëm si emër, të gjithë janë të lirë të përdorin fjalë që perceptohen nga lexuesit në një mënyrë, ndërsa në realitet ato nënkuptojnë diçka tjetër ose të kundërtën. Në anekdotën e Abraham Lincoln-it i cili pyeti: “Sa këmbë ka një qen, nëse e quajmë këmbë edhe bishtin e qenit?” Përgjigja nuk është 5 por 4; sepse të gjithë e dimë se duke thënë se bishti është këmbë, kjo nuk e bën bishtin këmbë.

Nëse një mjek e përshkruan pneumoninë si një gjendje ethesh, ai thotë diçka që deri diku është e saktë, por në thelb diagnoza është e gabuar. Nëse një gjykatës flet për “marrjen e një objekti” në vend që ta përcaktojë atë si vjedhje, atij do t’i hiqej një vërejtje. Nëse një inxhinier deklaron se themelet e një ndërtese janë “pak të pjerrëta” në vend që ta karakterizojë ndërtesën si të pasigurt, ai mund të rrezikojë t’i hiqet leja e ushtrimit të profesionit.

Shkurtimisht, në të gjitha profesionet ka dënime/gjoba për ata që përdorin fjalë të gabuara për të përshkruar faktet. Pse për nëpunësit (ose gazetarët) jo?

Le të shohim më poshtë disa nga rastet më të përhapura të këtyre shthurjeve gjuhësore:

ZBARDH – Sqaroj

Çështjet sot “zbardhen” nuk sqarohen…

Kuptimi i foljes zbardh në gjuhën shqipe është:

ZBARDH kal.

1. E bëj diçka krejt të bardhë, duke e lyer me gëlqere, me bojë të bardhë etj.; e mbuloj me diçka të bardhë, e vesh me një shtresë të bardhë; kund. nxij. Zbardh shtëpinë (muret, tavanin) me gëlqere. Dëbora e zbardhi vendin (malin, fushën). Zbardhi fytyrën me pudër. E zbardhën nusen e lyen nusen me pudër, me krem etj. për ta zbukuruar.

2. E bëj të bardhë diçka, duke i hequr ngjyrën që ka pasur, çngjyros; e bëj diçka fare të bardhë, më të bardhë se ç’është; e pastroj, e laj (për rroba të bardha që janë fëlliqur). Zbardh pëlhurën (çarçafët, këmishën, leshin). Zbardh sheqerin. E ka zbardhur dielli.

3. I heq shtresën e sipërme diçkaje dhe e bëj të ndritshme, duke e larë, duke e fërkuar etj.; zhvesh (misrin, orizin etj.). Zbardh argjendin. Zbardh misrin (orizin). Zdrukth për të zbardhur. Dhia e zbardhi pemën.

4. E ndriçoj, i jap dritë, ndrit. Drita zbardhi majat. Llamba e zbardhi dhomën.

5. I nxjerr thinjat dikujt, e thinj. E ka zbardhur pleqëria. Vitet ia zbardhën flokët. Hallet e zbardhën para kohe.

6. fig. I jap nder e lavdi, e nderoj, e nxjerr faqebardhë; e ndrit; e bëj më të lumtur. Ia zbardhi faqen (fytyrën) babait (familjes, shkollës, ndërmarrjet). Na i zbardhën armët. I zbardhi jetën. Ajo e zbardhi atë shtëpi. Lëre, se e zbardhe! iron.

7. Rishkruaj qartë e me kujdes diçka që e kam shkruar më përpara shpejt e shpejt, jo qartë e me korrigjime, hedh në të pastër. Ka dhjetë fletë për të zbardhur.

8. jokal. vet. veta III. shih ZBARDHOJ 2. Zbardh dëbora (pambuku). Zbardhin malet. Zbardh shtëpia.

9. jokal. vet. veta III. Agon, gdhin (edhe fig.). Zbardhi drita. Sapo zbardhi. Sa të zbardhë. Zbardhi dita e re. Nga lindja nisi të zbardhte.

* Zbardh (hap, zbulon) dhëmbët keq. zgërdhihet; qesh me të tallur. Zbardhi sytë mospërf. vdiq.

SQAROJ kal.

1. vet. veta III. E bën të qartë a të kthjellët, e kthjellon. Kjo erë e sqaroi motin.

2. E bëj të qartë dhe të kuptueshme diçka të vështirë a të errët; jap shpjegime më të hollësishme për një veprim, ngjarje etj., ndriçoj. E sqaroi çështjen (problemin). I sqaroi për gjendjen.

3. I tregoj rrugën e drejtë dhe i bëj të qarta idetë e pikëpamjet; mënjanoj keqkuptimet a paqartësitë që dalin për një punë, një çështje etj. E sqaruan popullin. I sqaroi politikisht (ideologjikisht).

RISK – Rrezik

(Nga anglishtja “risk” = rrezik)

Kuptimi i fjalës “risk” në gjuhën shqipe është:

RISK m. bised.

Fat, kësmet; pjesa që i bie një njeriu sipas fatit që ka ose sipas një paragjykimi. Ky qe risku i tij. Njeri pa risk, ia preu riskun. Iu bë risk.

RREZIK m. sh.

1. Gjendje e vështirë, në të cilën dikujt a diçkaje mund t’i ndodhë një fatkeqësi, një dëm i madh a një e keqe tjetër, mundësia e një të keqeje të menjëhershme që kërcënon dikë a diçka. Rrezik i madh. Rrezik i vërtetë (i mundshëm). Rrezik vdekjeje. Rrezik zjarri. Rreziku i luftës (i agresionit). Përballë rrezikut. Punë (jetë) me rreziqe. Me rrezik koke i tillë sa që dikush mund të humbasë jetën. Në çaste rreziku. Është në rrezik. Është jashtë çdo rreziku. E kam në rrezik diçka. E kërcënon një rrezik. E shpëtoi nga rreziku. E kaloi (e kapërceu, e hodhi) rrezikun. E përbuz rrezikun. I shmangem (i largohem, i iki) rrezikut. Doli nga rreziku. S`e merr në sy rrezikun. Nuk i trembet rrezikut. E vuri në rrezik e rrezikoi. Ka rrezik të… mund të ngjasë, mund të ndodhë (për diçka me pasoja të këqija). Miku njihet në rrezik. fj. u. Mendja e madhe – rreziku i vetes. fj. u.

2. Diçka që mund t’u sjellë një dëm, një humbje a një të keqe të madhe të tjerëve, burimi a shkaku i një të keqeje të mundshme e kërcënuese. Rreziku kryesor (numër një). Rreziqet e punës (e detit, e rrugës). Rreziku i djathtë (i majtë) shmangia nga vija e drejtë politike më të djathtë (më të majtë). Përbën (paraqit) rrezik për të tjerët. Është bërë rrezik për dikë a për diçka. Mbetet rreziku kryesor. Mbrohem nga rreziqet.

3. bised. Fatkeqësi ose një e keqe e madhe, që i ndodh dikujt. Rreziku i zi. I ndodhi (e gjeti, i ra) një rrezik. Pati një rrezik. E zuri rreziku.

4. bised. Rrezikzi.

* I bie kambanës së rrezikut libr. jap kushtrimin; tërheq vëmendjen e të tjerëve për një të keqe të madhe që na kanoset.

BORD – Këshill administrativ

(Nga anglishtja board = këshill)
board of directors = këshilli administrativ

Kuptimi i fjalës bord në gjuhën shqipe është:

BORD m. sh.

1. det. Buza e faqeve anësore të anijes ose të barkës; secila nga faqet anësore të anijes ose të barkës. Bordi i djathtë (i majtë). Bord i lartë. Bordi i anijes (i barkës). Përplaset në bord.

2. det. Pjesa e sipërme e anijes, që është e sheshtë dhe e pambuluar, kuvertë; anija në tërësinë e saj kundrejt mjedisit të jashtëm. Bordi i anijes. Libri i bordit regjistri a ditari i anijes. Ngjitem (rri) në bord. Joshtë bordit.

3. tek. Pjesa e brendshme e aeroplanit a e mjeteve të tjera të lundrimit ajror, e ndonjë mjeti tjetër të madh për udhëtime etj. Bordi i aeroplanit. Bordi i satelitit (i raketës). Bordi i tankut.

KËSHILL m. sh.

1. Organ i pushtetit shtetëror, që zgjidhet nga populli dhe qeveris vendin në njësitë administrative-tokësore me pjesëmarrjen e gjerë të masave punonjëse. Këshilli popullor (i lagjes, i fshatit, i qytetit, i rrethit). Kryetari (sekretari) i këshillit. Anëtarët e këshillit. Mbledhja e këshillit. Zgjedhjet për këshillat popullore.

2. Emërtim i disa organeve të larta të pushtetit shtetëror, që kanë fuqi urdhërdhënëse e zbatuese dhe që drejtojnë veprimtarinë në fushën politike, ekonomike, të mbrojtjes etj. Këshilli i Ministrave organi më i lartë i administratës shtetërore, që ka fuqi urdhërdhënëse e zbatuese, qeveria. Këshilli i Mbrojtjes organi më i lartë që merret me drejtimin, organizimin e mobilizimin e të gjitha forcave të vendit për mbrojtjen e Atdheut. Këshilli i Shtetit organi më i lartë i administratës shtetërore në disa vende.

3. Organ kolegjial drejtues ose këshillues në një ndërmarrje, institucion, organizatë shoqërore etj. Këshilli teknik (artistik). Këshilli pedagogjik (shkencor). Këshilli i prodhimit (i kulturës).

UJOR – Ujar

Në këtë rast mendoj se kemi të bëjmë thjesht me një lapsus linguae, një ngatërresë ndërmjet fjalës për përcaktimin e personit që bart ujin, ujarit, me diçka që rritet në ujë.

UJOR mb. libr.

1. Që ka të bëjë me ujin, që lidhet me ujin, ujit; që bëhet në ujë. Mjedis ujor. Shtresë (masë) ujore. Sipërfaqe ujore. Rrjedh (rrymë) ujore. Pengesë ujore. Regjimi ujor. Kufiri ujor. Rrugë ujore. Lundrim (transport) ujor. Pasuritë ujore. Ekonomia ujore tërësia ujërave të një vendi, që kanë rëndësi për ekonominë.

2. Që ka veti të ngjashme me ato të ujit, që është në gjendje të lëngët; që ka ose që përmban shumë ujë, i ujshëm. Tretje ujore. Lëndë ujore.

3. Që rritet a që jeton në ujë. Bimë (bimësi) ujore. Shpend ujor. Kafshë ujore.

4. Që ka të bëjë me ujitjen; që shërben për të ujitur, ujitës. Ndërtime ujore. Kanale ujore. Rrjet (sistem) ujor. Vepra ujore. Përmirësimi ujor.

UJAR m. sh.

1. Ai që mbart ujë dhe ua çon të tjerëve për të pirë. Ujari i punëtorëve. Ujari i dasmës.

2. Punëtor në kripore, që merret me shpërndarjen dhe me drejtimin e ujit të kripur.

3. vjet. Ai që sillte ujë nga një burim dhe e shiste në qytet.

AUDITOR – Revizor

(Nga anglishtja auditor = revizor, kontabël)

Kuptimi i fjalës auditor në gjuhën shqipe është:

AUDITOR m. sh.

1. Sallë e posaçme për të mbajtur leksione, referate etj., zakonisht në ndërtesën e një shkolle të lartë. Auditorët e universitetit. Hyj (zë vend) në auditor. Dal nga auditori.

2. përmb. Tërësia e dëgjuesve të një leksioni, të një referati etj., zakonisht të mbledhur në një sallë. Auditor i gjerë (i ngritur). Shumica e auditorit. Flas përpara një auditori.

3. fig. Vend ku mësohet për të zgjeruar e për të theluar njohuritë teknike e shkencore, politike, ideologjike etj. Kthehet në një auditor të madh.

REVIZIONIM (auditim) m. sh. libr.

Veprimi sipas kuptimeve të foljeve REVIZIONOJ, REVIZIONOHET. Revizionimi i llogarisë (i dokumenteve). Revizionimi i kufirit. Revizionimi i përgjithshëm (i mesëm) i automjeteve. Revizionimi i vendimeve. Revizionimi i tezave (i teorisë, i parimeve). Plani i revizionimit. Komisioni i revizionimit organ në një organizatë politike, që shqyrton mënyrën e zgjidhjes së çështjeve nga organet drejtuese, çështjet e anëtarëve të organizatës dhe veprimtarinë e saj financiare.

REVIZOR m. sh.

Punonjës i kontrollit financiar, që bën revizionin. Revizor i ministrisë (i bankës, i ndërmarrjes, i kooperativës). Detyra e revizorit.

KOMPANI – Ndërmarrje – shoqëri – firmë

(Nga anglishtja company = shoqëri, ndërmarrje)
airline company = shoqëri ajrore

Kuptimi i fjalës kompani në gjuhën shqipe është:

KOMPANI f. sh.

1. usht. Nënrepart ushtarak i përbërë prej disa togash. Kompania e parë (e dytë). Komandanti (komisari) i kompanisë. Rreshtoj (mbledh) kompaninë.

2. Grup i organizuar i përbërë prej rreth 30-40 pionierësh në shkolla ose në kampe pushimi; grup vullnetarësh në një aksion. Udhëheqësi (komandanti) i kompanisë. Shtabi i kompanisë. Mbledhja e kompanisë. Gara ndërmjet kompanive.

3. përmb., keq. Pasuesit e dikujt, ata që shkojnë verbërisht pas dikujt ose që bashkëpunojnë me të për qëllime jo të mira; ata që i mbajnë ison dikujt, që janë njësoj si ai, që mendojnë e veprojnë njësoj si ai. N.N. e kompani.

SHOQËRI

4. Grup njerëzish të bashkuar për të zhvilluar një veprimtari të përbashkët ose për qëllimet e interesat e tyre të përbashkëta, me detyra e të drejta të përcaktuara në një rregullore a statut; shoqatë, organizatë. Shoqëri sportive (artistike, kulturore, shkencore). Shoqëritë e punëtorëve (e zanatçinjve). Shoqëria «Puna». «Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip».

6. Bashkimi i dy a më shumë kapitalistëve, të cilët krijojnë një kapital të përbashkët me qëllim që të rritin fitimet e tyre. Shoqëri tregtare. Shoqëri aksionare. Shoqëri shumëkombëshe. Shoqëritë e huaja. Shoqëri anonime. Shoqëri e lundrimit detar (ajror).

NDËRMARRJE f. sh.

1. Veprimi sipas kuptimeve të foljeve NDËRMARR, NDËRMERRET. Ndërmarrja e një aksioni (e një fushate). Ndërmarrja e veprimeve luftarake.

2. Njësia themelore e organizimit të prodhimit, të tregtisë, të transportit, të shërbimeve etj. ose disa njësi të tilla të bashkuara me drejtim të përbashkët. Ndërmarrje industriale

(shkurt. NI). Ndërmarrje ndërtimi (shkurt. NN). Ndërmarrje bujqësore (shkurt. NB). Ndërmarrje ekonomike (tregtare, blegtorale). Ndërmarrje simotra. Ndërmarrje lokale (shkurt. NL). vjet. Ndërmarrje private. Drejtori i ndërmarrjes.

3. Punë ose veprimtari e gjerë, që bëhet në një fushë. Ndërmarrje e madhe (e guximshme). Ndërmarrje pa shpresë. Ndërmarrja e tyre pati sukses.

FIRMË f. sh.

3. Ndërmarrje industriale a tregtare, e cila prodhon ose shet mallra me markën e vet. Firmë tregtare. Firmë e njohur.

Lista vazhdon…

Për çdo dyshim që mund të keni, fjalori i gjuhës shqipe gjendet në këtë faqe interneti: http://www.fjalori.shkenca.org/

 

 

 

 

 

 

Jemi ne që bëjmë fotografitë, apo janë fotot që bëjnë “grafinë” tonë?

Calo delle acquisizioni di cittadinanza italiana, solo 147 mila nel 2017