in

Romë. Lamtumirë kabina telefonike

Kabinat telefonike në dhjetëvjeçarin e fundit thuajse nuk përdoren më. Në Romë ka nisur heqja e tyre. Me kalimin e viteve janë të shumta gjërat që kanë dalë nga qarkullimi. Për shkak të përparimit teknologjik dhe veçanërisht shtrirjes së përdorimit të kompjuterit dhe internetit. Kush ka jetuar në Shqipërinë e para viteve 90, mund rendisë shumë e shumë sende që sot nuk përdor më apo që nuk i gjen dot edhe po të dëshirojë t’i ketë.

Roma ka vendosur të heqë kabinat telefonike nga rrugët. Vendimi është marrë pasi është konstatuar që thuajse nuk përdoren më.

Në fakt në epokën e celularit, kur edhe telefoni fiks i shtëpisë më shumë mbahet sepse siguron linjën për internetin sesa për të telefonuar, edhe kabinat telefonike tashmë kanë dalë nga përdorimi. Mbani mend si funksiononin? Fillimisht ishin me xhetonë, pastaj me 200 lireta dhe së fundi me skeda. Në Itali kabinat janë pakësuar me kalimin e viteve: nga 300 mijë që ishin në vitin 2000 sot janë rreth 130 mijë. Dhe nga të dhënat e Telecom Italia-s nga 2001-shi përdorimi i tyre është ulur me 90%qoftë si numër telefonatash qoftë si kohëzgjatje. E megjithatë, Italia që sot ka 1 telefon publik për çdo 450 banorë, mbetet vendi me densitetin më të lartë të kabinave për banorë. Autoriteti i garancive në telekomunikacion ka vendosur që mund të hiqen çdo vit, maksimumi 30 mijë kabina. Këto ditë, në kabinat e Romës mund të gjesh një kartelë të kuqe ku është shkruar: “Kjo kabinë do të hiqet më datë…”. dhe data më e parë është 20 qershori 2011.

Nuk do të preken kabinat telefonike në shkolla, spitale e kazerma ushtarake.

Gjithsesi të gjithë banorëve të Romës u jepen 30 ditë kohë të kërkojnë me një mesazh në postën elektronike cabinatelefonica[at]agcom.it , mos-heqjen e një kabine të caktuar: duhet të japin të dhënat e veta personale, adresën e kabinës  dhe arsyen pse duan që ajo të mos hiqet.

Lajmi të sjell ndër mend një tjetër të para disa muajve: në dhjetorin e shkuar blogu Huffington Post, ndër më të famshmit në botë, përpiloi një listë me objektet që dhjetëvjeçarin e fundit thuajse kanë dalë nga përdorimi. Ndër të tjera, fuste në listë edhe faksin, videoregjistratorin, kasetat (audio e video), modemin (e mbani mend zhurmën karakteristike që bënte?),  librin e fletëve të verdha, katalogët e shtypur (Postalmarket, ndër më të famshmit në Itali), rulinin e filmit të aparatit fotografik, letrat e shkruara me dorë, bllokun me adresat dhe numrat e telefonit, agjencitë e udhëtimit etj, linjat telefonike erotike, enciklopeditë me vëllime, floppy disk etj. Të gjitha të zëvendësuara tashmë nga ajo hapësirë e pafund që është interneti apo të tjera sende të një teknologjie shumë më të avancuar.

Kush ka jetuar në Shqipërinë e para viteve 90, shumë nga gjërat e renditura më sipër as nuk i kishte pasur ndonjëherë, por nisi t’i përdorë vonë. Por nga ana tjetër, kësaj liste mund t’i shtojë të tjera sende që dy dekadat e fundit nuk i ka përdorur kurrë më. E mbani mend, për shembull, tavën me korrent? E spiralen që përdornim për të ngrohur ujin?

Shkruani poshtë këtij shkrimi, sendet që kishit asokohe në Shqipëri e që tani nuk përdorni më.

 

 

Forlì. Muratori shqiptar vidhet prej kolegut të vet kalabrez

Edhe kosovarët mund të bëjnë pasaportën pranë konsullatës në Romë